Ngjyrat e qiellit - Bota Sot
Ngjyrat e qiellit

Kultura

Ngjyrat e qiellit

Nga: Anton Marku Më: 4 korrik 2020 Në ora: 21:51
Anton Marku

‘‘Shkrimtarët janë të fundit që heshtin’’ ishte thënia e cila mu kujtua në çastin kur një mik poet më mori në telefon në javën e fundit të marsit. Kishte dhjetë ditë që ishim futur në karantinë kolektive. Shteti po konfrontohej me armikun e padukshëm, i cili kishte vënë në pikëpyetje ekzistencën tonë dhe kishte treguar se sa të ndjeshme janë sistemet tona kur ballafaqohen me diçka që nuk e njohin. Pothuajse gjithçka ishte ndalur së funksionuari. Në qytet endeshin vetëm mantelbardhët dhe uniformat blu, kombinim ky i veçantë ngjyrash, thuajse qielli kishte zbritur në tokë për të na treguar se sa afër jemi me njëri-tjetrin, se sa pak e ndan jetën nga vdekja. 

Duke qene i vetëdijshëm se ajo që po ndodhte do të duhej të mos kalonte pa u dokumentuar nisa të mbaj ditar. 

Kisha bërë shumë plane për këtë pranverë: takime me miq, lexime para publikut e vizita të ekspozitave, e tash kur përnjëherë u ndal gjithçka më duhej të rishikoja dhe reduktoja axhendën time. Por, në tërë këtë histori kishte dhe diçka: frika. Frika se a do të ia dalim dhe nëse po si, me çfarë çmimi? Prognozat ishin jo shumë premtuese, përkundrazi, të errëta. Se dorëzat dhe maskat do të bëhen malli më i kërkuar, kjo do të ishte gjëja e fundit që do të më biente ndërmend. Sidoqoftë, tregu i zi funksiononte si dhe më parë dhe ata që ishin të interesuar gjenin mënyrën që të vinin tek ato. 

Izolimi ishte fjala që u nxorr nga bodrumi i fjalorit tonë dhe u bë e përdorshme si asnjëherë më parë. Për të mbyllurit në shtëpi u gjet një variancion më kreativ: vetizolim. Në këtë kohë të qetë, pa zhurmë dhe makina në rrugë mendja ime pësoi një rigjenerim të pashembullt: truri nisi të pësojë goditje kreative duke bërë që të jem më produktiv se asnjëherë më parë: ato që ai i prodhonte i hudhja në letër dhe ato ishin aq shumë saqë tërë këtë fazë e emërova ‘‘rrjedhja’’ pasi që shprehjet notonin nëpër mua si nëpër një oqean të qetë. 

Corona, një emër kaq i bukur, të sjellë kaq të këqija, këtë nuk do ta kishin paramenduar as parashikuesit më të mëdhenj të fatit. Edhe ajo gjeti vend në shkrimet e mia të kësaj periudhe dhe atë në formë të një letre të hapur ku i lutesha të mos na dojë kaq shumë, pasi që ne e urrenim gjithçka në të. 

Ajo çka më mungoi më së shumti gjatë kësaj kohe ishin njerëzit dhe kontakti me ta: shikimi në sy, lëvdatat, por edhe sharjet. Edhe ato më kanë munguar. E tëra kjo përforcoi edhe më shumë bindjen që kisha që më parë se njeriu ka nevojë për njeriun dhe se vetëm në bashkësi ai plotësohet. 

Një ditë bëra listen e personave të cilët do t’i thërrisja në telefon duke arritur që të flas nga distanca në të gjithë kontinentet edhe me të tillë që kishte vite që nuk i kisha parë. Me këtë u zgjerua gjeografia e botës sime edhe një herë. 

Duket se ata që iu gëzuan më së shumti gjendjes së krijuar ishin librat në biblotekën time dhe atë jo një por shumë të tillë që po prisnim tash e sa kohë që t’i marrë në duar. Më duhet ta pranoj se asnjëherë më parë nuk kam lexuar aq shumë. Dhe duket se nuk jam i vetmi.

Një tjetër risi ishte leximet virtuale të cilat u bënë hit duke bërë që krijuesit megjithatë të thonë fjalën e tyre edhe duke qenë të ngujuar mbrenda mureve të shtëpisë. Ky trend na bëri që të çmojme edhe më shumë kutitë që çuditërisht i quajmë kompjuterë. 

Nuk jam i sigurtë nëse tashmë mund të thuhet se kësaj radhe ia dolëm. Do të doja të ishte ashtu. Nëse po atëherë kjo do të ishte një shenjë më tepër se qielli ende nuk ka hequr dorë prej nesh. Ai është aty dhe na vëzhgon. E vëzhgoj dhe unë dhe vazhdoj t’i dua ngjyrat e tij. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat