Dokumentari “Hope” i Vjosa Abazit shpalosë historitë e katër grave heroina shqiptare

Kultura

Dokumentari “Hope” i Vjosa Abazit shpalosë historitë e katër grave heroina shqiptare

Më: 31 korrik 2020 Në ora: 18:56
Vjosa Abazi

Katër gra, katër histori të ndryshme me një fat të përbashkët, heroina që ndonëse të goditura si mos më keq nga fatkeqësia, mbajnë të freskëta rrëfimet e tyre. Nuk është historia e njëjtë ajo që i bashkon, por është shpresa që i mban të gjalla, ju jep kurajo dhe forcë për të vazhduar më tutje. Dokumentari “Hope” sjellë rrëfimet dhe përditshmërinë e këtyre katër grave, Hajries, Ferdonijes, Valintinës e Makfiretes, i bënë të gjalla dhe njëherë historitë që nuk duhet të kalohen në heshtje.

Ndonëse ishte ditë dimri dhe acari kishte filluar që të mbulonte rrugët, Janari i vitit 2017 kishte gjetur personazhet dhe ekipin e këtij dokumentari brenda mureve të Kalasë së Prizrenit. Siç e përshkruan Vjosa Abazi, regjisorja e këtij dokumentari, temperatura tashmë kishte kaluar nën zero gradë celsius. Xhirimet që filluan nga fundiviti i 2016-ës zgjatën diku rreth 3 vite për të përfunduar po në ftohtësinë e muajit të festave, Janarit të këtij viti.

Dokumentari “Hope” që përkthyer në gjuhën shqipe do të thotë “Shpresë”, do të ketë premierën në edicionin e 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të filmit “DOKUFEST”. Madje ky dokumentar tashmë ka arritur që në këtë festival të jetë në konkurrencë kombëtare.

Regjisorja e këtij dokumentari Vjosa Abazi, në një intervistë për KultPlus ka thënë se vendi jonë duhet të promovohet e të njihet nga vendet e tjera të botës nëpërmjet forcës së gruas shqiptare.

“Ne shohim shumë dokumentare të vendeve të ndryshme të botës të cilët promovojnë vendin e tyre, në forma të ndryshme. Edhe vendi ynë do të prezantohet përmes këtyre storieve dhe do të njihet edhe më shumë në vendet e botës e sidomos forca e gruas shqiptare”, ka deklaruar ajo.

Abazi thotë se jeta e personazheve të këtij dokumentari është e veçantë dhe nuk duhet të kaloj në heshtje, pasi që ne përmes tyre mësojmë për periudha të ndryshme të jetës në vendin tonë.

Ajo ka shtuar se do të ndjehej njeriu më i lumtur në botë në qoftë se dëshira dhe ëndrra e secilit personazh do të realizohet pas publikimit të këtij dokumentari. Por, sipas saj sikur gjërat në vendin tonë të funksionin siç duhet atëherë këto katër gra tashmë do të kishin një jetë më ndryshe.

“Do të isha njeriu më i lumtur në botë që dëshira e tyre të realizohet pas prezantimit të dokumentarit. Po të funksiononte çdo gjë mirë dhe me rregull në vendin tonë atyre deri më tani është dashur t’ju ndryshoj jeta”, ka shtuar Abazi.

Ndërkaq kur flet për suksesin e dokumentarit, Abazi deklaron se ajo dhe çdo person tjetër që ka punuar në këtë dokumentar e ka bërë me qëllim që të ndikojnë dhe të pëlqehet nga audienca, por gjithashtu dhe jurisë së festivalit.

Vjosa Abazi tregon se dokumentari “Hope”, festivalin ndërkombëtarë të filmit “DokuFest” e ka vetëm rrugë të fillimit, pasi që ky dokumentar do të udhëtoj edhe nëpër festivale tjera.

“Po besoj që dokumentari do të udhëtoj edhe në festivale të tjera, DokuFest-i është veç fillimi”, ka përfunduar intervistën kështu Abazi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat