Drenicës

Kultura

Drenicës

Nga: Agim Deshnica Më: 5 mars 2020 Në ora: 19:12
Prekaz

Kështjellë Drenicë, mori burrneshë,

ta lumsha pushkën me kohët ndeshë,

si Mic Sokoli mbi gryka zjarri,

Azem Galica e Shota e malit,

i djegur ndër flakë Adem Jashari,

dhe shkroi Jusufi, pika e djalit!

Ulem në gjunjë e trazoj tokën,

u flas, nderoj atin e loken,

Hamzanë, djemtë, motrat e ferrishtet,

te derë e shembur e te murishtet,

t’u shuaj dhimbjen e t’u mbyll plagët,

të mbjell do lule te tokë e vlagët,

te kullë e shenjtë pa të ngroh vatrën,

të hap qilimin e të bëj faljen.

Lejomë Drenicë

të qajë mbi varre

hendekë e gropa, e ugare,

ku dergjen hiret e të vrarëve,

ku prehen shtatet e të parëve!

Të puth dhe gurët që s’kanë emër,

dikur një burrë, dikur një zemër!

Të ngashërej nëpër rrënoja,

me sofër, libra, nën gëzhoja!

Të ndjek dhe shtegun, ku qenë nisur

sokolat – trima në të ngrysur ,

për ngadhnjim, dritë, liri e nder,

për begati në tokat djerrë!

Të shuaj etjen ndër burime,

të shoh kur kthehen nga mërgime

zogjtë e lodhur në fluturime!

Të pyes me gaz nëpër pazare,

biznes tregtarësh me fshatarë!

Të pi një kafe në çarshi,

të bisedoj për Shqipëri!

Të ngazëllej në shkolla e oborre,

ku bredh e ardhmja ndër fletore,

në Mitrovicë, Llap e Preshevë,

ku bukës - bukë në shqip i thonë

dhe lart shqiponja fluturon.

Se, ja, kalorësi, lart në Prishtinë,

krenar, e mbron në ballë lirinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat