Në fshatin Verban të Bujanocit jeton vetëm një familje - Bota Sot
Në fshatin Verban të Bujanocit jeton vetëm një familje

Kultura

Në fshatin Verban të Bujanocit jeton vetëm një familje

Nga: Rilind Koleci dhe Sadri Rexhepi Më: 4 korrik 2020 Në ora: 13:47
Sadri Rexhepi

Monografia me titull VERBANI (Fshat i boshatisur) vatër e patriotizmit e autorit Prof.Dr.Musa Limani tani ka hyrë në vargun e monografive që po botohen edhe nga autorë të ndryshëm për vendbanime të ndryshme. Dhe vazhdimisht me këtë lloj krijimtarie që mund të themi se është me leverdi historike dhe dokumentare me vlera të rëndësishme për aktualitetin dhe ardhmërinë kombëtare në përgjithësi dhe për Bujanocin dhe Verbanin në veçanti. Dihet se autori i librit Prof.Dr.Musa Limani është njëri ndër ekonomistet më të mirë shqiptar këndej e andej kufirit, por ai duke pasur dashuri dhe përgjegjësi të madhe për vendlinjen e tij të dashur iu rrek kësaj pune të lodhshme e të mundimshme por me sukses arrriti të ndriqojë një të kaluar të vendlindjës së tij. Kjo monografi ka 313 faqe dhe është e pasur me fotografi të bollshme, që është punuar nga nje banor i këtij fshati Prof.Dr. Musa Limani. Kujtimi për vendlindjen e tij të dashur, shkollën ku i kishte marrë mësimet fillestare për moshatarët e klasës, për mësimdhënësit e shkollës. Së këndejmi, më përkushtim të thellë i hyri përshkrimit të rrethanave historike që nga themelimi i Verbanit e deri me sot jo vetëm si entuziastë por edhe si profesionistë në fushën e publicistikës historike e dokumentare. Për të shkruar për Verbanin autorit iu ka dashur të gjurmojë mbi te kaluarën, prandaj materialin e mbledhur dhe të studiuar e ka shtruar shumë mirë në menyrë kronologjike duke përfshirë intervalin kohor që nga themelimi i fshatit e deri në ditët e sotit. Së kendejmi, si bazë kryesore për hartimin e kësaj monografie autori ka shfrytzuar burimet arkivore, të cilat iu afruan aspekte të përgjithshme të zhvillimit që nga themelimi e deri me sot, me theks të veçantë mbi pozitën gjeografike dhe popullsinë e fshatit, gjeneza dhe minitoponimet, veprimtarinë ekonomike të banorëve të fshatit etj. Gjithashtu përveç materialit arkivor Musa Limani ndihmesë kishte edhe kujtesën e vet, të prindërve të vet dhe bashkëfshatarëve të fshatit Verban. Autori flet edhe për lëvizjet kaçake të shqiptarëve si dhe për grupet balliste të Verbanit si forma të rezistencës kundër pushtuesve të huaj. Këto grupe të rezistencës vazhdimisht kritikonin padrejtësitë që i beheshin popullit shqiptar vendas karshi kolonistëve serb që kishin ardhur në Verban nga qytetet e ndryshme të Serbisë. Autori jep veç tjerash edhe një pasqyrë të zhvillimit të arsimit si për nga mosha edhe nga gjinia prej shkollës fillore e deri tek doktor shkencash.

Musa Limani flet edhe për të burgosurit politik të cilët u dergjen nëpër burgjet serbosllave dhe të cilët përjetuan turtura të ndryshme si gjatë hetimeve po ashtu edhe gjatë gjithë kohës së vajtjes së denimit. Dhe këta të burgosur politik edhe pas daljes së tyre nga burgu shantazhoheshin në menyra të ndryshme dhe ata ose duhet të merren gjatë gjithë jetës me bujqsi apo tregti ose duhet të emigronin nga vendlindja e tyre e dashur në ndonji qytet të Kosovës apo në ndonjë shtet të Evropës.Por bie në sy rrëfimi dronditës individual dhe familjar i Bejadin Raif Hasanit i cili në rrugën e lirisë kishte përjetuar tortura të shumta e të rënda, rrugë e larë me gjak në disa breza duke filluar nga gjyshi Veseli, daja Halili, vëllau Ymeri etj. Behajdini ishte rigjykuar tri katër here dhe i turturuar vazhdimisht në menyra të ndryshme më barbare gjithnji nën kërcnimin për vrasjen e tij. Dhe po të degjosh sot rrëfimet e tij nuk ka se si të mos rreqethen flokët e të ndahen nga koka drejt qiellit të hapur e të largët, për turturat, fyerjet, sharjet që i beheshin nga prokurori shqipfolës Ekrem Islami të cilin ai dhe gjithë intelegjenca e Kosovës Lindore e quante famëkeqi Ekrem Islami. Djaloshi sypatrembur, Behajdini edhe pse në atë kohë ishte i mitur,në rigjykimet e njëpasnjishme para trupit gjykues dhe përball prokurorit famëkeq Ekrem Islamit fliste trimërisht dhe asgje nuk i mungonte nga anëtarët e grupit edhepse ata ishin me të vjetër se ai. Behajdini i martirizuar edhe pse pas çdo rigjykimi maltretohej barbarisht, ai vazhdimisht mbante qëndrim burri dhe qëndresa e tij paraqiste shëmbullin me të mirë të këtij ylli madheshtor shqiptar dhe të krenarisë shqiptare në Kosovën Lindore. Edhe të burgosurit e tjerë të Kosovës Lindore pohojnë se prokurori famëkeq Ekrem Islami ishte rritur dhe frymëzuar në kuzhinat e nëntokës së Beogradit për shkatërrimin e intelegjences shqiptare në Kosovën Lindore. Anëtarët e familjes së Ekrem Islamit i gëzonin të gjitha të mirat e pushtetit monist komunisto jugosllav si në Kosovën Lindore e poashtu edhe në Republikën e Kosovës sepse vëllai i tij Hivzi Islami për dy-tri mandate ishte kryetar i Akademisë së SHkencave dhe Arteve të Kosovës, (ASHAK-ut). Ngjajshëm kishin vepruar edhe Rama e Hamdi Daci vëllazërit e Akademik Nexhat Dacit i cili gjithashtu ishte kryetar i ASHAK-ut, me deklaratat e rrejshme te të cilëve mësuesi dhe veprimtari i çështjes kombëtare madheshtori Fehmi Salihu nga Prelepnica e Gjilanit jo vetëm që kishte humbur vendin e punës por edhe ishte dënuar nga Gjykata e Vranjës me tre vjet e gjysmë burg. Që të dytë kishin fituar privilegje të shumta nga qeveria serbe e atëhershme.Deklarata të rrejshme kundër Fehmi Salihut kishte dhënë edhe Avni Çerovina bashkë me disa shokë. Tani është koha dhe do të duhej që të pasonte kërkesa e drejtë e qytetarëve të Republikës së Kosovës për hartimin e projektligjit të lustracionit dhe miratimin e këtij ligji në Kuvendin e Kosovës me qëllim që servilët dhe puthadorët e ish shtetit jugosllav e serb, të marrin atë që u takon për të bëmat e tyre të dëmshme për kombin. Kështu, me këtë ligj dhe zbatimin e tij, ata që kanë diferencuar shqiptarët, përkatësisht kolegët e tyre, të mos barazohen sot me atdhetarët që kanë vuajtur nëpër burgje dhe kazamatet serbosllave. Prandaj, me ligjin për lustracionin mos të lejohet barazimi midis krimit dhe martirizimit, servilëve dhe atyre që kanë sakrifikuar, me të vetmin qëllim që të ndëshkohen diferencuesit, përkatësisht ata “që i kanë marrë në qafë njerëzit”, duke i qitur prej punës dhe duke i burgosur. Kështu ky ligj vlen edhe për diferencuesit e pasluftës, të cilët pa asnjë arsye i kanë larguar njerëzit prej punës ose u kanë bërë të këqija të tjera në bazë të përkatësisë partiake. Së këndejmi, diferencuesit kokulur e me ndërgjegje të thyer para familjes e kombit duhet t’i kërkojnë falje për së vdekuri Fehmi Salihut dhe pasardhësve të tij për së gjalli.

Në vitet e 90-ta Lëvizja Gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve u përhap edhe në Kosovën Lindore ku barrën kryesore në këtë trevë e mbante anëtari i Këshillit Qëndror dhe i Kryesisë së LGJPGJ Prof.Dr.Musa Limani në bashkëpunim me aktivistët e këshillave rajonale të atij regjioni.Unë si veprimtar i vullnetshëm i LGJPGJ dhe anëtar i Këshillit Qëndror të LGJPGJ i njoh mirë rrethanat dhe rrugën nëpër të cilen u zhvillua e di se kontributin më të madh e kanë dhënë anëtarët e kryesisë së Këshllit Qëndror si dhe Akademik Musa Limani është njëri ndër përfaqsuesit kryesor të Lëvizjes Gjithëpopullore të Pajtimit të Gjaqeve pas Anton Cettes perkrah Zekeria Canes, Mujë Rugovës, Muhamet Pirraku, Hoxhë Idriz Kakrrukut, Sami Pejës dhe kjo është arsyeja pse aq shumë Musa Limanin e donte dhe e çmonte korifeu i LGJPGJ- së, Anton Çetta.

Prof. Dr. Musa Limani flet edhe për angazhimet e popullatës së atij regjioni, të cilët ishin të angazhuar në radhët e UÇPMB-së e ndihmuar edhe nga shqiptarët e pjesës tjetër të atdheut në luftën e fundit shqiptaro- serbe, në rrugën e çlirimit drejt lirisë. Mjerisht, kjo rrugë nuk shkoi deri në fund e një pjesë të fajit e ka edhe faktori ndërkombëtar. Fshatrat shqiptare në Kosovën Lindore dita ditës po zbrazen gjithnjë e më shumë. Ato po thuaj kanë mbetur në mëshirën e fatit, sepse mungon përkujdesja institucionale që shqiptarët të mund të jetojnë me dinjitet dhe me kushte elementare të jetesës në trojet e veta etnike. Kushtet e rënda ekonomike janë faktori kryesor, por edhe shumë elemente të tjera, që kanë ndikuar që shumica e shqiptarëve të lëshojnë shtëpitë e tyre në kërkim të një jete më të mirë. Apo siç thotë populli ynë për një kafshatë bukë goje, për arsye se askush nuk ik prej së mires, por vetëm prej të keqes. Fshatra të tilla shqiptare të braktisura për fat të keq ka shumë. Në mesin e tyre bën pjesë edhe Verbani i Bujanocit, një vendbanim i vogël kodrinoro-malor i Komunës së Bujanocit, në largësi prej10 kilometrash nga Bujanoci, qytet i Kosovës Lindore. Deri atje shkohet rrugës tani të asfaltuar, me shumë kthesa. Po të hyjë njeriu për herë të parë në këtë fshat, do të jetë i mrekulluar me një peisazh të mahnitshëm. Por gjithë kjo bukuri natyrore, ndonëse ia dinin vlerën, nuk mjaftoi që banorët e këtij fshati të vazhdojnë të jetojnë këtu. Gati të gjithë banorët u shpërngulën me mendimin se jashtë vendlindjes do t’i presë “mrekullia”, por me dëshirën e madhe që një ditë përsëri do të kthehen në Verban, apo më mirë të themi në vendlindjen e tyre të dashur.Për raste të tilla kanë shkruar edhe poetët në krijimet e tyre letrare. Njëra ndër to është edhe kjo poezi.

OXHAQET NUK TYMOJNË MË

Në vend i bukur një fshat malor Ka mbetur i heshtur s’ka më banorë Të gjithë ikën perspektivë s’panë Jetën me ankth, frikë, mbijetesë, e lanë.

Nuk ka më banorë, gjallëri, as jetë Çdo gjë heshtur, shkret, ka mbetë Veç dy të moshuar, burrë e grua Veç ata të dy nuk kanë shkua.

Mëngjeset gdhijnë të heshtura Nuk dëgjohen as lehje qenësh As kënga e gjelit nuk dëgjohet më As kënga e bilbilit, as kënga e bariut.

As kënga e nënave për trimat As vaji i fëmijëve, as vaji i qyqeve Gardhiqet janë prishur e rrëzuar Oborret me barë janë mbuluar.

Pemët janë hidhëruar, bërë ferra Lajthiat, manat, plot manaferra Shkolla mes fshatit e mbyllur me dry Pyet ku janë të mirët nxënësit e mi?

Ç’u bë kështu me këtë fshat Pse mbeti pa banorët jetëgjatë Vendlindjen lanë, n’Kosovë kanë shkuar Të lirë, dinjitetshëm për të jetuar.

Shtëpitë e fshatit kthehuni, thrrasin Ejani, vendlindja ju pret krahëhapur Shtëpitë të gëzuara për ju rrijnë I gëzoni fëmijët, gëzoni ardhmërinë!

A.Pllana

Verbanasi i parë ishte një Mehmeti, i cili i kishte shtatë djemë, që sipas autorit, banorët e Verbanit janë një vëlla të një barku e të një gjaku e grupimi familjar i fshatit bëhet sipas vëllazërisë si vijon Hasanaj, Xhelaj, Demaj, Fazliaj, Isenaj dhe Agushaj në lagjën e poshtme dhe Islamaj në lagjën e epërme”. Së këndejmi, kjo tregon se secila lagje është emëruar në bazë të emrit të të parëve. Por bie në sy se tani një fshat i vogël siç është Verbani, t’i ketë 25 mbiemra, kjo tregon qartë se sa është bërë rritja e vëllazërive që nga Mehmeti e deri në ditët e sotme.

Vërbani para pesë dekadash kishte dyzetë shtëpi të banuara me afro 400 banorë, të cilat i mbaj mend edhe unë, thotë autori. Familja më e vogël ishte 5 anëtarëshe, ndërsa më e madhja 25 anëtarëshe. Jetesa mes shtatë vëllazërive të cekura më lartë, nuk ishte e lehtë. Tokë buke ku mbjellnin kryesisht grurë e misër dhe gjëra tjera ushqimore kishte pak. Nuk kishte rrugë të asfaltuar, madje as ujë për pije, as energji elektrike, as shumëçka tjetër për një kohë e kjo don të thotë një jetë me shumë halle e brenga. Blegtoria dhe bujqësia ishin veprimtaritë e vetme ekonomike. Megjithatë, vitet e skamjes banorët e këtushëm i mbajnë mend edhe për të mirë. Ajo që i mbante gjallë këta banorë gjithsesi ishte bashkëjetesa, harmonia, marrëveshja, respekti, dashuria e sinqertë dhe puna e përbashkët. Këto dhe virtyte të tjera të këtyre banorëve i bënin ata të fortë, qëndrestarë, besnikë, fisnikë, mikpritës e të ndershëm. Me një fjalë, ishin njerëz (burra, gra, fëmijë e pleq) të mirë. Kjo ishte një vlerë apo medalja më e lartë dhe më e rëndësishme e tyre e trashëguar me shekuj e cila mbijetoi bashkë me malet përreth. Kushdo që ka shtegtuar apo ka qëndruar në Verban, madje edhe për disa orë, i kanë vlerësuar banorët e këtushëm, doket dhe zakonet e tyre, që janë vlera të padiskutueshme që pak kush i ka, siç i kanë shqiptarët në përgjithësi.

Migrimi dhe emigrimi këtu dallon nga fshtatrat e tjera të Verbanit. Banorët nga aty më shumë u larguan pas viteve të ‘90-ta, duke i lënë shtëpitë bosh dhe arat djerrinë. Bukuritë natyrore të këtij fshati tash 20 vite po i gëzojnë vetëm dy banorë të mbetur nga familja Jahiu. Të tjerët kanë shkuar në Bujanoc, Kumanovë, Shkup, Kosovë dhe në vendet tjera të Evropës.

Vehbi Jahiu me bashkëshorten, janë banorët e vetëm të këtij fshati malor, të cilët jetojnë të vetmuar në shtëpinë e bukur të tij në qendër të fshatit, e cila dikur numëronte 25 anëtarë. Ai edhe pse si fëmijë ishte mësuar që familja e tij të kishte shumë miq, fqinj, të shkëmbenin biseda dhe të komnunikonin mes vete me njerëz në rrugë e të jetojnë pranë familjarëve të vet, tani dikush ka preferuar të jetë kryefamiljari i vetëm i shtëpisë së njohur të familjes Jahiu për norma të qëndrueshme morale e shoqërore, të cilat nuk u braktisën asnjëherë deri më tani, por përkundrazi po shtohen dhe vazhdohen nga brezi në brez.

“Në këtë fshat nuk jeton askush tjetër përveç familjes Jahiu. Jeta e këtyre dy bashkshortëve burrë e grua, të vetëm, nuk është e lehtë. Nuk ndihet kurrfarë gjallërie. S’ka zhurmë të njerëzve siç ishte përpara. Tani s’ka lojëra fëmijësh. Nuk ka as dasma, as kope bagëtish.…delesh. Ndodhë shpesh që në fshat për një muaj nuk takoj njeri përveç anëtarëve të familjes që vijnë për vizitë nga Bujanoci apo Kosova. Më duket sikur po na ha mali”, thotë Vehbiu. Shton se tani cilësia e jetesës është përmirësuar, mirëpo njerëzit janë larguar, e nuk e di se kur do të kthehen dhe a do të kthehen ndonjëherë. Ka frikë se edhe përkundër përmirësimit të pjesëshëm të jetesës që ka pësuar Vërbani, fshati është buzë mbetjes pa asnjë banor, për shkak të mospasjes së infrastrukturës bazë dhe mundësive për punësim, pasojë e mungesësë së perspektivës për banorët e tij. E këtyre banorëve u duhet uji i pijshëm, rruga e asfaltuar, transporti i organizuar, vendet e punës.

Duke analizuar veprën përms rreshtave në tërësi, kam ardhur në përfundim se shteti serb heret ka planifikuar për zbrazjen e këtyre vendbanimeve përmes formave të ndryshme të presionit, shantazhimit, shpifjeve, burgosjeve, rrahjeve, etj., nga ana e shtetit serbë, i cili e ka planifikuar zhdukjen e popullit shqiptar me të vetmin qëllim që t’u merren tokat dhe territoret të gjithë poopujve që janë fqinj me shtetin serb. Planifikimi për zhdukjen e popullit shqiptar ka filluar që nga koha e vojvodës Millosh Obrenoviqit përmes strategjisë “Toka e djegur”, sepse si duket politika e padrejtë agresive, shoviniste, serbomadhe ndaj popullit shqiptar është e hershme dhe na bën me dije se Serbia ka ngritur doktrinë shtetërore për zhdukjen e popullit shqiptar. Këtë më së miri e vërteton fshati Verban, dikur vatër e patriotizmit dhe atdhetarizmit dhe fshat me plot gjallëri, me shumë banorë dhe shumë fëmijë, ku qëndronte edhe shkolla, e cila mjerisht tani ka mbetur e zbrazët, e mbyllur, pa asnjë nxënës, në të cilën shkollë me vite e dekada gumëzhinte numri i madh i nxënësve, të cilët me zërin e tyre të dashur dhe diturinë që zinin, kalonin nëpër dyert e shkollës me të vetmin qëllim për të fituar dituri, për një të ardhme më të ndritur dhe më me perspektivë të lartë educative arsimore, madje edhe kombëtare. Ndërkaq, sot ky fshat është i boshatisur dhe në te ka vetëm një shtëpi të banuar me dy banorë të moshuar, me një hero dhe një heroinë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat