Poezia e poetes Xhemile Aliu

Kultura

Poezia e poetes Xhemile Aliu

Nga: Zymer Mehani Më: 1 gusht 2020 Në ora: 08:15
Zymer Mehani, Xhemile Aliu

Disa nga përmbledhjet e poetes Xhemile Aliu janë:

“Ngjyrat e atdheut”
“Dhembje shpirti”
“Copëza jete”
“Kohë të përflakura”
“Qiell i trazuar”

Duke lexuar poezitë e poetes Xhemile Hoxha-Aliu, tek ne u nxit kërshëria e kërkimit, sepse kjo poete vargjet e veta i nisi në vorbullën e aventurave të gjata dhe krajatave të jetës, kundruall dallgëve, duke pasqyruar në artin e saj edhe shqetësimet që kjo dhe brezi i saj i përjetuan gjatë viteve ’90 të shekullit XX, kur si shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, edhe kësaj iu desh që t’i marrë rrugët e mërgimit.

Në botën e poezisë së poetes Xhemile Hoxha-Aliu gjejmë shtresa të shumta, ku përzihen kohët, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, dëshirat dhe shpresat, gëzimet e zhgënjimet, vetëdija e ndërdija. Pena e saj nuk ndalet vetëm me përshkrim, por stili i saj është edhe më i gjerë dhe më i thellë, e kështu vazhdimisht e ndryshon këndin e vështrimit të fenomeneve dhe dukurive, por intensiteti i interesimit mbetet prore i njëjtë, i pandryshueshëm për çdo dukuri dhe fenomen, për çdo subjekt dhe objekt, për çdo detaj e tërësi.

Në poezinë e Xhemile Aliut ëndrra e nxit fshehtësinë e vet, jeta zhytet në ëndërr.
Malli për atdheun dhe njerëzit e përshkon çdo varg të poezisë, që del origjinal e njerëzor, por vazhdimisht i zjarrtë, që e zgjon dhe e motivon për vargjet e saj vazhdimisht.

Thuhet se ëndërrimtarët janë vetë krijuesit, artistët, e edhe Xhemile Aliu si poete duke ëndërruar depërton në magjinë e fjalës artistike dhe të artit përgjithësisht. Ajo është gjurmuese, vizionare dhe krijuese e poezisë. Një poete e tillë me vargjet e saj shkel shtigje të reja dhe hap botëra të reja.

E tërë kjo ka qenë prezente qysh moti në poezinë tonë shqipe, por kjo që na dhuron Xhemile Aliu është krejt e veçantë.
Ne si lexues të rregullt të poezisë së poetes Xhemile Aliu, e çmojmë lart hapërimin e saj të lehtë në artin poetik kundruall dallgëve të mërgimit, pa e lënduar, por përkundrazi duke e pasuruar vargun poetik shqiptar përgjithësisht. Në poezitë e kësaj poeteje takuam shpirtin e trazuar, që nuk rehatohet, por që vazhdimisht gjurmon e kërkon. Poetja Aliu ia del që përmes vargut ta transformojë të kaluarën në të sotmen, e të sotmen në të ardhmen. Kjo me vetmohim ka hap rrugë të reja nëpër të cilat shtegton vargu i saj i shkruar. Krijimtaria e poetes Xhemile Aliu është origjinale dhe premtuese për të pushtuar hapësira të gjera në mozaikun e pasur të letërsisë sonë që po kultivohet në diasporë, por edhe këtu në atdhe.

“Dhembje shpirti”

Është me rëndësi të theksojmë se sikurse në vëllimin poetik “Ngjyrat e atdheut” të poetes Xhemile Aliu-Hoxha, edhe në përmbledhjen “Dhembje shpirti” vërehet mirë se dashuria për atdhe dhe malli për të prej mërgimtari janë burim frymëzimi dhe përjetimi, e që këto Poetja Aliu ia ka dalë që me sukses t’i mishërojë sa më mirë në poezitë e saj. Dhe vërejmë se, përgjithësisht, përthyerjet e realitetit në ndjenjat dhe mendimet e poetes, burojnë krejt natyrshëm prej pasqyrimit të aspekteve më të ndryshme të këtij realiteti.
Konstatojmë se rruga e zgjedhur e poetes Aliu është e përshtatshme me gjerësinë e temës dhe prirjes për të rrokur realitetin në mënyrë sa më shumëdimensionale.

“Copëza jete”

Xhemile Hoxha-Aliu edhe në vëllimin “Copëza jete” ka ditur të përzgjedh motivet, të cilat i ka trajtuar mjeshtrisht, saqë interesimi i lexuesit nuk fashitet as atëherë kur mbaron leximi.

Vëllimi poetik „Copëza jete„ i poetes Aliu është një tërësi tablosh të jetës, buruar nga krojet e saj më të thella, ngase aty e gjejmë atë shprehjen e gjallë natyrale dhe elastike, që na nxit për ta shijuar dhe përjetuar sa më autentikisht.
Poetja Aliu, vërehet shumë qartë se në vëllimin poetik „Copëza jete„ ka bërë përpjekje serioze prej krijueseje të denjë që të gjejë rrugë dhe mundësi të reja të krijimit poetik, ngase këtë e kërkon edhe vetë jeta.

“Kohë të përflakura”
Xhemile Hoxha-Aliu edhe në vëllimin poetik “Kohë të përflakura” na paraqitet me karakteristika të një poeteje të kultivuar dhe të kujdesshme, si një krijuese me një stil të vetin, të veçuar dhe interesant, ku përdor një gjuhë të bukur, të cilën ia del që ta shfrytëzojë artistikisht në përmasa të arsyeshme.

Kjo poete në këtë përmbledhje poezish shtjellon motive të ndryshme, por domonantë janë motivi i atdhedashurisë, i kurbetit dhe motivi i dashurisë (në kuptimin edhe intim, edhe më të gjerë), motive këto të marrura nga jeta dhe aktualiteti, që përkojnë me dinamizmin e jetës, me të cilat hasemi përditë.

Edhe në poezitë e kësaj përmbledhje vërejmë se poetja Xhemile Hoxha-Aliu i kushton kujdes të posaçëm vargut, e skalit dhe e shtjellon në tërësi harmonike. Matja e vargjeve me njësi të përkryeme metrike është element që e ka pasur parasysh autorja në krijimet e këtyre poezive, ngase e kupton se me të është i lidhur parimi kryesor i krijimtarisë poetike. Prandaj të gjitha këto elemente (motivet, ritmika, metri, rimat, gjuha etj.) që i hasim në këtë vëllim, na bindin se autorja Aliu di të krijojë sipas kërkesave teoriko-letrare.

Motivet dhe tematikat e poezive të Xhemile Hoxha-Aliut janë dëshmi gjeturie, ndërgjegjësimi dhe prirjeje poetike. Vërtet ato i ka trajtuar me një përkushtim të madh, duke i gdhendur vargjet, duke i dendësuar poezitë, duke e matë dhe rimatë çdo njësi të kësaj poezie. Meqë të gjitha këto elemente janë shtjelluar dhe janë shtrirë në një tërësi harmonike dhe kuptimplote, del rezultati i pritur se poezia e Aliut është ngritur në nivelin e kënaqshëm artistik.

Qysh në librin e parë me poezi lirike “Ngjyrat e atdheut”, poetja Xhemile Hoxha-Aliu paralajmëronte dhe na bënte me dije se ka dell për krijimtari dhe tanimë gjithnjë e më shumë është duke u afirmuar dhe puna e saj krijuese po jep frute për çdo ditë.
5
“Qiell i trazuar”

Menjëherë, posa të fillojmë të lexojmë poezitë e vëllimit “Qiell i trazuar”, që në fjalët, vargjet dhe poezitë e para do të vërejmë se këtë vëllim e përshkon malli për atdhe, që është edhe lajtmotiv i këtyre poezive.

Mendojmë se poetja Xhemile Hoxha-Aliu jo rastësisht e kultivon poezinë me motivin atdhetar dhe të kurbetit, për faktin se qysh si e re, nga rrethana dhe kushte aspak të përshtatshme për qytetarin tonë, e sidomos për intelektualin, siç ishte dhe Xhemilja, ajo detyrohet që pavullnetshëm të shtegtojë viseve të botës, me mallin për atdheun në gji, për të gjetë vendstrehim dhe mikpritje te populli bujar gjerman, në Gjermaninë e qytetëruar, ku prej një kohe të gjatë jeton dhe krijon.

Nga këto poezi ne informohemi për hollësira, madje edhe për asosh, që rëndomë merren si personale, siç janë p.sh malli për shtëpinë, për oborrin, pastaj për lulet, për arat, fushat e malet e vendlindjes së poetes, ku kuptohet zjarri i mallit të poetes, i shpjeguar thellësisht dhe hollësisht përmes vargëzimit.

Të gjitha këto lexuesi do t’i përjetojë gjatë leximit të vëllimit poetik „Qiell i trazuar„ të poetes Aliu, ku çdo varg, strofë e poezi përshkohet nga malli për atdhe, për vendlindjen, shtëpinë e oborrin, ku autorja hodhi hapat e parë në jetë, motiv ky që vërtet na dhuron emocione të forta edhe neve, që fatmirësisht jetojmë në atdhe dhe nuk e përjetuam jetën e mërgimtarit.
Xhemile Hoxha-Aliu edhe në këtë vëllim ka ditur të përzgjedh motivin dhe tematikat, që i ka trajtuar mjeshtrisht, saqë interesimi i lexuesit nuk fashitet as atëherë kur mbaron leximi.

Vëllimi poetik „Qiell i trazuar„ i poetes Aliu është një tërësi tablosh të jetës në kurbet, e ravijëzuar me mall e nostalgji për truallin e njerëzit e gjakut dhe për gjithçka që i përket atdheut, ngase autorja, tek ky mall që përvëlon e gjen burimin për të shprehurit e gjallë, plot eksplozivitet, elemente këto, që na nxisin për t’i lexuar dhe për t‘i shijuar, por edhe për t‘i përjetuar këto vargje të përflakura me mallin atdhetar sa më autentikisht.

Poetja Xhemile Hoxha-Aliu, vërehet shumë qartë se edhe në vëllimin poetik „Qiell i trazuar„ ka bërë përpjekje serioze prej krijueseje të denjë që të gjejë rrugë dhe mundësi të reja të krijimit poetik, ngase këtë e kërkon edhe vetë jeta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat