Në krahët e jetës - Bota Sot
Në krahët e jetës

Kultura

Në krahët e jetës

Nga: Zyrafete Kryeziu Më: 21 maj 2020 Në ora: 15:29
Zyrafete Kryeziu

Karvani i mendimeve thua se kishte pushtuar vorbullën e ndjenjave të saj. Nga barra e rëndë i dukej se herë pas here humbiste të parët. Lufta brenda vetës ia shpërqendronte vëmendjen ndaj çdo gjëje, për këtë ajo mundohej ta mbajë veten nën kontrollin e duhur dhe të ishte e ndërgjegjshme me veten e saj.

-Lufta jetë është beteja më e ashpër e njerëzimit- flet Zana vetë me vete. U ndal dhe përtypi edhe njëherë mendimin që tha, sikur u dridh nga një definicion i tillë. Ishte mes ujërave që nuk dinte se si do ndodhi rrjedha e tyre. Një ngërç ia kishte pushtuar ndjenjën, arsyeja i fliste ndryshe, por zemra nuk i bindet sot. U mendua gjatë, së fundmi nxori një ofshamë, në formë rënkimi. Uuuf...!

-Po fundja dashuria nuk është mëkati, askush se lexon si të tillë dashurinë. Sa shumë rëndohet trupi i saj kur mbështillet me atë petk nostalgjie.

-Unë do jem pritja, ti sado që shpërfill shikimin tim, po të them se unë do jem pritja jote.

-Po pse nuk e lexon zemrën time, ajo pulson për ta ushqyer trupin tim për jetë e jeta ime do jesh vetëm ti.

Ishte dhënë me tërë qenien e saj, për ta bërë të kuptojë djalin se ajo ishte çmenduria e një dashurie në pritje. Lulit nuk i shkonte mendja se Zana vuante për dashurinë e tij, vuante për ta patur afër, për t'i ndjerë rrahjet e zemrës së tij e për të qenë gjysma e tij. Po edhe Luli ndjehet mirë sa herë që e takonte Zanën. Ajo sikur e magnetizon, i jep një kënaqësi shpirtërore, por nuk ka guximin t'ia thotë. Jo pse është djalë i urtë apo i turpshëm, por heziton, sepse druan se mos merr ndonjë përgjigje negative. Ashtu në heshtje dëshiron ta ketë brenda vetes, i pa ekspozuar pret radhën e "gjahut". Mosreagimi i djalit, ngjallë njëmijë e njëqind mendime tek Zana.

-Athua nuk e kupton ky dashurinë time, apo ndoshta luan lojën e të verbëritë?!- i flet zëri i saj i brendshëm. Në një mëngjes takohen krejt rastësisht tek qyteti i studentit dhe pas përshëndetjeve, siç e kërkon etika njerëzore, vazhduan rrugën për në fakultetet përkatëse: ajo në atë të mjekësisë, kurse Luli në fakultetin Teknik. Në atë drejtim do shkojnë, sepse andej i lidh një pjesë rruge e përbashkët. Zana, me tonin drithërues që nxirrte nga thellësia e shpirtit dhe fjalët ia merrnin taktin e zemrës, mundohej të vinte deri te caku. I ra bisedës kryq e tërthor, deri sa erdhi tek qëllimi i duhur. E skuqur në fytyrë, derisa edhe veshët i nxirrnin flakë nga emocioni, filloi t’ i flasë hapur Lulit.

-Lul e di që ndoshta unë nuk kam arritur ta tërheq vëmendjen tënde, por unë nuk do vuaj më. Po ta them troç: jam e dashuruar në ty! Çdo pjesë e ditës, madje minutat janë të gjatë e kalojnë fare pak pa të të sjellë ty në mendjen dhe zemrën time. Ti je vetëjeta ime...!

Fjala iu pre nga gulçimi që i erdhi si lëmsh dhe shpërtheu në vaj. Luli u afrua, e mbështolli trupin e saj me të dyja duart dhe e shtrëngoi thellë në gjoksin e tij. Ai edhe pse kishte pasur një simpati të veçantë për vajzën, që prania e saj e bënte të ndjehet ndryshe, megjithatë hezitonte t'i thoshte ato që ndjente.

Fshau thellë dhe përcolli oksigjenin deri në fundin e barkut të tij, u çlirua nga një barë që e kishte rënduar për një kohë të gjatë. Tash vendosën që zemrat e tyre të pushonin nga ankthi për njeri-tjetrin. Pas çdo dite, kur ishin të ngarkuar me ligjërata në fakultete, i jepnin vetës të drejtë, që mbrëmjeve të takoheshin dhe të relaksoheshin për të harruar lodhjen e për të përmbushur dashurinë e tyre. Aroma e trupit të Zanës kishte bërë ajrin magjik për djalin, i cili çdo herë e më tepër thellohej në dashurinë e saj e ashtu i kapërthyer nga nostalgjia, depërtonte në secilën pore të trupit të saj. Tash dashuria kishte rënë në binarët e duhur. Lumturia ishte mbështjellë me suksesin e dy të rinjve. Në mbrëmje u ndan për t’u takuar të nesërmen mbas provimit që kishte Zana. Luli u zgjua nga gjumi dhe pa se ora kishte ikur. Lau faqet dhe mbaroi ritualin e mëngjesit e me një shpejtësi mori librat dhe u nis për në ligjërata. Tërë rrugës mendjen e kishte tek Zana se si do të kalonte në provim? Ecte dhe në imagjinatën e tij shfaqej silueta e portretit të saj.

-Do ta kalojë provimin. Ajo është e zonja dhe nuk dua të dyshoj aspak, - i jepte kurajo vetes. Mezi priste ta kalojë këtë copë dite dhe të bëheshin bashkë, për t’iu gëzuar suksesit të Zanës.

Zana kishte veshur mantelin e bardhë. Priste që të futej në sallën e obduksionit, kishte mjekësin ligjore dhe pacienti fatkeq do të ishte ‘’gjahu’’ i saj atë ditë.

Një makinë, me shpejtësi marramendëse, vjen dhe bën një rrethrrotullim dhe përplaset në trupin e një djali, i cili ishte pranë hyrjes së oborrit të Fakultetit Teknik. Turma e njerëzve u mblodh sa mbyll e hap sytë për t'i dhënë ndihmën e duhur. Ambulanca mbërriti në vendin e ngjarjes, viktima mbeti pa pikë ndjenjash për jetën. U konstatua se pacienti nuk ka puls, nuk ka shenja jete dhe përfundimisht kishte ra viktimë e një fatkeqësie.

Zana ishte përgatitur të futej në provim. Zhurma e studenteve që pritnin radhën dhe një ndjenjë e rëndë që ia kishte kapluar trupin, e kishin ligështuar shumë.

-Mbahu, Zanë, - i fliste vetës. Sot duhet të jesh më e fortë se kurrë,-fliste përsëri me veten, pa e ditur se çka do ta priste, se kush do të ishte ai apo ajo që do t'i sillte fat në karrierën e saj profesionale. Erdhi profesori. Hynë në sallë dhe sipas rregullave që kishin, u bë verifikimi i të pranishmëve dhe filloi puna.

-Zana Bardhi- e thirri profesori emrin e saj.

Ajo u afrua tek tavolina e pacientit, që ishte viktima e ditës. Kur profesori ngriti plafin nga trupi i tij, para syve iu shfaq trupi i Lulit. Ajo hapi sytë si në ëndërr dhe të gjithë që e njohën viktimën thirrën me një zë habitor: L U L I...!

Zana humbi ndjenjat dhe u krijua një heshtje vdekjeje brenda sallës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat