Për Frederik Gjerasin dhe zërin e tij të rrallë radiofonik

Kultura

Për Frederik Gjerasin dhe zërin e tij të rrallë radiofonik

Nga: Skifter Këlliçi Më: 12 maj 2020 Në ora: 13:44
Frederik Gjeras

Iku dhe Fredi, siç e thërrisnim shkurtimisht Frederik Gjerasin. Iku përgjithnjë, si shumë e shumë njerëz të shquar të inteligjencës shqiptare, iku dhe la kujtimet me shokë dhe miq dhe kushdo tjetër që e njihnin nga afër dhe nga larg, si njeri i mirakandshëm në shoqëri, si studiues në fushën e ekonomisë, si pedagog, si përkthyes i diktatorit Enver Hoxha në bisedime në Kremlin në dhjetor të vitin 1960, gjatë Mbledhjes së Moskës, si autor librit me kujtime “Drama shqiptaro-ruse”, botuar tre vjet më parë, që na shpalos dramën më të madhe të shoqërisë sonë gjatë periudhës komuniste, që u prit me aq kureshtje nga lexuesit tanë..

Unë nuk do të ndalem në këto ngjarje, as edhe në goditjen që ai pësoi më 1975, kur ishte pedagog i Ekonomisë Politike në Shkollën e Lartë të Partisë, ku pati mosmarrëveshje më Fiqirete Shehun, të shoqen e Kryeministrit Mehmet Shehu, po aq gjakatar sa Enver Hoxha, si pasojë e të cilave Fredi u degdis jashtë Tiranës deri në vitin 1990. 

Unë do të kujtoj një “dramë” vetjake të Fredit, nëse mund ta quaj kështu, që lidhet me një pasion të madh të tij, me mikrofonin e Radios. Veç atyre që përmenda më sipër, Frederik Gjerasi do të kujtohej edhe sot si folës i rrallë i Radio Tiranës dhe mbase dhe i TVSH-së, si një “Levitan shqiptar”.

Duke qenë se shumëkush, veçanërisht ata që janë shumë të rinj, nuk dinë se kush është Levitani, po bëj një parantezë të shkurtër. Levitani, një djalosh i ardhur në Radio Moska nga Siberia e largët nga gjysma e dytë e viteve ‘30 të shekullit të kaluar, me një shqiptim dialektor të rusishtes, arriti të bëhej shumë shpejt edhe sot folësi më i mirë i Radio Moskës.

I shquar për recitime, madje edhe në rusisht, që në shkollën e mesme në Elbasan, Frederiku e zhvilloi këtë pasion si folës i emisioneve të Radio Moskës në gjuhën shqipe dhe të dokumentareve të Kinostudios Mosfilm. Që më 1954, kur e dëgjova për herë të parë në këto emisione si dhe në filma dokumentarë sovjetikë, u dashurova pas zërit dhe leximit të tij të mahnitshëm.

Në kujtimet e tij në librin e mësipërm “Drama shqiptaroruse”, Fredi përmend një fakt domethënës. Menjëherë pas mbarimit të studimeve të larta në Bashkimin Sovjetik më 1957, ai u emërua instruktor në Komitetin Qendror të Partisë. Dhe, kur pati rast të takohej me Nexhmije Hoxhën, me të dëgjuar zërin e tij, ajo e pyeti me përzemërsi: “Mos je ti ai folësi i emisioneve të Radio Moskës?” E vërteta është se Fredi nisi të lexonte emisione të Radio Tiranës.

Në pranverë të vitit 1958, kur unë, riosh 20-vjeçar, nisa edhe unë të lexoja emisione të Radios, pata rast ta njihja. Më kujtohet se folësja e njohur Vera Zheji, që e vlerësoi shumë, gjatë bisedave me të i sugjeroi të lexonte me kadencën shqipe dhe jo ruse, të cilën, duke qenë i formuar në Radio Moska, Fredi nuk kishte si ta njihte. Por fatkeqësisht, zëri i Fredit u dëgjua më pas vetëm një herë: në radio-kronikën e gjatë të Radio Tiranës, më 29 maj të vitit 1959, kur Hrushovi arriti për një vizitë dyjavore ne Aeroportin e Tiranës, ku u prit me madhështi nga Enver Hoxha dhe shpura e tij.

Radio Tirana humbi kështu një zë të artë, një Levitan shqiptar. Përse? Sepse ishte instruktor në atë që quhej “aparati” i Komitetit Qendror? Absurditet. Pa dashur të zvogëloj aftësitë e Fredit, që kishte qenë student i shkëlqyer, të tillë që ishin diplomuar për ekonomi, gjendeshin në Shqipëri, por jo folës radiofonik të rrallë si. Mirëpo, aparatçikët e Komitetit Qendror nuk mund të kuptonin një dukuri tillë.

As vetë Nexhmije Hoxha, që e vlerësoi zërin e tij dhe mund të kishte vendosur që Fredi të vazhdonte të punonte në Komitetin Qendror dhe në të njëjtën kohë të lexonte si folës i jashtëm i Radios; ose të propozonte që ai të emërohej gazetar i redaksisë së ekomomike dhe më pas shef i saj në Radio Tirana, sepse shefi aktual nuk kishte arsim të lartë. Do të kishim pasur kështu një ‘Levitan shqiptar”… Ja përse këtë shkrim përkujtimor e titullova “Frederik Gjerasi dhe zëri i tij i rrallë radiofonik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat