Flamurit Blu - poezi nga libri në dorëshkrim, "Monumenti"

Kultura

Flamurit Blu - poezi nga libri në dorëshkrim, "Monumenti"

Nga: Atdhe Geci Më: 17 gusht 2020 Në ora: 13:50
Atdhe Geci

Ç ́është ky flamur i huaj

në direkun e shtëpisë?

mos rrota e historisë

që mua më duhet ta bart?

 

Ç ́është ky flamur i huaj

në direkun e shtëpisë?

i kujtoj të vrarët e mi,

të vrarët nëpër mërgime.

 

Ç ́është ky flamur i huaj

që unë duhet ta bart

për hir të një kontrate

që ta kem një adresë?

 

Ç ́është ky flamur i huaj

me himn dhe pa tekst?

është një gjysmëfitore

për të vazhduar në fitore...

 

I MËRZITURI

 

Kur mërzia me ne pi duhan

shoqëruar me kafe e raki,

i mërzituri nis e zihet

edhe me ata që s ́janë aty.

 

Kur mërzia pi duhan.

i mërzituri i nxjerr plagët

dhe i gjykon një nga një

përpara se atë ta zë dehja

 

Kur mërzia pi duhan,

ajo e do një mike pranë,

nga afër është i zemëruar,

nga larg atë s’e zë gjumi.

 

Jeta me dehjen s ́ndalon,

dehja me jetën pi duhan,

deri në një ditë tjetër,

deri në një mërzitje tjetër...

 

E DIELA E FJALËS

 

Vetmi, pse duhet të jetoj me ty,

më mërzinë dhe shoqet tua,

me rrapëllimat e erës sate

dhe përsëritjet tua monotone?

Muzë, përse më do të vetëm?

mbretëria jote s ́ më pëlqen,

s ́më pëlqejnë as shpresat tua,

jam kafsha që nuk di të lutem.

Unë nuk jam krejt i vetëm

jam në miqësi me mijëra libra,

vetmi, ti je shqetësim i bukur,

pse unë sot jam kaq i dehur?

Poezi, ma hiq qafe vetminë

dhe shoqen e saj që vështron,

muzë, më le në “burgun” tim,

jam kafsha që nuk di të lutem.

Atdhe Geci - Dortmund, 2020

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat