Letra e Oriana Falacit, gruas që s’u bë nënë, dërguar fëmijës së palindur kurrë

Kultura

Letra e Oriana Falacit, gruas që s’u bë nënë, dërguar fëmijës së palindur kurrë

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 15:09
Oriana Falaci

Shumë gra bëjnë pyetjen: të lindësh një fëmi: përse? Që të ketë uri, që të mërdhasë, që të tradhëtohet dhe të poshtërohet, që të vdesë në luftë ose nga sëmundja? Dhe mohojnë shpresën se uria e tij mund të ngihet, se mërdhitja e tij mund të ngrohet, se besnikëria dhe respekti t’i jenë miq, që ai mund të jetojë gjatë për të fshirë sëmundjet dhe luftën.

Ti nuk mund të flasësh. Cirkla jote jetësore është vetëm një nyjë qelizash të sapolindura. Ndoshta nuk është as jetë por mundësi për jetë. E megjithatë, do të jepja shumë që të më ndihmoje me një shenjë, me një sinjal. Nëna është e mendimit se unë ia dhashë shenjën, dhe prandaj më solli në jetë. Dëgjo, nëna nuk më dëshironte. Ishte zënë fill gamishit, në një çast shkujdesje të dikujt. Dhe, që të mos më lindte, çdo mbrëmje shkrinte një ilaç në ujë. E më pas e pinte dhe qante. Piu deri në mbrëmjen kur i dhahsë shenjën e parë të ekzistencës sime, në barkun e saj, dhe i rrasa një shqelm për t’i dhënë të kuptonte që të mos më flakte tutje. Ajo po afronte gotën te buzët. Megjithatë e largoi gotën dhe lëngun e derdhi përtokë. Disa muaj më pas rrokullisesha fitimtare nën rrezet e diellit, dhe nëse kjo ishte e mire, apo e keqe nuk di ç’të them. Kur jam e lumtur mendoj se është diçka e mirë, kur jam e trishtuar mendoj të kundërtën. Por, edhe kur nuk jam e lumtur, mendoj se do të më vinte keq po të mos kisha lindur, sepse asgjë nuk është më keq se sa hiçi.

Orjana-1

Nuk më ke goditur me shqelm, nuk më ke dërguar përgjigje. E si do mundje? Ekzistenca jote është aq e shkurtër: nëse do kërkoja pohimin e mjekut, do të buzëqeshte me shpoti. Por kam marrë një vendim për ty: do të lindësh. E vendosa pasi të pashë në fotografi. Nuk ishte pikërisht fotografia jote: ishte fotografia e një embrioni të çfarëdoshëm tri javësh, e publikuar në një gazetë bashkë me një reportazh për krijimin e jetës. Dhe, ndërsa e kundroja, frika m’u fashit: me të njëtën shpejtësi, me të cilën kish ardhur. Ngjaje me një lule të mistershme , me një orkidë të tejdukshme. Në majë dallohej një biçim koke me dy  të dala, që më pas do të formonin trurin. Pak më poshtë, një lloj zgërbonje që do të formojë gojën. Tri javësh, je pothuajse i padukshëm, kështu shpjegon diçitura. 2 milimetra e gjysëm. E megjithatë, te ty rritet një hije e syve, një diçka që i ngjan shtyllës kurrizore. Zemra jote tashmë është e formuar, dhe madje e madhe: në krahasim me timen dhe është nëntë herë më e madhe. Pompon gjak dhe rreh rregullisht që prej ditës së tetëmbëdhjetë: a mund , pra, të të flak tutje? E ç’më intereson nëse ke zënë fill rastësisht apo gabimisht? A nuk zuri fill rastësisht e ndoshta gabimisht edhe bota ku tani marrim frymë? Disa mbështesin idenë se ne fillim nuk kishte asgjë, përveç një qetësie të pamasë , një heshtje të madhe të palëvizshme, pastaj ndodhi  një përshkënditje, një shkulje, dhe ç’ka nuk ishte u bë. Pas shkuljes së parë vijuan të tjera: gjithnjë e më të paparashikuara, gjithnjë e më të pakuptimta, më të panjohura sesa vetë rrjedhojat. Dhe ndërmjet rrjedhojave çeli një qelizë, edhe ajo rastësisht, ndoshta gabimisht, e cila shpejt u shumfishua në miliona , miliarda, derisa lindën pemët, peshqit dhe njerëzit. Ti beson se dikush krijoi një dilemë para shpërthimit apo para qelizës? Beson se pyeti vetveten nëse do t’i pëlqente apo jo? Beson se ai shqetësohet për urinëm, për të ftohtin, për trishtimin etj.

Orjana-2

Unë e përjashtoj. Edhe nëse ky dikush ka ekzistuar, për shembull një zot i krahasueshëm me fillesën e fillesës, përtej kohës dhe hapësirës, kam frikë se nuk do të ishte kujdesur për të mirën dhe për të keqen. Gjithçka ndodhi, ngaqë mund të ndodhte, prandaj duhet të ndodhte, sipas një mujshie që ishte e vetmja e ligjshme. I njëjti arsyetim vlen edhe për ty. Marr përsipër përgjegjësinë e zgjedhjes. E marr këtë fakt pa egoizëm, bir, të betohem, nuk më habit fakti i sjelljes tënde në këtë botë. Nuk e përfytyroj veten duke ecur në rrugë me barkun e fryrë, duke të larë dhe duke të mësuar të flasësh. Jam grua që punoj: kam të tjera punë, ç’kuriozitet. Të kam thënë se nuk kam nevojë për ty. Megjithatë do ta çoj përpara shtatzaninë, të pëlqen apo jo ty. Do të ta diktoj mujshinë që m’u diktua edhe mua, edhe prindërve të mi, edhe gjyshërve të mi: deri te qënia e parë njerëzore, e lindur nga një qënie njerëzore, me dëshirë ose pa dëshirë. Ka mundësi se, nëse atij, ose asaj do t’i lejohej të zgjidhte, do të frikësohej dhe do të qe përgjigjur, nuk dua të lindë, jo!

Femja

 Por askush nuk i kërkoi mendim, dhe kështu lindi , jetoi dhe vdiq, pasi solli në jetë një tjetër qënie njerëzore, së cilës nuk i pat kërkuar të zgjedhë, dhe po kjo e fundit bëri të njëjtën gjë, për miliona vjet deri tek ne, dhe çdo herë përbënte një mujshi, pa të cilën nuk do të ekzistonim.

Orjana-1

Bëj kurajë bir, mendon se fara e një peme nuk ka nevojë për kurajo kur shpon tokën dhe mugullon? Mjafotn një rrahje ere që ta shkulë, këmbëza e një miu që ta shformojë. E megjithatë ajo mugullon, reziston dhe rritet duke hedhur fara të tjera. Dhe bëhet pyll. Nëse një ditë do të këlthasësh: “Përse më solle në jetë, përse?” unë do të përgjigjem: “Bëra atë që kanë bërë pemët, për milion e miliarda vjet përpara meje dhe besoja se bëra mirë”.

Se ç’ka diçka të lavdishme në mbajtjen mbyllur brënda trupit tënd një tjetër trup, në të ndjerit dy njerëz dhe jo një. Madje, hera-herës të luzmon një ndjenjë ngadhnjimi dhe, në qetësin që shoqëron ngadhnjimin, asgjë nuk të shqetëson: as dhimbja fizike që do përballësh, as puna që do sakrifikosh, as lumturia që do humbasësh. Do jesh djalë apo vajzë? Do dëshiroja të ishe vajzë. Do dëshiroja që ti një ditë të përjetosh atë që po përjetoj unë tani: nuk jam aspak dakort me mendimin e nënës se të lindësh femër është fatkeqësi. Nëna, kur është e trishtuar, psherëtin: “Ah sikur të isha djalë”!

Femija

 E di: e jona është një botë  e ngritur nga burrat për vetë burrat.

Orjana-2

Diktatura e tyre është aq e vjetër sa shtrihet deri tek gjuha. Thuhet ” njeri” për të treguar mashkullin dhe femrën, thuhet “kalama” për të treguar djalin dhe vajzën, thuhet “bir” për të treguar birin dhe bijën, thuhet “makabritet” për të treguar vrasjen e një burri dhe të një gruaje. Në gojëdhanat që meshkujt kanë sajuar për shpjegimin e fillesës jetësore, krijesa e parë nuk është femër: është një mashkull me emrin Adam. Eva vjen më pas për argëtim dhe sherr. Në tablotë që zbukurojnë kishat, Zoti paraqitet një plak me mjekër të bardhë dhe asnjeherë  një plak me flokë të bardhë. Dhe gjithë heronjtë e tyre janë meshkuj: që nga Prometeu, që zbuloi zjarrin tek Ikaro, që u përpoq të fluturojë, madje edhe më lart deri te Jezusi, të cilin e shpallin birin e Atit dhe të Shpirtit të Shenjtë: sikur gruaja që e lindi të qe një inkubator ose një mendeshë. E megjithatë, ose ndoshta për këtë, qënia femër ngërthen shumë magjepsje. Është një aventurë që kërkon një lloj guximi, një sfidë që nuk bezdis kurrë. Shumë gjëra do të ndërmarrësh nëse do jesh vajzë. Si për fillim, do të ndeshesh për të mbrojtur tezën se , nëse Zoti ekziston, mund të ishte edhe një plakë me flokë të bardhë ose një vajzë e bukur. Më pas do ndeshesh për të shpjeguar faktin se mëkati nuk lindi kur Eva këputi mollën: atë ditë lindi një virtyt i mrekullueshëm. Së fundi, do ndeshesh për t’u treguar të tjerëve se në brendësi të trupit tënd të lëmuar dhe të rrumbullakët  ka një mëndje që këmbëngul të dëgjohet. Qënia mëmë nuk është zanat. Nuk është as detyrim, është vetëm një e drejtë ndrëmjet shumë të tjerave. Do të raskapitesh duke e përsëritur. Dhe shpesh, pothuajse gjithnjë, do të humbasësh.

Orjana-1

Por nuk duhet të ligështohesh. Ndeshja është më e bukur se fitorja , udhëtimi është më zbavitës se mbërritja: kur ke mbërritur në finish ose ke fituar, ke ndjesinë e një zbrazëtie të madhe. Po, shpresoj të jesh vajzë: mos ma vër re nëse të thërras bir. Dhe shpresoj që kurrë të mos thuash atë që nëna më thotë. Unë kurrë s’e kam thënë.

Por edhe nëse do të jesh djalë, përsëri do të jem e lumtur. Dhe ndoshta edhe më shumë, sepse do të poshtërohesh  më pak, do të robërohesh më pak, do të shpërdorohesh me pak. Nëse do të jesh djalë, për shembull, nuk do të jetosh me frikën e përdhunimit në terrin e një rrugice. Nuk do të duhet një fytyrë e bukur për t’u pranuar që me shikimin e parë, një trup i bukur për të fshehur zgjuarsinë tënde. Nuk do të pësosh gjykime të liga kur të biesh në shtrat me atë që të pëlqen, nuk do të dëgjosh se mëkati lindi ditën kur t’i këpute mollën. Do të lodhesh shumë më pak. Do të ndeshesh më lehtësisht për të mbrojtur tezën sipas së cilës, nëse Zoti ekziston, mund të ishte edhe një plak me flokë të bardhë, ose një vajzë bukuroshe. Mund të mospërfillësh pa u shpotitur nga të tjerë, mund të dashurosh pa u zgjuar natën me ndjenjën e rrëshqitjes në hon, mund të mbrohesh pa mbetur i fyer.

Orjana-2

Sinqerisht, të tjera robëri dhe padrejtësi do të pësosh: e di, edhe për një mashkull jeta nuk është e lehtë. Meqënëse do të kesh muskuj më të fuqishëm, do të kërkojnë të mbash pesha të rënda, do të të diktojnë përgjegjësi të padrejta. Meqënëse do të kesh mjekër, do të zënë të qeshin nëse qan dhe nëse do kesh nevojë për dhembshuri. Meqënëse do të kesh një bisht përpara, do të të urdhërojnë të vrasësh ose të vritesh në luftë dhe do të kërkojnë bashkëpunim për të përcjellë tiraninë që ngritën në shpella. E megjithatë, ose ndoshta pikërisht për këtë, qenia mashkull do të jetë një aventurë po aq e mrekullueshme: një ndërmarrje që nuk do të zhgënjejë kurrë. Të paktën kështu shpresoj, sepse, nëse do të jesh djalë, shpresoj të bëhesh një burrë siç e kam ëndërruar gjithmonë: I ëmbël me të pambrojturit, i egër me mujsharët, zemërgjerë me atë që të do të mirën, I pashpirt me atë që komandon. Së fundi, armik i gjithkujt që përrallis se Jezusët janë bij të Atit dhe të Shpirti të Shenjtë: dhe jo të gruas që lindi.

Orjana-3

Bir, po përpiqem të të shpjegoj se të jesh burrë nuk do të thotë të kesh një bisht përpara.

Orjana-2

Ndoshta është tepër herët që të flas kështu. Ndoshta  nuk duhet të flas për gjërat e shëmtuara dhe të trishta, ndoshta duhet të të përshkruaj një botë me pafajësi dhe hare. Por do të ishte njësoj sikur të të mashtroja, bir. Do të ishte njësoj sikur të të shtyja të besoje se jeta është një qilim i butë, mbi të cilin mund të ecësh zbathur dhe jo në një rrugë plot me gurë. Gurë që të pengojnë, gurë që të rrëzojnë, gurë që të  vrasin. Gurë, ndaj të cilëve nevojiten këpucë prej hekuri. Por, edhe kjo nuk mjafton, sepse, ndërsa mbron këmbët, gjithnjë do të jetë një dikush që do marrë një gurë për të ta gjuajtur në kokë dhe…për sot mbarova, biri im, bija ime. E kuptove mësimin? Kushedi ç’do të thoshin disa, po të më dëgjonin. Do të më akuzonin thjesht si të çmendur apo thjesht si mizore?

Orjana-1

Pashë me kujdes fotografinë tënde dhe, pesëjavësh, je më pak se një centimetër i gjatë. Po ndryshon shumë. Më shumë se me një lule të mistershme, tani ngjan me një larvë shumë të hijshme , madje me një peshk të vogël, të cilit i dalin shpejt pendët. Katër pendë që do të bëhen më pas këmbët dhe krahët. Sytë janë që tani dy kokërrza shumë të vogla të zeza, me një rreth, rreth e përqark, dhe në fund të trupit ke një bishtëz! Diçitura thotë se në këtë periudhë është pothuajse e pamundur të dallohesh nga embrioni i çdo gjitari: nëse do ishe një maçok, do ngjaje pak a shumë siç je tani. Në të vërtetë nuk ke fytyrë. Nuk ke ende as trurin. Unë të flas, bir, po ti këtë nuk e di.

Orjana-3

Në terrin që të mbështjell, nuk përfill madje as ekzistëncën tënde: mund të të flak tutje dhe nuk do ta marrësh vesh kurrë. Nuk do ta mësosh kurrë, nëse të kam bërë një padrejtësi apo një dhuratë.

Orjana-3

Këtë natë fola me babanë tënd. I fola për ty. Ia komunikova në telefon sepse ndodhet larg dhe, duke u nisur nga ato që dëgjova, nuk I thashë kushedi se çfarë lajmi. Dëgjova, mbi të gjitha, një heshtje të thellë: sikur të ishte ndërprerë komunikimi. E më pas dëgjova një zë belbëzues, të ngjirur: “Sa duhen” Iu përgjigja  gëzueshëm:” Nëntë muaj, besoj. Jo, jo më pak se tetë tashmë”. Atëherë, zëri pushoi së qëni i ngjirur dhe u bë i akullt: “Flas për para”. “Çfarë parash?” pyeta unë.

Femija-zeri

” Paratë për ta hequr qafe, apo jo?”

Orjana –3

Po, kështu tha” hequr qafe”. Sikur ti të ishe një deng plaçkash. Kur, me qetësinë e mundshme, i shpjegova se kisha qëllim krejt tjetër, humbi në një arsyetim të gjatë ku lutjet ua lanë vendin këshillave, këshillat kërcënimeve, kërcënimet lajkave. “ Mendo për karierën tënde, mbaj parasysh përgjegjësitë, një ditë mund të pendohesh, çfarë do thonë të tjerët” Qeshja, gati e zbavitur. Por u argëtova shumë më pak kur, i nxitur nga heshtja ime, përmbylli se shpenzimet mund t’i hiqnim gjysëm për gjysëm: në fund të fundit” të dy ishim fajtorë”. Ndjeva të përziera. Më zuri turpi për të. Ula receptorin me mendimin se dikur e kisha dashuruar. Vërtetë e kisha dashuruar? Një ditë unë dhe ti duhet të bisedojmë për këtë çështje të quajtur dashuri. Sepse e them me ndershmëri, nuk e kam kuptuar ende se përse bëhet fjalë. Dyshimi im është se bëhet fjalë për një mashtrim të stërmadh, të shpikur për ta mabajtur njerëzinë të qetë dhe për t’i hequr vëmëndjen.

Orjana-2

Frika e vetmisë, e mërzisë, e heshtjes? Nevoja për të pushtuar dhe për të qenë i pushtuar? Sipas disave, kjo është dashuria.

Orjana-1

Po sikur të të përkiste ty të më zbuloje kuptimin e atyre gjashtë shkronjave të pakuptimta? Pikërisht ty që më rrëmben nga vetja, më thith gjakun dhe më thith frymëmarrjen.

Një provë ekziston. Të dashuruarit që rrinë larg, ngushëllohen me fotografi. Dhe ndër duar mbaj gjithnjë fotografitë e tua. Tashmë është shndërruar në një ankth. Sapo vë këmbët në shtëpi rrëmbëj gazetën, llogaris ditët, moshën tënde, dhe të kërkoj. Sot mbush gjashtë javë. Ja, në moshën gjashtëjavëshe, me shpatullat e tua. Sa i këndshëm je bërë! Nuk i ngjan më një peshku, një larve, një gjeje pa formë, ngjan me një krijesë, me atë kokën tullace dhe ngjyrë rozë. Shtylla kurizore është e mirëvijëzuar, një rruazë e bardhë dhe e qartë në mes, krahët nuk janë më dy xhunga të paqarta dhe as pendë, por dy krahë. Të janë ngallur krahët! Më vjen t’i përkëdhel, të të përkëdhel të gjithin. Si ndjehesh atje në vezë? Në fotografi dukesh si i varur në një vezë të brishtë, që të kujton vezët prej kristali, brenda të cilave futet një trëndafil. Por, në vend të trëndafilit , je ti. Nga veza del një kordon që përfundon si një top i bardhë , i largët, me dëllëzime të kuqe dhe njolla të kaltra. E parë kështu duket si toka, e vëzhguar nga mijëra e mijëra milje larg. Po, është pikërisht sikur nga toka niset  një fill i pambarimtë , i gjatë sa vetë ideja e jetës, dhe nga ato largësi të hershme mbërrin tek ty. Në mënyrë aq logjike , aq të kuptimtë. Po si ua zë goja disave kur thonë se qënia njerzore është një rastësi e natyrës? Mjeku më kish thënë të shkoja pas gjashtë javësh. Nesër do shkoj. Dhe gjilpëra qetësuese më vrimosin shpirtin duke këmbyer hovet e gëzueshme.

Me një zë midis solemnes dhe gëzimit, ngriti një copë letër dhe tha: “Përgëzime , urime zonjë” Automatikisht korrigjova:”Zonjushë”.

Orjana-2

Sikur ta kisha goditur me shuplakë . Solemniteti dhe gëzimi u zhdukën dhe, duke më vështruar ngultazi me mospërfillje të dëshiruar, u përgjigj” Ah”!

Orjana-1

Më pas mori stilografin, fshiu fjalën zonjë dhe shkroi zonjushë. Kështu, në një dhomë akullsisht të bardhë, nëpërmjet zërit të një mjeku akullsisht të veshur me të bardha, Shkenca më njoftoi zyrtarisht ekzistëncën tënde.

Orjana-2

Nuk më bëri përshtypje fare, meqënëse e dija tashmë dhe madje shumë më përpara se ajo.

Orjana-1

Kur isha mbi shtrat, infermierja u duk e zemëruar, sepse nuk i kisha hapur këmbët dhe nuk i kisha mbështetur mbi dy tërfuqet prej metali.

Orjana-2

Mjeku veshi një dorezë llastiku dhe rasalliti, rrëmoi, ngjeshi sikur deshte të shtypte, ngaqë nuk isha e martuar. Më në fund, nxorri dorën jashtë dhe tha: “Gjithçka mirë, gjithçka në rregull.”

Kam frikë se duhet të mësohesh me këto gjëra. Në botën që ti përgatitesh të hysh, dhe pavarësisht nga bisedat rreth kohëve që ndryshojnë , një grua jo e martuar në pritje të një fëmije, në të shumtën e rasteve shihet si një e papërgjegjshme. Në më të mirën e rasteve, si një ekstravagante, si një provokatore.

Orjana-1

Ose si një heroinë.

Orjana-2

Kurrë si një nënë e ngjashme me të tjerat. Farmacisti, tek i cili bleva pilulat e luteinës më njeh dhe e di mirë se jam e pamartuar. Kur i dhashë recetën, ngriti vetullat dhe më vështroi me tmerr. Pas farmacistit shkova te rrobaqepësi, për të porositur një pallto. Dimri po afron dhe dua që të rrish ngrohtë. Me gojën plot me gjilpëra me kokë për të shënjuar modelin e copës, rrobaqepësi filloi të më merrte masat. Dhe kur i shpjegova se masat duhet t’i merrte të bollshme, sepse isha shtatzënë, dhe në dimër do të isha e fryrë, u skuq nga tërbimi. Çapërleu gojën dhe pata frikë se po i gëlltiste të gjitha gjilpërat. Falë zotit, nuk i gëlltiti, por i ranë përtokë. I ra edhe metri, dhe më erdhi keq që i shkaktova aq pështjellim. E njëjta gjë ndodhi me komendatorin. Na pëlqen ose jo ne të dyve, komendatori është ai që më blen punën dhe na jep paratë për të jetuar.

Orjana-3

Babai yt telefonoi për herë të dytë. I drishej zëri. Donte të dinte nëse e kisha marrë konfirmimin. Iu përgjigja se po. Për herë të dytë më pyeti se kur” do ta rregulloja punën”. E ula për të dytën herë receptorin, pa ua vënë veshin fjalëve të tij. Ajo që nuk kuptoj është përse, kur një grua njofton shtatzaninë e saj të ligjshme, të gjithë gëzohen dhe përpiqen t’i heqin pallton nga duart dhe e lusin që mos lodhet shumë, që të qëndrojë qetë. Ç’gjë e bukur, përgëzime, ju lutem zini vend këtu. Ndërsa me mua rrinë të palëvizshëm, të heshtur ose flasin për abort. Sikur të thoshe një përbetim, një komplot për tu ndarë. Dhe ka çaste kur ndjehem e paqetë, kur pyes veten se kush do fitojë: ne apo ata? Ndoshta është faji i asaj telefonate. Ngjalli hidhësi që i mendoj të harruara, fyerje që i besoj të kaluara. Hidhësi-fyerje të shkaktuara nga fantazmat, falë të cilave kuptova se dashuria është një mashtrim. Plagët u mbyllën, blanat kanë mbetur paksa të dukshme, por një telefonatë e tillë mjafton t’i lëndojë përsëri. Si kockat e vjetra të thyera kur ndërron moti.

Orjana-1

Organi yt gjenital dhe organet riprodhuese kanë filluar të çelin. Ti e di nëse do të jesh mashkull, apo femër. Por ajo që më ndez më tepër, bir, është se janë formuar edhe doçkat. Tashmë shihen gishtërinjtë. Dhe tani ke një gojëz të vogël: me buz! Ke fillesën e një gjuhe. Ke zgavrat  për njëzet dhëmbëzat. Ke sytë. Aq i vogël, as një centimetër e gjysëm, aq i lehtë, as tre gramë, ke sytë!

Nëse dua të të heq qafe, thonë, ky është çasti. Madje, çasti fillon tani.

Orjana-2

Me fjalë të tjera, duhej të kisha pritur që t’i të bëheshe një qënie njerëzore me sy, gishtrinj dhe gojë që të të vrisja. Më parë jo. Më parë ishe tepër i vockël për t’u dalluar dhe shkulur.

Femija

Janë të çmendur.

Orjana-2

Mikesha ime është e mendimit se e marra jam unë. Ajo, e martuar, ka abortuar katër herë në tre vjet. Kishte dy fëmijë dhe një i tretë është i papranueshëm, thotë. Edhe pulat nuk i klloçitin të gjitha zoçkat. Nëse çdo vezë pule do lindte një zoçkë, ky planet do të ishte një kotec.

Ti pyet veten se, pse prej disa ditësh të flas vetëm për këtë? As vetë se di. Ndoshta , sepse të tjerët më flasin ankthshëm. Ndoshta, sepse edhe vetë e kam menduar në një çast pa ma thënë të tjerët. Ndoshta sepse askujt nuk dua t’i rrëfej një dyshim që më helmon shpirtin. Vetëm mendimi për të të hequr qafe, sot, më vret dhe megjithatë qëllon ta marr parasysh. Biseda për pulat më çorodit.

Orjana-1

Ç’nuk do të jepja , bir, për të thyer heshtjen tënde, për t’u ndërfutur në burgun ku je i mbështjellë e ku të mbaj të mbështjellë, ç’nuk do të jepja për të të parë e për të dëgjuar përgjigjen tënde. Sigurisht, unë e ti jemi një çift i çuditshëm. Çdo gjë te ti varet nga unë dhe anasjelltas: nëse sëmuresh ti, sëmurem edhe unë, nëse vdes unë, vdes edhe ti. Por unë s’mund të komunikoj me ty dhe as ti me mua. Në atë që ndoshta është dija e pamasë, ti nuk njeh as fytyrën time, as moshën time, as gjuhën që flas. Ti shpërfill prejardhjen time, vendodhjen time, profesionin tim. Nëse do të më përfytyrosh, nuk ke as edhe një detaj për të zbuluar në jam e bardhë apo e zezë, e re apo e vjetër, e gjatë apo e shkurtër. Dhe unë pyes -vetveten nëse je apo jo njeri. Kurrë dy të huaj, të lidhur me të njëtin fat, nuk qenë më të huaj se ne. Kurrë dy të panjohur, të bashkuar në një trup, nuk qenë të panjohur e më të largët se ne.

Mos po tradhëtoj vendimin tim? M’u duk sikur ndjehesha e sigurt, sikur i pata kapërcyer lavdishëm të gjitha pasiguritë dhe hamëndjet. Përse kthehen tani, të kamufluara nga mijëra pretekste?

Orjana-2

Ndoshta për shkak të dhembjes që po rrotullon trutë? Për shkak të dhembjeve që më therin barkun.

Orjana-1

Duhet të mbahem e fortë bir. Duhet të kem besim tek vetja dhe te ti. Duhet të të mbaj deri në fund sepse, kur të rritesh, dua të jesh dikushi!

Orjana-2

Dikushi që nuk i ngjan as priftit që ulërinte në gjumë, as mikeshës sime dhe as doktor Munsonit, as policëve që i lidhnin gjyshes duart. I pari,  të quan pronë të zotit, e dyta pronë të nënës, të tretët pronë të shtetit. Ti nuk i përket as Zotit, as shtetit, as mua. Ti i përket vetvetes dhe pikë.

Orjana-1

Në fund të fundit, je ti që more nismën dhe unë gaboja kur besoja të të imponoja një zgjedhje. Duke të të mbajtur, nuk bëj veçse i përulem urdhrit që më dhe kur u ndez pikla jote jetësore. Unë nuk zgjodha gjë, unë u binda.

Orjana-2

Ndër ne të dy, viktima nuk je ti, bir, por unë. A nuk është kjo që kërkon të më komunikosh kur sulmon si vampir trupin tim?… A nuk është kjo që kërkon të më riprodhosh kur më dhuron të vjellat? Ndjehem keq.

Orjana-3

Ndër të tjera, yt atë s’është bërë më i gjallë.

Mos ndoshta ndjehet fajtor për dashurinë që kemi bërë në shtrat? Një ditë gjyshja shkoi të rrëfehej dhe prifti i dha këtë këshillë: “Mos shko në shtrat me burrin tënd, mos shko” Në fund të fundit, për disa njerëz, faji i vërtetë i një burri dhe i një gruaje qëndron në dashurinë që bëjnë në shtrat. Thonë se, për të mos pasur fëmijë, mjafton të bëheshin të dëlirë. Epo mirë:meqënëse është e vështirë të përcaktosh kush duhet të mbetet i dëlirë e kush jo, bëhemi të gjithë të dëlirë dhe kështu shndërrohemi në një planet pleqsh. Miliona e miliona pleq të paaftë të krijojnë breza, ndërsa raca njerëzore shuhet, si në tregimet fantastiko –shkencore të mjedisuara në planetin Mars, në sfond, qytete të mrekullueshme që thërmohen: qytete të banuara vetëm nga fantazma. Fantazmat e atyre që mund të kishin qënë, por që nuk qenë. Fantazmat e fëmijëve të palindur. Ose bëhemi të gjithë homoseksualë, në të gjitha rastet rezultati do të jetë i njëjtë: një planet me njerëz shterpë, në sfond, qytete të mrekullueshme që copëzohen, ku jetojnë fantazma të fëmijëve të paardhur kurrë në jetë….

Orjana-1

Do t’i pëlqesh mamasë. Do t’i pëlqesh, sepse ajo mendon  se një botë pa fëmijë do të mbaronte. Do t’i pëlqesh, sepse është e shëndoshë dhe e butë, me një prehër të madh e të butë kur të ulesh sipër, me dy krahë të shëndoshë e të butë për të të mbajtur dhe me një të qeshur që i ngjan një koncerti zilkash. Kurrë nuk e kam kuptuar sesi qesh ashtu: por mendoj se shkaku është, ngaqë ka qarë shumë. Vetëm kush ka derdhur shumë lotë, mund ta çmojë -jetën me bukuritë e saj dhe të qeshë me zemër. Të qash është e lehtë, të qeshësh është e vështirë. Shpejt do ta mësosh këtë të vërtetë. Gjithçka do të të bëjë të qash: drita, uria, gjumi.. Do të kalojnë javë, muaj, para se goja jote të hapet për një buzëqeshje, përpara se fyti yt të grafullojë një të qeshur. Por mos u ligështo. Dhe kur buzëqeshja do të mbërrijë, kur e qeshura do mbërrijë, duhet të ma dhurosh mua: për të më treguar se bëra mirë që nuk u tërhoqa nga biologjia teknologjike, se nuk të çova në barkun e një nëne tjetër më të mirë e më të durueshme se unë.

Orjana-2

Ja po filloj që këtu. Po filloj, duke të të lajmëruar se nuk do të jesh vetëm këtu poshtë dhe se, nëse do të çlirohesh nga të tjerët, nga shoqëria e tyre e përdhunët, nuk do t’ia dalësh mbanë. Këtu poshtë, një njeri nuk mund të përkujdeset për vetveten, siç bën ti. Nëse tenton, do çmendet. Në më të mirën e rasteve, dështon. Ndonjëherë dikush përpiqet. Dhe rend drejt pyllit ose detit, duke u betuar se nuk ka nevojë për të tjerë, se të tjerët nuk do ta gjejnë kurrë më. Por në të vërtetë e gjejnë. Ndoshta, është ai që kthehet. Dhe kështu, i mundur, hyn të bëjë pjesë në folezë, në ingranazh: për të kërkuar aty, kotësisht, dëshpërimisht lirinë e tij.

Nga anët tona, fjala liri është më e shfrytëzuara, pothuajse sa fjala dashuri, e cila, siç të kam thënë, është më e shfrytëzuara nga të tjerat. Do të takosh njerëz që bëhen copë për lirinë, duke pësuar tortura, ndoshta edhe duke pranuar vdekjen.

Orjana-1

Dhe unë shpresoj se do jesh njeri prej tyre!

Orjana-2

Por, në çastin kur do të bëhesh copë për lirinë, do të zbulosh mosekzistencën  e saj, ose se shumë-shumë ekzistonte për sa kohë ishe në kërkim të saj: si një ëndërr, si një mendim ilindur nga kujtimi i jetës tënde para lindjes, kur ishe i lirë, sepse ishe vetëm. Unë vazhdoj të përsëris se je një i burgosur atje brënda, vazhdoj të mendoj se ke pak hapësirë dhe se tani e tutje do të qëndrosh edhe në terr: por në atë errësirë, në atë pak hapësirë, ti je i lirë sa ç’nuk do të jesh kurrë në këtë botë të pamasë e të pamëshirshme. Askujt aty brënda nuk duhet t’i kërkosh leje apo ndihmë, sepse pranë nuk ke njeri dhe kështu nuk e kupton skllavërinë. Këtu jashtë, në të kundërtën, do të kesh një mijë padronë. Dhe padroni i parë do të jem unë që, pa dashur, ndoshta edhe pa ditur, do të imponoj gjëra të drejta për mua e jo për ty. Psh. Ato këpuckat e vogla. Për mua janë të bukura, po për ty? Do të ulërasësh kur të t’i vesh. E megjithatë, unë do të t’i vesh, ndoshta duke mëtuar se ke ftohtë dhe pak e nga pak do të mësohesh. Do të përulesh, i nënshtruar, deri në dhembje nëse nuk do t’i kesh. Dhe ky do të jetë fillimi i një zinxhiri të gjatë skllavërie, ku hallka e parë do të jem gjithmonë unë, mëqenëse ti nuk mund të bësh dot pa mua.  Unë që do të të mëkoj, që do të të mbuloj, do të të laj, që do të të mbaj në krah.

Orjana-1

Më pas do të fillosh të ecësh vetë, të ushqehesh vetë, të zgjedhësh vetë ku do të shkosh dhe kur të lahesh.

Orjana-2

Por atëherë skllavëri të tjera do të mbërrijnë. Këshillat e mia. Mësimet e mia. Udhëzimet e mia. Vetë frika jote për të më shkaktuar dhembje duke vepruar ndryshe nga ç’të kam mësuar. Do kalojë shumë kohë para syve të tu, para se unë të të lë të fluturosh si zogjtë që prindrit flakin nga foletë, ditën kur mësojnë të fluturojnë.

Orjana-1

Së fundmi,  ajo kohë do mbërrijë  dhe unë do të të lë të nisesh, do të të lë të kapërcesh rrugën i vetëm, me dritën e gjelbër dhe me të kuqen. Do të të shtyj drejt saj.

Orjana-2

Por kjo  s’do ta shtoj lirinë tende, sepse ti do qëndrosh i lidhur me skllavërinë e ndjenjave, me skllavërinë e keqardhjes. Disa e quajnë skllavëria e familjes. Unë nuk i besoj familjes. Familja është një mashtrim, i ndërtuar ng ai që organizoi këtë botë për të pasur në hyqëm njerëzinë, për të shfrytëzuar më mirë nënshtrimin ndaj rregullave. Kur je fillikat ngre krye më lehtësisht, kur jeton me të tjerë nënshtrohesh më lehtë. Familja nuk është veçse zëdhënësja e një sistemi që nuk lejon mospërfilljen, dhe shenjtëria e saj nuk ekziston. Ka vetëm grupe burrash, grash e fëmijësh të detyruar të mbartin të njëtin emër dhe të strehohen nën të njëjtën çati: shpesh, duke urryer e mërihur njëri-tjetrin. Por keqardhja dhe lidhjet gjithashtu, janë të rrënjësora te ne si pemët që nuk u jepen as uraganëve, lidhje të pashmangshme siç janë uria dhe etja. Nuk mudn të çlirohesh prej tyre, edhe pse vë tërë forcën e vullnetit dhe logjikës tënde. Ndoshta mendon se i ke harruar dhe një ditë të bukur ngrenë krye, pandreqshmërisht, të pamëshirshme, duke shtrënguar litarin në qafë më të fortë se çdo gjarpër boa. Dhe të mbysin.

Bashkë më këto skllavëri, do të njohësh të tjera, të diktuara nga të tjerë, domethënë nga ata mijëra banorë të folesë. Do të njohësh zakonet e tyre, ligjet e tyre. Nuk e ke idenë sa mbytëse janë zakonet e  tyre për t’u imituar e ligjet e tyre për t’u respektuar. Mos e bëj këtë, mos e bëj atë, bëj këtë e bëj atë.. Dhe nëse kjo është e pranueshme, kur jeton me njerëz që kanë një ide për lirinë, bëhet e skëterrshme kur jeton mes njerëzve mujsharë që madje të privojnë nga luksi për të ëndërruar lirinë: për ta realizuar në fantazinë tënde. Ligjet e mujsharëve sjellin vetëm një përfitim: atyre mund t’u kundërvihesh duke luftuar, duke vdekur. Ndërsa ligjet e njerëzve të mirë nuk të sjellin rrugëzgjidhje, sepse bindesh se pranimi i tyre është diçka e fisme. Në çfarëdo sistemi të jetosh, nuk mund të ngresh krye ndaj ligjit ku më i forti, më mujshari më pak bujari del fitimtar. Madje, edhe më pak, të kundërshtosh ligjin, sipas të cilit për të ngrënë duhen para, për të fjetur duhen para, për të pasur para duhet të punosh. Dhe të rrëfejnë plot histori për nevojën e punës, gëzimin e punës, për dinjitetin e punës. Mos u zë besë kurrë. Është një tjetër gënjeshtër e sajuar nga organizuesi i kësaj bote mbi bashkëjetesën. Puna është një përfrikësim që mbetet i tillë edhe kur të pëlqen. Gjithnjë punon për të tjerët e kurrë për vete.

Orjana-1

Kam shkruar për ty tri fibula. Ose më mirë, nuk i kam shkruar, sepse shtrirë nuk mundem: i kam menduar. Po të rrëfej  njërën. Na ishte një herë një vogëlushe e dashuruar pas një manjole. Lulja manjolë qëndronte në mes të një kopështi dhe vogëlushja kalonte ditë të tëra duke e kundruar. E kundronte nga lart, sepse banonte në katin e fundit të një shtëpie që binte mbi kopsht, dhe e kundronte nga një dritare, e vetmja e hapur në atë krah. Vogëlushja ishte shumë e vogël dhe për të parë manjolën duhej të kacavirrej mbi një karrige ku nëna e kapte në befasi dhe i bërtiste “ O zot , po bie, po bie”. Manjola ishte e madhe, me degë, gjethe e lule të mëdha që hapeshin si shami të pastra dhe askush nuk i mblidhte, sepse ishin shumë lart. Kështu, kishin kohë të vjetëroheshin, të lëverdheshin dhe të binin pëllumthi përtokë. Vogëlushja ëndërronte që dikush të këpuste një lule sa ishte e bardhë dhe, në këtë pritje, qëndronte pranë dritares: krahët mbështetur mbi parvaz dhe mjerkën mbi krahë. Përballë dhe përreth nuk kishte shtëpi, ishte vetëm një mur që ngrihej thikë me anën e kopshtit dhe mbaronte te një ballkon ku ishin nderë rroba për t’u tharë. Kuptohej kur rrobat ishin tharë, sepse rrihnin erën si me shuplakë dhe atëherë dilte një grua për t’i mbledhur në një kosh, pastaj i merrte me vete. Një ditë, gruaja doli dhe në vend të mblidhte rrobat, nisi të kundronte manjolën: sikur po studionte mënyrën për të kapur një lule. Ndenji ashtu për një kohë, duke u menduar, ndërsa rrobat valviteshin në erë. Më pas erdhi një burrë dhe e përqafoi. Edhe ajo e përqafoi, dhe shpejt ranë mbi tokë duke fërgëlluar gjatë derisa u prehën në gjumë. Vogëlushja rrinte e habitur, nuk e kuptonte përse ata të dy flinin në ballkon dhe nuk merreshin me manolën, nuk përpiqeshin të kapnin një lule, dhe ajo e durueshme  priste të zgjoheshin.

Orjana-2

Kur paparitmas ia behu një burrë tjetër: shumë i zemëruar. Nuk hapi gojë, por dukej qartë se ishte shumë i zemëruar, sepse u hodh menjëherë sipër të dyve. Më parë mbi burrin, i cili kërceu dhe ia mbathi, më pas mbi gruan që nisi të vrapojë midis rreshtave të rrobave. E ngriti përpjetë si pupël dhe e hodhi poshtë: mbi pemën e manjolës. Iu desh kohë të mbërrinte te manjola. Po kur mbërriti, ra zhurmshëm mbi degët sesa lulet e verdha që binin përtokë. Një degë u thye. Dhe në çastin kur dega u thye, gruaja u kap pas një luleje. Dhe e mori. Dhe mbeti aty pa lëvizur me lulen në dorë. Atëherë vogëlushja i bëri zë mamasë së saj. I tha:” Mama, hodhën një grua mbi manjolën dhe ajo e kapi një lule” Nëna iu afrua dritares, ulëriti se gruaja kishte vdekur dhe, që nga ajo ditë, vogëlushja besoi bindshëm se, për të mbledhur një lule, duhet të vdesë një grua.

Dhe ajo fëmijë jam unë.

Dhëntë Zoti që ti mos ta kuptosh siç e kuptova unë se më i forti, më mujshari, më pak bujari është ai që fiton. Zoti e dhëntë që ti të mos e marrësh vesh shpejt siç e mora unë, sidomos duke u bindur se gruaja është e para që paguan haraçin e një realiteti të tillë. Uroj ta humbasësh atë virgjëri me emrin fëmijëri, iluzion. Duhet të të përgatis që tani të mbrohesh, të jesh më i shkathët, më i fortë që ta heshësh atë nga ballkoni. Sidomos nëse do jesh femër. Dhe është ligj: ose mua ose ty. Ose shpëtoj unë ose shpëton ti. Do të gjesh belanë po ta harrosh: tek ne secili i bën keq dikujt tjetër, bir. Nëse nuk e bën këtë, vdes. Vdes më i dobti, që nuk është nevojshmërisht më i miri. Nuk kam mëtuar kurrë se gratë janë më të mira se burrat, se per shpirtbujarinë  e tyre nuk meritojnë të vdesin. Të jesh I mirë apo i lig, kjo nuk ka rëndësi: këtu jeta nuk varet nga kjo. Varet nga një marrëdhënie forcash e bazuar mbi dhunën. Mbijetesa është dhunë. Do të mbathësh këpucë lukure, sepse dikush theri një lopë dhe e rropi për t’i marrë lëkurën. Do të ngrohesh me një peliçe, sepse dikush vrau një kafshë, qindra kafshë, për t’u marrë gëzofin. Do të hash mëlçinë e pulës, sepse dikush theri një pulë që s’i bënte keq askujt. Por edhe kjo nuk është e vërtetë, sepse edhe ajo i bënte keq dikujt: hante krimbat që vrimosnin paqësisht gjethet e sallatës. Gjithmonë, dikush për mbijetesë ha ose rrjep një tjetër: nga njerëzit deri te peshqit. Edhe peshqit hanë njëri-tjetrin: më të mëdhenjtë gëlltisnin më të vegjlit. E njëjta gjë me zogjtë, me insektet me çdo gjallesë. Me sa di unë, vetë pemët dhe bimët nuk e hanë njëra-tjetrën, ushqehen me ujë, diell e kaq. Por, ndonjëherë, edhe ato i vjedhin njëra-tjetrës diellin dhe ujin, duke ia zënë frymën e duke u shfarosur. A është rasti që ti të njohësh tmerre të tilla, ti që jeton, ushqehesh dhe ngrohesh pa hequr qafe njeri?

Orjana-1

Nuk e di nëse kjo tjetra është përrallë, por gjithsesi po ta rrëfej. Na ishte një herë një vogëlushe që besonte tek e nesërmja. Në të vërtetë, të gjithë i mësonin që të besonte tek e nesërmja: duke e siguruar se e nesërmja është më e mirë.  Ia bënte të sigurt prifti kur gjëmonte me premtimet e tij në kishë dhe shpallte Mbretërinë e Qiejve. Ia siguronte shkolla kur i tregonte se njerëzimi ecën përpara dhe se një kohë  njerëzit jetonin në guva, më pas në shtëpi pa termosifonë dhe më pas në shtëpi me termosifonë.

Orjana-3

Ia siguronte babai ku i sillte shembull historinë dhe mbështeste idenë se tiranët shpejt përfundojnë të humbur. Nga prifti, vogëlushja e kish hequr shpejt besimin.

Orjana-2

E nesërmja për priftin ishte vdekja dhe vogëlushes nuk i interesonte të jetonte pas vdekjes, në një hotel luksoz të quajtur Mbretëria e Qiejve. Nga shkolla e kish hequr pak më pas besimin, gjatë një dimri kur duart dhe këmbët iu mbuluan nga morthi dhe plagët. Po, ishte gjë e madhe që njerëzimi pat kaluar nga guvat e ngrohta me termosifona, por ajo nuk e kishte termosifonin.

Orjana-3

Babai kishte vazhduar t’i besonte  symbyllurazi. Babai i saj ishte njeri I guximshëm dhe kryeneç. Që prej njëzet vitesh luftonte  me disa mujsharë të veshur me të zeza dhe sa herë këta të fundit i çanin kokën, u përgjigjegj me guxim e kryeneçësi.” E nesërmja do të vijë”. Në ato vite qe lufta. Mujsharët e veshur me të zeza hiqeshin sikur do ta fitonin luftën. Po ai tundte kokën dhe, me guxim e kryeneçësi, pohonte:”E nesërmja do të vijë”

Orjana-2

Duke larë brekët e pista të tjerëve, u binda se e nesërmja jonë nuk kishte mbërritur dhe ndoshta nuk do të mbërrinte kurrë. Do të vazhdonin të na mashtronin me premtime: në një rruzare zhgënjimesh të lehtësuara nga ngushëllime të rreme, dhurata të mjerueshme, komoditete të mëshirshme për të na mbajtur butë. A do të mbërrijë ndonjëherë për ty e nesërmja ime? Për këtë kam dyshime. Prej shekujsh prej mijëvjeçarësh njerëzimi sjell në jetë fëmijë duke besuar se e ardhmja e fëmijëve do të jetë më e mirë se ajo e prindërve. Dhe më e mira qëndron në blerjen e një termosifoni mjeran. Sigurisht , termosifoni është gjë e madhe kur ke ftohtë: por, pa dyshim, nuk të jep lumturinë dhe nuk mbron aspak dinjitetin tënd. Me termosifonin vazhdon të pësosh prepotenca, keqardhje, përfrikësime dhe e nësërmja mbetet një gënjeshtër.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat