Më trego, atdhe.. - Bota Sot
Më trego, atdhe..

Kultura

Më trego, atdhe..

Nga: Zymer Mehani Më: 5 qershor 2020 Në ora: 08:47
Zymer Mehani

-Atdhe, trazimin tim a do të ma kuptosh?
Ne, a nuk jemi sot shpella të zbrazëta?
Po edhe ky shekull mos është njerka jote?
Vallë mos dhe kësaj here po i bëjmë “komplot” kësaj bote?
-Atdhe, a nuk e paguam me gjak këtë liri?
A mos u lindëm herët a ndoshta jemi vonuar?
Oh, mos ma dëgjo zërin tim se jam i dëshpëruar!

-Më trego, atdhe pse s’je i bashkuar?!....
Pse, atdhe dhe sot më je me sy të trishtuar?
-Edhe unë besova
Edhe unë lëngova
Por kurrë s’u dëshpërova
Nëpër flakë vrapova
Gjatë shekujsh t’neveritur
Por n’liri besova
U ktheva i kalitur.
Unë e di çfarë është pikëllimi dhe plaga
Unë e di çfarë është padrejtësia dhe ndarja
Por s’e di Evropa ç’është turpi a marrja!
Humbur e kam hapin n’rresht t’pafund t’ marshimit
Se m’pat  shkelur gjatë këmba e romanit, e latinit
Mandej edhe e turkut dhe e këtij katilit
Që u zhdorgj nga Karpatet n’truall t’Ilirikut
E prej rreshtit kam dalë ta kuptoj drejtimin.
Shekujt brutalisht janë lëshuar mbi mua
Në ballin tim kanë gdhendur, kanë pështyrë e damkuar

Por gjithmonë pata yje në qiellin tim të trazuar
Mirëpo besimi të mos nxitohet
Sepse Ribashkimi do të realizohet!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat