Takimi me nënën

Kultura

Takimi me nënën

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 10 gusht 2020 Në ora: 11:32
Kopertina e librit

Fshehurazi numëroja çdo orë derisa të mund ta takoja nënën time. Nga shtëpia dilja vetëm në raste ekstreme. Nuk doja, as të takoja dhe as të shikoja njeri. Kur vinte dikush për vizitë, nga fshati apo personeli i kuzhinës, me dëshirën më të madhe do ta nxirrja menjëherë jashtë. Më nervozonte sjellja e pakulturuar e mysafirëve. Askush nuk donte t’ia dinte nëse Zorani po flinte. Pa asnjë farë respekti, tymosnin cigaret dhe zhurmonin me bisedat e tyre me zë të lartë. Kjo më tërbonte. Për mua djali ishte e gjithë bota.

Nëna njoftohej tek gjyshe Staja sa herë që kishte mundësi të telefononte. Ishte shumë e merakosur për djalin tim, Zoranin. Sa i gjatë është dhe sa peshon? Si e ka ngjyrën e flokëve dhe të syve? Mjerisht, unë nuk kisha telefon dore dhe nuk lidhesha dot direkt me prindërit e mi. Bisedat më nënën time ishin majat më të larta për mua. Ne mund të takohemi në një zonë të mbrojtur, në Banja Lluka, tha nëna. Për këtë, Ratko, duhej të merrte para borxh. Ajo do t’ia kthente atij më vonë. Afërsisht dy ditë përpara se të takoheshim, nëna më telefonoi përsëri: «Po pres me padurimin më të madh sa të takohemi!» Unë heshta.

07. 10. 1996

Kam dëgjuar për korridorin e mbrojtur në Banja Lluka dhe, Dara më ka treguar se si Leila mund të futet aty. Leila më tha se Ratko është dakort. Në të vërtetë, ata nuk kishin para. I telefonova vëllait tim në Zagreb. Gruaja e tij ia dha Daras 150 DM. Dara, Goran dhe unë do të presim në koridor, pavarësisht se çfarë do të ndodhë. Jemi marrë vesh që të takohemi atje me daten 08. 10. 1996. Nga ditari i nënës

«Mos shko, djali im! Myslimanët do të të vrasin», kakariste vjehrra kur e mori vesh takimin tonë. Ajo më fyente mua me fjalën «balinkusha». Fillova të mos i merrja aspak seriozisht sjelljet e saj dhe as të të tjerëve. Mendimet e mia ishin tek nëna ime. Për disa ditë nuk flija dot nga emocionet. Më dukej sikur më kishin pushtuar milingonat.

Lexo edhe: Masakra e kroatëve të maskuar

«Dua ta marr Zoranin me vete», ia bëra unë Ratkos të qartë. As që mund të bëhej një gjë e tillë. «Udhëtimi ishte i gjatë dhe Zorani shumë i vogël për ta përballuar », vendosi ai. Për arsye të atyre argumenteve të holla, u tërbova unë. Koha e udhëtimit për në korridor nuk zgjaste më shumë se një orë. Dhe për mua ishte e pamundur që unë të ndahesha nga djali, qoftë dhe për një minutë të vetme. E vërteta ishte se Ratko, kishte frikë se unë, bashkë me djalin, kur të takoheshim me prindërit, do t’ia mbathnim dhe nuk do të na shihte më. Një gjë të tille unë as që e kisha menduar. «Nëse Zorani nuk guxon të udhëtojë me ne, athere edhe unë nuk vi», thashë unë fjalën e fundit. « Çfarë, ti nuk don ta takosh nënën tënde?», pyeti Ratko i shtangur. Si duke u lutur pyeta unë: «Ku ta lë djalin? Mos vallë duhet t’ia lë nënës tënde?» Meqënëse Ratko i qëndronte fort mendimit të tij, u morëm vesh që Zoranin ta linim te Mira.

Për udhëtimin kishim marrë borxh 300 DM. Borxhliu na dha edhe veturën e vet. Ratko nuk donte ta ngiste vetë makinën. Ndoshta ishte shumë i tensionuar. Ndoshta edhe për faktin se donte të kishte përforcime të mjaftueshme gjatë rrugës. Prandaj u bëmë katër, shoferi, një fqinj, Ratko dhe unë.

08. 10. 1996 : U nisëm ne orën 07. Gjatë gjithë udhëtimit unë heshta. Po mërdhija. Gorani dhe shoferi flisnin me njëri-itjetrin. Megjithëse e tymosi duhanin pa pushim, nuk e ndeza fare. Më kishte pushtuar një ndjenjë sikur nuk do të arrinim kurrë te vendi. Më dukej si një pafundësi. Nuk e di fare se në cilën rrugë udhëtuam. Asnjë mendim nuk e çoja dot deri në fund. Të gjitha më ishin bërë lëmsh në kokë. Nga ditari i nënës

Diku në Banja Lluka, gjendej korridori, njëzet kilometra i gjatë. E quanin edhe «Little Arizona» (Arizona e Vogël) për faktin se ndodhej nën kontrollin e amerikanëve. Hamendësisht ishte një zonë e sigurt edhe për kontrabandistët. Makina jonë qëndroi në një rradhë të gjatë makinash. Qindra njerëz kalonin afër nesh. «Atje prapa janë myslimanët. Ata do të na vrasin», u ankua shoferi. Nuk guxonte të ecte asnjë metër përpara. «Ah, hajde! Do të zbresim dhe të ecim në këmbë, rrugës poshtë», më tha Ratko.

08. 10. 1996

Zbritëm nga makina dhe ecëm në këmbë mes turmës së njerëzve. Vetëm nxitoja. Nga ditari i nënës

Shpresëhumbur kërkoja në turmën e madhe të njerëzve një fytyrë të njohur. Nga tensioni më dhimbnin sytë. Menjëherë njoha Goranin. M’u rrënqeth trupi. Në të njëjtin moment edhe njerku me njohu mua. Duke qarë me të madhe u hodhëm në krahët e njëri-tjetrit. «Ku është nëna?», pyeta unë dhe u shkëputa menjëherë nga krahët e tij. Gjysmë metri pas tij, qëndronte ajo. Nuk do ta kisha njohur. Kurrë nuk do ta kisha besuar se ajo grua ishte nëna ime. Ishte bërë kockë e lëkurë, dukej e sëmurë dhe flokët i kishte lyer bjond. Më parë ajo kishte flokë të gjatë dhe të zeza, si unë. Do t’i kisha kaluar pranë si një të panjohure. Edhe unë për atë nuk u duka ndryshe.

08. 10. 1996

Atje pashë një grua të re, e cila na u drejtua ne por, nuk i vura rëndësi. Vetëm po nxitoja se doja të arrija diku. Në atë moment thirri Gorani: «Ja ku është Leca jonë!» Ishte ajo gruaja e re, të cilës unë nuk i kushtova vëmendje. Si e goditur me elektroshok, ngriva në këmbë. M’u morën mendtë. Gorani më mbajti fort. Leila m’u hodh në gjoks. U përqafuam fort. Nga ditari i nënës

Më shikonte me sytë të shqyer. U rrokëm fort me njëra-tjetrën. Më dukej se po më binte të fikët. Pastaj qamë, qamë, qamë të dyja.

Me shumë kujdes, nëna më shtyu pak nga vetja. «Je vërtetë ti, Leila?», pëshpëriti ajo. Dora e saj preku shenjën e një plage të vjetër operacioni në qafën time. Pasi ajo nuk po ndiehej në ekulibër, tha: «Hajde të ulemi diku!» Më mori përdore dhe më tërhoqi mes turmës së njërëzve. Ndieja vetëm dorën e saj që, me tërhiqte dhe asgjë tjetër. Ratkon e kisha harruar komplet.

08. 10. 1996

Vajza ime ishte një grusht njeri prej kockash dhe lëkure, asgjë më shumë. E shikoja Leilën drejt në sy, i fërkoja flokët dhe kërkoja shenjat e plagve të saj. Ne nuk qanim. Lotët rridhnin vetë. Kur m’i ngulte sytë, më dukej sikur ata tregonin vetëm frikë. E kapa Leilën për dore dhe e tërhoqa mënjanë. E pyeta menjëherë se me kë kishte ardhur. Ajo tha: «Me këtë burrë», dhe m’a tregoi me dorë, pa ia përmendur emrin. Nga ditari i nënës

Në mesin e vendit të askujt, ushtarët, kishin ndërtuar një kafene. Ishte një barakë me dërrasa. Çatia ishte një mbulesë najloni. Aty ishin edhe klientë të tjerë. Një re tymi duhani ishte ajri që thithnin njerëzit aty brenda. U ulëm dhe nëna vazhdonte të më fërkonte flokët. Kur gjeti rastin më tha: «Ratko është ky?» Unë pohova me kokë. Me mirënjohjen më të madhe e falënderoi si shpëtimtarin tim.

08. 10. 1996

U ulëm dhe filluam të flisnim. Kishim aq shumë për të folur… E mblodha veten dhe u mundova të sillesha sa më normal. Nga ditari i nënës

Ratko, nga ana tjetër mundohej të sqaronte se ne, na kishte bashkuar dashuria. Nëna, me padurim, kthehej nga unë. Nga çanta e saj nxori fotografitë e vëllezërve të mi. Flisnim për të gjitha të mundshmet por, pë thënë asgjë të rëndësishme. Herë pas here na ndërpritej biseda nga lotët që na rridhnin. Nuk nxirrnim dot asnjë fjalë. Rreth meje dikush shtynte karriget. Njerëzit aty brenda dukeshin të trazuar. Megjithatë, unë nuk po merrja asgjë seriozisht aty. Isha përqëndruar vetëm në sytë e nënës. Gorani na ndërpreu: «Na duhet të shkojmë!» Më pushtoi një ndjenjë paniku. «Kjo nuk bëhet!» Sapo kishte kaluar një çerek ore. Në të vërtetë ne kishim kaluar katër orë bashkë, me duar të shtrënguara. Për arsye të sigurisë dhe rrugës së keqe, duhej të niseshim me ditë.

Nëna dhe Gorani na shoqëruan një copë rruge. Për herë të fundit u përqafuam me lot. «Do të shihemi së shpejti», më ngushëlloi nëna. Para se të largohej, i futi shoferit tonë frikacak, dy çanta të mëdha në dorë. Hypëm në makinë. Dyert u mbyllën. Ktheva kokëm nga pas dhe, ia bëra me dorë. Doja ta shikoja aq sa të ishte e mundur. U zhduk shumë shpejt. Me shpejtësinë e blicit më erdhi në kokë ideja që, të hidhesha nga makina. Më mbajti vetëm dashuria për djalin. Zorani ma shpëtoi jetën.

08. 10. 1996

Kur u ndamë nga njëra-tjetra, Leila qau shumë. U trondit shumë nga ndarja me ne. Ajo u nis për në anën serbe dhe, ne për në anën tjetër. Unë nuk qaja dot. Isha bosh. Nuk kam më as shpirt, as zemër dhe as të përbrëndshme. Hypëm në makinë dhe u nisëm për rikthim. Nuk mërdhija më… Vetëm fotografitë, të cilat m’i dha Leila, ishin prova se unë u takova me vajzën time. Heshta gjatë dhe nuk e dija më, pse e kisha menduar. Nga ditari i nënes

Gjatë gjithë udhëtimit më pushtoi ngërçi i të uluriturit. Kur arritëm në shtëpi, fillova të qaja përsëri. E kisha humbur fare. Nuk nxirrja dot asnjë fjalë nga goja. Jam një njeri, i cili mund të heshtë për njëqind vjet. Nuk do të më prishte punë fare. Me shumë dashuri, Ratko, mundohej të më qetësonte. Por unë nuk doja ta shihja me sy. Doja të shkoja në shtëpinë time. Një zë i brendshëm më thërriste: «Qetësohu, Leila! Ti duhet të kërkosh mundësinë që, bashkë me Zoranin, të zhdukesh prej këndej».

Për planet e mia, nuk doja të flisja me Ratkon. E shikoja si një roje burgu. Zgjati tetë muaj derisa ai më la të ikja.

Koha ecte me shpejtësinë e kërmillit. Falë dhuratave të nënës, nuk ishim më dhe aq keq. Këmisha për Zoranin, peshqirë, kozmetikë, të gjitha i kishte paketuar për ne. Isha e lumtur për ato dhurata. Megjithatë, që nga momenti i takimit, nuk pushoja dot së qari. Gjithnjë e më shumë zhytesha në brëngen time. Nëse nuk do të ishte Zorani, me siguri që do ta kisha vrarë veten.

Erdhi Krishtlindja. Për ditën e festës, në tavolinë shtrohej dreka dhe një ëmbëlsirë e freskët. Sipas zakonit serb, në shtëpi shtrohej kashtë. Ai që hynte i pari në kuzhinë, duhej të ulej mbi kashtë. Aty duhej të rrinte urtë, si klluka mbi vezë. Sa më gjatë që njeriu «klloçiste», i ulur mbi kashtë, aq më shumë fat i sillte shtëpisë. Më pelqente ai zakon, ashtu si gjithë të tjerët. Kur në shtëpi u fut një prift i veshur me të zeza dhe me mjekër të gjatë, u tmerrova për vdekje. Çfarë kërkonte ai burrë në shtëpinë tonë?

Me shumë vëmendje po e shikoja kur, me një fener të mbushur me një send që lëshonte tym me erë, tymosi gjithë shtëpinë. Mendova se ai burrë donte t’i vinte flakën shtëpisë tonë. Ratko dhe nëna e vet, të ulur në tavolinë, e vështronin me plot nderim. Pa ndërprerje bënin të dy kryq. Unë nuk merrja vesh fare se si bëhej ajo punë. Kur prifti më shikoi vëngër, fillova edhe unë. Ai murmëriti i gëzuar dhe deshi t’i jepte diçka Zoranit për të ngrënë. Ia mora nga dora një send si disk i bardhë dhe i thash se, Zorani do ta hajë me vonë këtë. Për mendimin tim ai ishte akoma shumë i vogël për këso lloje brumrash. Më vonë e mësova se ishte fjala për nafor.

Marrëdhëniet me vjehrrën time acaroheshin çdo ditë e më shumë. «Do të varë veten», më kërcënoi ajo mua dhe filloi të kërkonte një litar në tavan. E vendosur, u turr me pajisjet e saj në bahçe dhe filloi të priste arrën. Zorani ulurinte në shtëpi. Ratko ishte në punë. Unë i lutesha në gjunjë vjehrrës time: «Të lutem, mos e bëj ketë gjë! Çfarë po ndodh me ty?» «Ju më urreni mua», tha ajo. «Ty nuk të urren askush. Hajde në shtëpi, futu brënda!» Fola për një kohë të gjatë me plakën derisa, dikur, u ul në kuzhinë dhe u qetësua disi.

Që nga ajo ditë, çdo mëngjes, vjehrra ime merrte një litar në dorë. Nga terbimi i saj, edhe unë nuk ndjehesha aspak më mirë. Deri tani e kisha ulur disa herë nga stoli i ekzekutimit, me fjalë të zemrës. Ky terror zgjati katër muaj. Dikur m’u sos durimi. Kur një ditë dola të mbushja ujë jashtë, e pashë që po i vinte përseri rrotull arrës, me një litar në dorë. «Tani kam vendosur përfundimisht t’i jap fund jetës». Në njërën dorë kisha Zoranin dhe në tjetrën dy bidona. «Të lutem, vetëm nxito! Ndoshta tani ?», e nxita unë. Më shikoi si e fyer. Kur u ktheva me dy bidonat, e pashë në derë.

«Çfarë, përseri nuk e vare veten?» e pyeta unë me ironi. Kur djali i saj kthehej nga puna, akoma pa hyrë mirë brënda, i turrej : «Gruaja jote don të më vrasë mua. Ajo po më bën presion që unë të vari vetën.»

«Si guxon ti ta nxisësh nënën time për vetëvrasje?» më bërtiti mua Ratko gjithë zemërim. Deri në atë moment më ishte dukur diçka fëminore, që ta vija në dijeni për sjelljet e nënës së vet. Kur Ratko ishte në shtëpi ajo, në shenjë proteste, shpallte grevën e urisë. Prandaj Ratko bëhej shumë merak për të. Sapo Ratko dilte nga shtëpia, e mbushte barkun plot, me çka mundej. «Ajo ka katër muaj që don të varë veten», i thashë unë Ratkos. «Më ka ardhur deri këtu», vazhdova unë duke vënë gishtin në majë të hundës. Ai tha si me ankesë: «Ti nuk duhet ta nxisësh për këtë». «Edhe mua më është sosur durimi», ia ktheva unë. Papritmas Ratko qeshi për gjithë situatën. Në kuzhinë u ballafaqua me nënën për thëniet e mia. «Ajo injorantja jote gënjen. Ajo ka bërë ndërmend që të më vrasë mua», deklaroi ajo akuzën kundër meje. «Nëse unë doja të të vrisja ty, prej kohësh do të kisha siguruar një automatik», i thashë unë dhe tregova me dorë pushkën që rrinte shtrirë në dollapin e kuzhinës. Po aq mirë mund të ndizja edhe granatën e dorës, e cila ndodhej në dhomën tonë të gjumit. Ratko i mbante ato armë pasi, në vend nuk kishte siguri.

Situata në shtëpi u përmirësua kur, plakës i ra ndërmend një kërcënim tjetër: «Që nga ky moment, gruaja jote e dashur, duhet t’i dalë zot vetë tokës dhe bagëtive. Pastaj të shikojmë. Ju do të vdisni menjëherë nga uria», i tha ajo Ratkos. Ajo nuk do ta lëvizte më asnjë gisht për ne. Puna në kopësht mua më zbaviste. Ratko më tregonte llojet e bimëve, kur dhe si mbillen dhe si kultivohen ato. Me këtë rast, ne edhe u afruam me njëri-tjetrin. Vetëm gjatë natës prishej përsëri ajo afërsi. Ratko flinte me mua. Gjatë gjithë kohës mua më torturonin ëndërrat e tmerrshme. Nuk duroja dot më.

Ndërkohë kisha telefonuar disa herë nënën time. Në bisedën e fundit u morëm vesh që unë të shkoja në B. sa më shpejtë që të ishte e mundur. Nëna kishte mësuar nga një grua e arratisur se, si mund të udhëtohej pa frikë dhe falas, nga Republika Serbe në drejtime të tjera. Tani më duhej që vetëm t’i mbushja mendjen Ratkos. «Si i keni punët?», më pyeti ajo herën e fundit. «Mirë», u përgjigja unë./Vijon

Përktheu: Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat