Vdiq, gjuhëtari arbëresh Gianni Belluscio - Bota Sot
Vdiq, gjuhëtari arbëresh Gianni Belluscio

Kultura

Vdiq, gjuhëtari arbëresh Gianni Belluscio

Nga: Bardh Rugova Më: 13 prill 2020 Në ora: 11:00
Giovanni Belluscio

Giovanni Belluscio, albanologu i shquar arbëresh, ka vdekur të dielën në Cosenza në moshën 58-vjeçare.

Giovanni Mario Giacomo Belluscio ka qenë mjeshtër i fonetikës eksperimentale dhe ka realizuar një sërë punimesh me vlerë për fonetikën e shqipes. Si mjeshtër i punës studimore në terren, kërkimet e tij i ka përqëndruar në studimet dialektore, veçanërisht të arbëreshëve të Italisë, në fonetikën eksperimentale të aplikuar mbi shqipen dhe të folmet arbëreshe, por edhe në leksikologji dhe leksikografinë e shqipes, sociolinguistikë si edhe analizë teksti lidhur me konkordancat elektronike të teksteve letrare shqipe. Ka shkruar mes tjerash për realizimet fonetike të spikerëve në radiot e Kosovës dhe të Shqipërisë. Në kuadër studimeve të tij në terren ka zhvilluar ekspedita gjuhësore në pjesën veriore të Shqipërisë: Theth, Vermosh, Bogë (2007), Bajram Curri, Dragobi, Cernica, Shoshan, Raja, Viçidol (2012). Ka marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume shkencore dhe ka dhjetëra punime shkencore. Ka kontribuuar në disa projektei: IRRSAE Puglia (1992), Progetto EMOL, Fryske Akademy-Olanda (1995), EUROMOSAIC (1993-94). Ka botuar dy libra: Fjalor krahasues i termave të gjuhësisë, shqip-italisht-frëngjisht-anglisht (2011, bashkautor), The Albanian Language in Education in Italy (2010). Ka qenë anëtar i bordit të INA-s (International Netëork of Albanology). Ka qenë pjesëmarrës i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (herën e parë më 2003). Ka qenë, po ashtu, pjesë e një projekti të përbashkët me Departamentin e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Prishtinës për hulumtimin e të folmeve arbëreshe. Kumtesa e tij e fundit për albanologjinë është mbajtur dhjetorin e shkuar në Universitetin e Berlinit (Humboldt Universitat).

Ka qenë profesor në Universitetin e Kalabrisë. Ky universitet nën udhëheqjen e John Trumperit ka një ndër laboratorët më të njohur për studime të fonetikës. Belluscio ka bashkëpunuar ngushtë me Trumperin, nga i cili ka nxënë mjeshtërinë e kërkimeve dhe te matjeve eksperimentale në fonetikë. Universiteti i Kalabrisë (Unical) ka departament të Gjuhës shqipe që drejtohet nga Francesco Altimari.

Giovanni Bellusco ka lindur në fshatin arbëresh Shën Vasil (Kalabri) më 25 gusht 1961. Ka mbaruar shkollimin fillor në fshat, ndërsa liceun në Castrovillari. Është diplomuar në Universitetin e Calabrisë, ku edhe është doktoruar më 1993. Në komunitetin albanistik njihej me pergëdheli me emrin Gianni.

Albanologjia nuk ka një tjetër studiues të kalibrit të tij që do ta zëvendësojë në fushën e fonetikës dhe të studimeve në terren.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat