Një jetë ju qofsha falë - Bota Sot
Një jetë ju qofsha falë

Kultura

Një jetë ju qofsha falë

Nga: Jan Kosova Më: 11 prill 2020 Në ora: 11:10
Jan Kosova

Se ne po dalim ngadalë nga këto ditë të rënda
Po vjen koha kur më nuk na duhet Sanatorium
Kam shkruar pa ndarë, asnjëherë s'u hamenda
Dhe për poezinë time s'vlen asnjë moratorium

Edhe kur më zihej fryma nën petkat frikësuese
As syzet e turbullta nuk më pengonin shikimin
Se bukuria jote magjike me fuqinë frymëzuese
Më dilte përpara dhe më largonte deshpërimin

Çdo mëngjes pyesja: "Kujt i duhet vargu im"?
Atje në bjeshkët e mia të mbushura plot halle
Në mbrëmje i lejoja vetes një lutje për bekim
E prap spontanisht vargjet e mia hidhnin valle

As dje kur mallin e shkretë e rëndonte mërzia
As tash kur retë e fundit po tërhiqen ngadalë
Unë nuk do t'i ndërprejë urimet e lutjet e mia
Për ju e bjeshkët e mia, një jetë ju qofsha falë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat