Tregime të fantazisë shqiptare

Kultura

Tregime të fantazisë shqiptare

Nga: Dibran Demaku Më: 7 nëntor 2020 Në ora: 23:32
Dibran Demaku

Kur ishim fëmijë e i ruanim bagëtitë një kusheri yni më i rritur me vite e me shtat na tregonte tregime fantastike,të cilat ne barinjët e atëherëshëm i dëgjonim me ëndje.Sa herë që fqunji ynë vinte me bagëti ne ishim tërë sy e vesh sepse fantazinë e kishte të zhvilluar dhe na argëtonte me fantazitë e tij që ne atëherë i merrnim si të vërteta!Edhe tash kur ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli nga ajo kohë,autorit të këtij shkrimi i kujtohet një rrëfim i tij...

...ishte një nga ditë e nxehta të verës kur bagëtitë kishin hyrë nën hijet e mrizeve që të mbroheshin nga dielli përvëlues i mesit të ditës,ndërkaq ne barinjtë ishim grumbulluar në hijen e shelgut të madh që rrënjët i kishte në ujin e burimit nga i cili burim ne barinjtë e shuanim etjen.Kushëriri ynë më i madh me trup dhe me moshë me fantazinë e tij do të rrëfente:-Babai im ka kaluar detin me biçkletë dhe ka dalë në Itali!-do të niste rrefimin e tij fantastik.Ne që ishim më të vegjël kishim hapur sy e veshë dhe e dëgjonim me vënendje atë rrëfim.As që dinim atëherë se nga cila anë e horizantit ishte deti apo Italia.Njëri nga barinjtë që ishte përafërsisht moshatar ne rrëfyesin guxoi ta pyeste:-E si u kaloka deti me biçikletë,kur ka vetëm ujë dhe në të nund të mbytesh?!

Kushëriri rrëfimtar që si tham e kishte fantazinë shumë të zhvilluar do të ia kthente:-Babai im kishte vendosur mbi ujë një shinë çeliku të hekurudhës,e kishte zgjatur mbi sipërfaqen e detit dhe nëpër shinë me biçikletë kishte dalë në Itali!...Ishte koha kur tek ne jo që nuk kishte tekevizor,por nuk kishte as energji elektrike!Dhe në atë errësirë që mbretëronte,tregimet fantastike jo vetëm që absorboheshin me të madhe,por disi edhe besoheshin! Ashtu siç besoheshin edhe tregimet e gjysheve tona për kuqedrën me shtatë kokë,që posa ja preje njërën i dilte tjetra nga qafa e prerë!

Baton Haxhiu,gazetar me përvojë të madhe,këshilltar politik i kryeministrit të Shqipërisë,Edi Rama e shumë e shumë profesioneve të tjera,para dy ditësh nëpërmes ekranit televiziv na e rrëfeu një tregim nga fantazia e tij,se si njëri nga politikanët tanë e tashëm,në kohën e luftës në Kosovë paska kërcyer nga avioni mbi aeroportin e Rinasit,sepse aeroplani nuk paska mundur të aterojë,dhe i riu idealist paska bërë atë veprim që të shkonte sa më parë në Kosovë që të luftonte krah për krah me shokët!Derisa po e dëgjoja rrëfimin fantastik të Batonit seç më erdhen në mendje filmat e Xhejms Bondit 007 me Shon Konerin e famshëm,i cili ndërroi jetë vetëm disa ditë më parë!Dhe në ato momente sa fliste Batoni me fantazitë e tij,më erdhi keq për aktorin e madh,por në anën tjetër u ndjeva „krenar“,që ne si komb e paskemi pasur Xhejms Bondin tonë shqiptar dhe nuk e paskemi ditur derisa na tregoi Batoni!...

Dhe derisa Batoni fliste në mendje sikur e shihja avionin që nuk ateronte dot në aeroportin e Rinasit dhe Xhejms Bobdin 007 tonin se si fluturonte si shqipe me dy krena dhe ashtu në fluturim e sipër zbriste tek shokët e tij në frontin e luftës!Një skenar fantastik ky për një Xhejms Bondin 007 shqiptar me Batonin si realizues të tij!...Tregime të fantazisë shqiptare!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat