Në qytetin ku s’përputheshin akrepat e orës

Kultura

Në qytetin ku s’përputheshin akrepat e orës

Nga: Ismail Arsllani Më: 10 gusht 2020 Në ora: 17:54
Ismail Arsllani

Baba Dijetari nuk e kishte zakon t'i mbajë tespihet që t'i lëvaren nëpër duar, andaj i shtrëngoi ato në grushtin e tij. Kur e pa Kullën e Sahatit të lartë 20 pashë mbi kokë, që kishte dy faqe me sahat e dy të tjera pa to, nxori sahatin e vet prej argjendi nga xhepi i vogël i jelekut dhe u mat t'i krahasojë akrepat, por ato assesi nuk mund t'i krahasonte. Nuk e dinte akrepat e cilit sahat kishin fajin, andaj doli në anën lindore të kullës dhe përsëri shikoi akrepat. Diçka nuk ishte në rregull. Akrepat e lindjes dhe të perëndimit assesi nuk përputheshin jo vetëm mes vete, por edhe me ato që i kishte sahati i tij, me shtatëmbëdhjetë gurës të çmuar, që e kishte dhuratë nga gjyshi kur diplomoi në Fakultetin e Sheriatit në Stamboll. Si mund të matet koha me këto akrepa që s'përputhen mes vete, këtu, në këtë kasaba, e lëre më nëse bën një lëvizje më të gjatë nëpër botë, mendoi vetë më vete. Megjithatë, i tha mendja që më shumë t'i besonte akrepave të sahatit të vet, andaj u fut rrufeshëm brenda dyerve të xhamisë që gjendej ballë për ballë me Kullën e Sahatit.

Kishte ditë që Selman Samarxhiu nuk kishte shkel me këmbë në bujtinën e Aga Hajrizit që të takonte e ta pinte një kafe me Baba Dijetarin. Ky njeri prej samarxhiu nuk e dinte prej nga i erdhi një e dridhme e papritur, një rrëqethje trupi: nëse ishte shkaku i kafesë që s'e kishte shijuar atë ditë, si një njeri i varur nga kjo pije që bën të çmendet nëse nuk i kollofit nga pesë sosh në ditë, apo kishte një zbrazëtirë në shpirt pse s'kishte shkëmbyer fjalë rrafsh tri ditë me mikun e tij nga Stambolli. S'kishte bërë adet të porositë kafenë pa ardhur Dijetari, por atë ditë po ndodhte një çarje në kokën e tij dhe një dobësi brenda trupit, ndaj dhe thërriti me zë pronarin e bujtinës që ta sillte kafenë në një tavolinë në cep tavernës.

Në Kasaba mbretëronte një qetësi e pa përshkruar. Korriku që pjekë grurin në arat e rrafshit s'kursente njerëzit e kasabasë, që ishin katandisur mes vapës dhe djersës për punë buke. Baba Dijetari që ecte me hapa të matur nëpër kalldrëm, duke zgjedhur shtigjet me hije dhe duke dhënë selam djathtas-majtas kalimtarëve të rastit, ashtu i kredhur në mendime rreth sajimit të raportit që duhej ta dërgonte drejt në duart e Madhërisë së tij, Sulltan Abdylhamidit të Dytë, kishte mbjellë një shqetësim në shpirt, sepse këtu në këtë kasaba ku kishte shkelur tashmë tre muaj më parë, kishte hasur në kontraste të shumta të një mileti prej arnautësh që gjallëronte me djersën e vet dhe që nuk mund të përshkruhej aq lehtë karakteri apo shpirti i tij në fletë të bardhë. Me këto mendime ishte rastisur në Çarshinë e vjetër, aty ku fillonin vreshtat me hardhi rrushi të zi, që hidheshin përpjetë në kodër deri në lartësi prej 800 arshinësh. Pasi fshiu djersët e ballit, u ndal në çezmën bri një kryqëzimi rrugësh, ku prej saj rridhte pa reshtur uji i ftohtë i bjeshkëve.

"Çezma qenka e rregulluar për mrekulli", mendoi Dijetari, "qenkësh me një mermer të bardhë deri në govatë".

Uli kokën me kujdes dhe mbushi pëllëmbën e dorës së majtë me ujë që rridhte prej saj. Pasi shoi etjen,  drejtoi kurrizin për të lexuar mbishkrimin që ishte skalitur në atë mermer të bardhë, pikërisht si i takon një Perandorie: "Çezmën e kanë ndërtuar vëllezërit Mehmed dhe Fejzullah, për bamirësi. Viti i ndërtimit 1814 (1236 h)". "Paskësh bamirës fisnikë kjo kasaba, më duhet t'i mas mirë fjalët kur ta përfundoj raportin, të mos më ngelë haku pa thënë diçka ", kaluan këto mendime në rradaken e tij. Nuk e vërejti që kishte kaluar urën e vjetër osmane mbi lumin që kishte nxjerr shtratin deri në fund, në ato ditë me vapë dhe mori rrugë nga bujtina ku e priste Samarxhiu. 

Kur u ul në tavolinë, nxori nga xhepi i brendshëm fletoren e vogël me makllapë të fortë, për të vërtetuar shënimin për rekrutët arnautë që duhej të shkonin ushtarë në ushtrinë perandorake. Kjo dilemë i kishte hyrë në kokë si një zgjebe, prej së cilës, disa ditë më parë kishte shpëtuar trupin e tij dermë me ilaçin sekret prej zjarri të nxehtë të Malësor Dedës, kur e kishte lyer me fashë në pjesët e sëmura. Shikoi në fletore shënimin që e kërkonte dhe me të shpejtë i mbylli makllapët, duke pëshpëritur në vete: "Defteri ushtarak për rekrutët nga kazaja e Kasabasë, me numër rendor 1 deri 628, me emër, emri i babës dhe mbiemri, vendlindja dhe viti i lindjes 1862..." Në fund të listës ishte shënuar se rekrutët do të dërgohen në vjeshtën e parë të atij viti për shërbim ushtarak, si dhe ishte data e vulosur më 31 korrik 1882.

Të gjithë ishin arnautë dhe kishin numëruar nga njëzet mote jetë, që do të dërgoheshin në frontin e Sirisë, për ta ruajtur Baba Dovletin. Kjo praktikë e grumbullimit të rekrutëve arnautë nga kasabaja kishte rifilluar pas syrgjynosjes së Pashait satrap, siç e quante sulltani, të cilin e kishte tretur pa nam e nishan në zandanët e Anadollit, sepse ky 20 vjet me radhë kishte marrë në mbrojtje të rinjtë arnautë për të mos i dërguar ushtarë në shkretëtirat e Kurdistanit, si dhe nuk i kishte dorëzuar taksat e mbledhura për perandorinë. Në atë defter, po ashtu kishte shënuar se Hirësisë së tij, Mehmet pashë Ruzhdiu nga Kasabaja, i ndahet grada e avancimit të lartë nga Hierarkia e Ushtrisë Perandorake, për suksesin e treguar në punën e tij. Data e avancimit: 27 tetor  1881. Po aty kishte shënuar: Që nga data 22 gusht 1857, s'është më e diela, por e shtuna ditë pazari në këtë kasaba. Ky ndryshim është bërë me kërkesë të të krishterëve, që nuk janë më shumë se një çereku i popullatës në të, që i takon sanxhakut të Prizrenit, me qëllim që të përcjellin pa pengesë predikimet e të së dielës në kishë.

Pasi i kishte fërkuar duart me një ngazëllim të fshehur, për shkak të këtyre detajeve të shënuara në defterin e tij, që duhej të shkrihej në një raport të përgjithshëm për gjendjen në këtë kasaba, iu kthye samarxhiut, i cili e kishte humbur shikimin diku larg atyre horizonteve, duke pritur prej tij meseletë e radhës që i kishte dëgjuar nga myshterinjtë e dyqanit të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat