Gjashtëdhjetë vjet më vonë

Kultura

Gjashtëdhjetë vjet më vonë

Nga: Nexhat Halimi Më: 19 tetor 2020 Në ora: 16:55
Nexhat Halimi

Vetëm sa e ka përgjakur brezin kufitar mëngjes i ri

Ecja me hijen ndër gurë te kroi i ujit të fjetur

 

Arrita para derës së vjetër në Dumnicë trokita aty

Gjashtëdhjetë vjet më vonë zëri shpërtheu jehonë

Përgjatë fëmijërisë së shtrirë kaq egër dhe bukur

 

hapësirës së mjegullt vinte veç  `i zog e `i flutur

e hija humbur për Tullar veç me varre në Toplicë

 

i mbylla sytë e i çela prapë asgjë e njëjtë tjetër

mungonin pullat metalike shtrënguar me litarë mitik

e fryma e vjetër më rëndoi e më mori ngryk

 

çdo gjë ka ndërruar ka ikur apo ndoshta është fik`

ky që psherëtin është Uka apo nuk është ai dot

 

trokita prapë e dera me gjëmë lë dritën të pik kot

brenda misterit të vet të shpërthyer qindvjeçar

-Eja brenda, - tingëlloi vetja tjetër gjysmë tretur

-Mirë se të ka pru` zoti or siluetë ndërmjet e vrarë

 

Hapësirës së trazuar të mjegullt ikte kohë e vjetër

 

largësia ra mes fjalësh e copëtuar dhe e vetmuar

Askush s` çel derë kot trokas i fjetur apo i zgjuar

 

Ja veç pamja e vjetër njëjtë dhe ëndrrat e fëmijërisë

 

Me barin e pakositur e narcisët buzë rrugës fare

Me zogjtë vetmuar qiellit me cicërimat mbi dritare

Me A B* nga e flet Alfabetin në hije të robërisë

*Azem Beqiraj, mësuesi i autorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat