Moda

Kultura

Moda

Nga: Fatmir Lohja Më: 28 tetor 2020 Në ora: 08:10
Fatmir Lohja

Në fjalor moda shpjegohet: “stili dhe zakoni i përhapur në një kohë të caktuar.” Përgjithësisht njerëzia e ndjek modën, me qëllimin për të mos i diferencuar nga turma. Gjatë jetës kam parë, e kam ndjekur moda të ndryshme. Nuk thonë kot: “Vesi del me shpirtin!” Që nga rinia më ka mbetur vesi për të respektuar femrat e bukura dhe pantallonat pak të gjëra në fund .Me këdo të jemë përkrahu në rrugët e Tiranës, ndalohem për të respektuar të bukurën femërore. Pantallonat kauboj ma kënaqin syrin, por nuk e uli ritmin e ecjes , për t’i shijuar.

Nuk po mësohem me modën e re për shkak të pandemisë. Dikur qafohesha me kënaqësi me miqtë. Me modën e re tokim o grushtat, o shqelmat për të shprehur ngrohtësinë. Gëzimet kolektive, si dasmat, ditëlindjet,…. i harruam. Ne varrime, nga frika, më përpara largohemi, se qajmë të ndjerin.

Në rrugë moda e re kërkon detyrimisht të paisur me maskë, që të mbyll edhe gojën, edhe hundën. Kur e shoh veten te pasqyrat e ashensorëve, nuk e njoh veten. Habitem me pallaveshin që më pasqyrohet. Çdo e keqe e ka një të mirë. Meqë veshët janë shtrirë, si antenat satelitore, kam filluar të dëgjoj më mirë.

Një të djelë, në mëngjez herët , si zakonisht, dola me tuta për të gjerbur kafenë . Nga nxitimi, nga mosha, edhe lokali është përballë shtëpisë, e harrova maskën pa marrë. Ato pak komshi që me panë, më shihnin me kureshti . Kontrollova kompletin e tutave, nuk më ra gjë në sy.

Ku e ke maskën, o kapedan?- me drejtohet Petroja, pronari i lokalit.

Kontrollova xhepat e shumtë. Nuk gjeta asgjëkafshë. Në këtë rast gruaja nuk mbante asnjë përgjegjësi. Isha i bindur se nuk e kam futur në xhepa të bukurën maskë. Nga ky siklet më nxorri Petroja. Me dhuroi një maske flakë të re, pa hyrë në lokal. Pa e vënë në fytyrë, ma mori përsëri. Më qetësoi , kur më sqaroi , se në lokal ligji më lejonte ta pija kafenë pa maskë. Jashtë lokalit detyrimet ligjora i mbaja vetë mbi shpinë, se Petroja nuk ka asnjë mundësi të më mbrojë si komshi i mirë.

Kur u ktheva në shëpi, e akuzova rëndë veten si jo modern, pavarësisht , se kjo modë nuk më pëlqen. Për të mos u ndarë nga turma, i mbusha xhepat me maska në të gjitha rrobat që dal në qytet. I kam të thjeshta maskat. Të njejtat si i mbajnë e gjithë gjindja.

Më pëlqejnë damat, që ngjyrën e maskave e kombinojnë me xhaketat, apo çantat. Nuk më pëlqejnë aspak thirrjet e VIP-ave , mosqofshin, në ekranet e ndryshme televizive:” Nëse guxon Edi Rama, më detyro të vëmë maskat!?” Me këtë thirrje, e para, janë jashtë mode. E dyta, është zotni polici që të vë gjobën. E treta, është fat i madh te grushtohesh në rrugë me kryeministrin. Do të shkoja turravrap për ta paguar gjobën e nënshkruar nga ai. Kopjen origjinale do ta fusja në një libër, se jam i sigurtë se fëmijët nuk i shfletojnë . Pas shumë vitesh fëmijët e mi do të bëhën rehat, kur ta shesin në ankand kopjen origjinale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat