Kopja nuk mund të jetë më e mirë se origjinali - Bota Sot
Kopja nuk mund të jetë më e mirë se origjinali

Kultura

Kopja nuk mund të jetë më e mirë se origjinali

Nga: Raimonda Shundi Më: 4 qershor 2020 Në ora: 14:48
Foto Ilustrim

Kur fjalët nuk hyjnë më në vesh të askujt, mbetet heshtja. Syri i tretur tej, dhimbja, revolta, “Pse unë??”. Loti. Shumë sy të tradhtuar, rebeluar, trishtuar, pamë në këtë kohë gërmadhash. Disa të paparashikueshëm, “pro” shkatërrimit, sot madje thonë me sy; “Ndihmë, falna zot”.

Heshtje; si pas një vdekjeje që dhemb shumë; si qengji i kurbanit. Sot, edhe ata po munden ta shohin qartë krimin e tyre. Mitologjia na rrëfen histori trishtimi me dragonj, luftëtarë trima, kuçedra me shtatë kokë, bajlozë dhe me triumfin e mençurisë, njerëzores, të dashurisë. Po ç’e duam në fund të fundit ne mitologjinë, ninullat, përrallat gjyshërore apo dreqin e të birin bashkë? Ne sot kemi përrallat “moderno-kohore” me shkuma gostie e jahte hashashi.

Pse i festojmë datat historike apo gëzime familjare? Pse evenimentet më stoike botërore vijojnë të jenë edhe më të forta në masivitetin e tyre, përfshirë këtu edhe sportin, që të them të drejtën kurrë s’më ka interesuar. Krishtlindje, ndërrimi i vitit, martesat, lindjet, koncerti Vjenez, “La Scala” me sharmin e saj, takimet teatrale, studimore, shkencore, apo edhe festat tona private nën dritën e qiriut? Sepse ne, pa kujtesën jemi askushi.

Mendoje veten një person pa kujtesë. Zgjohu dhe nuk e di se cili je dhe çfarë përfaqëson. Nuk njeh veten, prindërit, familjen. Nëse ne, nuk do ta preknim me dashuri të shkuarën tonë, për t’ua përçuar fëmijëve siç bëjmë natyrshëm, nuk kemi lëngun tonë jetik, s’kemi shije, emocion, pra kthehemi në makineri, në makth tek e themi. Nëse unë zgjohem të nesërmen pa rutinën time, pa shtëpi pasi ma shkatërroi “turku”, ç’ndodh me mua, me ty, me komshiun tim? “Ç’bo vaki n’komshi, prite n’shpi”, është një këshillë tipike që të kujton se bota osht e rrumbullakët.

Në një nga shkrimet e profesor Plasarit për ndryshimet e teatrin “La Scala”, unë, thjesht si lexuese, aspak historiane, u hasa me të papritura mbresëlënëse për këtë godinë që daton që nga 1778. Sipas profesorit, në këtë godinë njëherë e një kohë, kryesorët nuk kanë qenë as artistët, as repertori, por lozhat. Aty zhvillohej teatri. Ambientet e tyre ishin kthyer në vende kumari, shahu, deri në (scopatoio) q…rtore. Kapriçot dhe inatet herë të aristokracisë me titujt, ndere, diploma, por tashmë pa para. Ndërsa pala tjetër, borgjezia e re, kishte pushtetin ekonomik, por mediokër në shije e shumë të tjera. Sipas shpjegimeve të kohës, në lozhat e dekoruara sipas estetikës personale, pijet alkoolike dhe duhani ishin normale, ashtu si edhe shumë vese të shoqërisë së re në pushtet. Pra, edhe “La scala” ka patur ditë të errëta në historikun e largët të saj, por edhe mbrojtës që nuk e lejuan. Jo se nuk ka politikanë banditë në Itali, vijon prof. Plasari, por në një shoqëri të ndjeshme si ajo milaneze, nuk ua mban, jo të ngrenë kazmën, por as dorën, se ua presin. Sot, me të gjitha këto paradokse që kanë ndodhur me atë mrekulli krenuese, e shohim, të rikonstruktuar, rinovuar, restauruar dhe më të bukur se kurrë.

Banditët politikanë nuk mundën ta prekin. Në krye të herës ajo sallë ndriçohej me qirinj dhe llamba vaji. Ndoshta kjo tymnajë bezdiste si këngëtarët, ashtu edhe aristokracinë prezente. Ajo godinë u përshtat duke u rikonstruktuar jo vetëm për të sjellë risinë e ndriçimit, por edhe autoritetin e repertorit. Midis shumë restaurimeve, ai i fundit është realizuar në vitin 2014. A është dëgjuar ndonjëherë që e vjetra e vitit 1700 të trajtohej si turp, përveçse me nder e lartësim?!

Historia jonë modeste 100-vjeçare na bën që të duam të jemi shumë herë më të kujdesshëm me të shkuarën, jo më barbarë ndaj saj. Nëse s’do të kishim kujtesë, do të qe njësoj sikur bota të mos ishte më kjo që ne realisht shohim dhe përjetojmë. Shkatërrimet në emër të “zhvillimit” janë të një tipi dhe motivimi tjetër. Po pse ne kemi këtë raport me të shkuarën? Sepse, ne nuk duam ta kujtojmë atë, ndaj e shkatërrojmë, thotë Plasari. Unë dua ta kujtoj, po ti?

Po a mund të jetë kopja më e bukur se origjinali?! Ne të brezit tim, gjetëm një qytet të trashëguar me hallet e post-diktaturës duke u lënë fëmijëve tanë një kuplara diktaturo-“moderniste”. Unë realisht nuk e di se si ta definoj urbanistikën e qytetit tim sot; o Zot po nesër? Nuk kuptoj militantët që flasin me patos për të renë dhe zhvillimin në këtë gjendje që ndodhet qyteti ynë. Kam frikë të mendoj se askush nuk do t’ia dalë çmendurisë së këtij të marri bandit. Çfarë ka mbetur nga Tirana e viteve të Zogut, për të mos prekur epokat me radhë, për të mos tingëlluar si një shkrim moralist i “pakicës nostalgjike”.

Nëse Tirana do kish vijuar të ndiqte stilin e viteve kyç të zhvillimit të saj, ne sot do të kishim një pamje pak a shumë kështu. Ah sikur! Ah sikur arkitektët e shumtë italianë, që punuan për ndërtimin e qytetit që në 1925-26 deri rreth fundit të luftës së dytë, për atë që u quajt si “Pakti i Tiranës” të rivinin. Ishin një numër jo i vogël emrash të fushës së arkitekturës dhe studiuesish që hartuan dhe punuan fort për këtë që sot po baltoset e shihet me synimin “çfarë të kapim”.

Për ndërtesën e re të “teatrit ç’i panë sytë”, patëm vetëm një emër. Po sikur të rivinin hamamet, banjat e kohës, pazari i harkuar i periudhës së mbretit Zog. Po sikur zona e kujtesës historike (e gjallë dhe e vdekur) të rritej e të rritej deri sa qyteti të kthehej në një version të vjetër me stilin unik të traditës sonë, a nuk do të qe mahnitëse? Po sikur të shihnim dyqane, pedonale, “Bar Kursal”, qeleshebërës, salepbërës, duhan-bërës, jorgan-punues artizanë, xhublet-prodhues, velenxa-shitës. Sa do të doja të shihja si dekor të qytetit jo huazime të kohëve “moderne” të hedhura aty-këtu arnueshëm, por kukulla e dekore të periudhave të caktuara të jetëve shqiptare, të cilat ne nuk kemi mundur t’i prekim e shohim kurrë.

Sofrat, stolat, nallanet, lojërat, rikthimet e koshit të katnarit, apo shumë e shumë të tjera. Ata që e duan historinë, kanë shumë për të thënë e dhënë; nëse i dëgjojnë dhe ka mençuri. Sa do të doja të rivinin zanatçinjtë e hekurit, të qerpiçës, të ridimensioneve kulturore të së shkuarës; jo siç bënë me Teatrin Kombëtar, dhimbja e fundit tiranase dhe kombëtare, ku popullit iu trumbetuan si element turpi për këtë teatër dhe mburrje për atë të operas së sapo përfunduar turpshëm.

Sa do të doja të prekja mesjetën e pas-mesjetën kombëtare, autentiken, në versionin e ditëve tona, siç bëjnë kur e komercionalizojnë në ambientet e bizneseve personale. Le të rivijnë furrat e dikurshme, vendet ku lidheshin kuaj-gomerët për ditën e pazarit; Le të rijetësohet godina e Parlamentin, kthyer në Teatër Kukullash, që shpejt pret ekzekutimin si shoqet e saj të kthyera në gërmadhë. Me sytë e mendjes sime këtë Tiranë do ta vizitonin shumë më shumë se mjaftueshëm vende të tjera evropiane.

Gjatë ciklit tonë jetik, braktisemi e braktisim shumë fenomene dhe njerëz, përfshirë këtu edhe të dashurit tanë; Të shkuarën ama kurrë. Ashtu siç ndodh me njeriun, kur e kaplon skleroza, mendja mban të gjallë pikërisht të shkuarën; atë copëz nuk e prek dot. Sikur Tirana ime, e juaja dhe e atyre që do të vijnë, të kish patur fatin të drejtohej nga mendje që e çmojnë historinë, të vjetrën, memorien, e cila të gjithëve na dorëzon pa kushte, do të ishim edhe ne një qytet magjik i shtuar në botë.

Tashmë Tirana, ashtu si shumë zona të tjera të shkatërruara, zvetënuara, betonizuara, duket se nuk ka më kthim pas. Jam e sigurt se ekzekutorët me gjithë sytë, veshët, e gojën e mbyllur, janë ndjerë e ndihen keq në këtë masakër. Them kështu pasi ata e dinë mirë se ekzistojnë edhe realitete të tilla suksesi. Tafmaja i ka demonizuar shumë prej atyre që u është dhënë pushteti. Rikviri në Francë si dhe e gjithë zona e Alzasit do të mbetet aty për shumë gjenerata e shekuj të tjerë.

Ajo tashmë është një realitet përrallor nga më të vizituarit nga e gjithë bota, pikërisht për këtë mesjeticitet të trashëguar me krenari. Për t’iu rikthyer Italisë, si vendi fqinj që respekton sheshet historike, traditën dhe vijon të jetë njësoj si dikur, pse ne jo?! Faji bie detyrimisht mbi ne që e jetojmë sfidën e bulizuesit duke heshtur.

Një i marrë hedh një gur në pus, njëqind të mençur s`e nxjerrin dot. Jemi ne “të paktët” që duhet të bashkojmë mendjet tona kundra kuçedrës shkatërruese. Ne që pamë se si u shemb teatri, kinematë, ne që po shohim se si po demonizohet gjithçka me dhunë dhe blerje varfërore. Mjaft pamë. Folëm, por u trajtuam si pakicë. Një “pakicë” është edhe parlamenti; “pakicë” janë edhe akademikët, pakicë janë edhe shkencëtarët, “pakicë” janë edhe aktorët, liderët, mjekët, arsimtarët.

Ja që pakica qenka shumicë, por një shumicë e kanalizuar në shumë drejtime që i paudhi i pacipë, i ka terrorizuar me diktatin e dhunës. Një lider që nuk e kam parë kurrë të qeshë, të komunikojë apo të diskutojë përulësisht se si mund të jetë ende aty. Një lider që vazhdimisht thotë “s’keni parë gjë akoma”, e më pas realizon thagmën e radhës, nuk e kuptoj se çfarë i duhet më këtij vendi. Ky është Sfinksi ynë, që shpejt shpresoj t’i shohim fundin; Mjaft pamë e dëgjuam.

Intelektualë kokulur dhe ju që e doni këtë vend duke respektuar të shkuarën, bëni diçka të re në emër të traditës që po vdes; Por, edhe ju që koka ju është zënë me derë nga i marri, mos vijoni të bëni më lojën e tij, pasi të parët që e ndiejnë dhe do vijojnë ta paguajnë këtë zinxhir makabriteti, jeni ju dhe të dashurit tuaj. Asnjë “pakicë” nuk e meriton më këtë “shumicë” babëzie.

Bulisti do vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë që ka bërë gjithmonë, sepse ai vetëm atë njeh. Ne e pamë si është dhe e parashikojmë se ç’do të bëjë. E vetmja mënyrë për ta luftuar atë është të mos e luftojmë, por të iniciojmë një ideologji të re qeverisjeje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat