Mbi vizitën e presidentit të federatës Vatra në Shqipëri dhe Kosovë

Kultura

Mbi vizitën e presidentit të federatës Vatra në Shqipëri dhe Kosovë

Nga: Thanas L. Gjika Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 18:34
Thanas L. Gjika

Të dashur miq, para disa javësh Presidenti i Federatës VATRA, Z. Elm Berisha, bëri një vizitë pune në Tiranë dhe Prishtinë. Disa shqiptarë, madje dhe vatranë, që e konsiderojnë veten demokratë të kulluar e kritikuan Presidentin e Vatrës për disa nga vizitat e tij, sidomos për vizitën te Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Gramoz Ruci. Thanë se nuk duhej të ishte kryer kjo vizitë me Z. Gromoz Ruci, sepse ai është një personalitet politik që ka qenë në shërbim të qeverisë komuniste, etj. Ata mendojnë se Federata Vatra, duke qenë një shoqatë demokratike që mbron interesat e së djathtës shqiptare dhe të të përndjekurve politikë të regjimit komunist, nuk duhet të krijojë lidhje pune me të tillë kundërshtarë të së djathtës.

Z. Elm Berisha, si person me përgatitje profesionale në fushën e politikës, ua dha përgjigjen pakënaqësive të tilla në intervistën që i dha gazetës Dielli, në numërin e botuar në letër për muajin tetor. Përgjigja e tij ishte shumë e matur dhe me vizion për politikën e ardhëshme të dy shteteve shqiptare dhe të diasporës sonë. Midis tjerash ai sqaroi se, për shkak të Coronavirusit shkoi i vetëm në Shqipëri e Kosovë, por vizita e tij nuk ishte vizitë private. Ai shkoi në Tiranë e Prishtinë si përfaqësues i një institucioni, si President i Federatës Vatra dhe bëri takime pune me kryetarë institucionesh si me Presidentin e Republikës, Z. Ilir Meta, me Kryetarin e Kuvendit Z. Gramoz Ruci, etj, të cilët i ka zgjedhur populli shqiptar dhe i ka njohur bota perëndimore euro-atlantike.

Vatra, shtoi Z. Elm Berisha, punon për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të ecur drejt realizimit të një politike mbarëkombetare në unison.

Nga ana ime mendoj se të tillë mendime vizionarë nuk ka pse të mos i përqafojnë të gjithë ata që ia duan të mirën popullit shqiptar. Koha e sotme kërkon që të heqim dorë nga grindjet e percarjet për interesa partiakë, ose interesa personalë dhe të punojmë së bashku për krijimin në të ardhmen e afërt të një shteti kombëtar shqiptar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat