Koha dhelpër dhe shtrigë

Kultura

Koha dhelpër dhe shtrigë

Nga: Rrahman Hyseni Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 18:42
Rrahman Hyseni

Kur bëhet fjalë për popullatën e Medvegjës, është një mjerim i vërtetë rrëfimi nëpër etapat historike të ndryshme.

Së paku që nga Kongresi i Berlinit, popullata e Medvegjës kishte fatin që në vazhdimësi të përballej me shpërnguljen nga vendlindja e tyre. Ka shumë faktorë që e shtyen shpërnguljen në vazhdimësi historike, por dy më kryesoret janë: ajo e dhunës shtetërore të planifikuar dhe pozita e saj gjeografike, pasi që është kufiri më verilindor i trungut etnik shqiptar, së paku që nga koha e Kongresit të Berlinit, rrjedhimisht kjo popullatë ishte drejtpërdrejt e atakuar me shkallën më nacionaliste antishqiptare të popullatës serbe të Serbisë Jugore. Nga vetë logjika e qëndrimit në skajin më verilindor të pozitës gjeografike të trungut etnik shqiptar, bëri që në të gjitha proceset historike, kjo popullatë të pësonte e para dhe njëkohësisht të ishte vija e parë e frontit dhe rezistencës së mbijetesës së etnisë shqiptare, gjë që pjesët e tjera shqiptare, nëse i kishin të gjitha format e dhunës shtetërore serbe, por atë të popullatës serbe nuk e kishin sikurse Medvegja, për vetë faktin e pozitës gjeografike. Kur dihet se historikisht trungu etnik shqiptar në vazhdimësi të historisë së saj ka pasuar tkurrje dhe tani Medvegja ishte ajo që së paku nga Kongresi i Berlinit deri më sot u përball direkt me të gjitha format e dhunës dhe të projekteve për shpërnguljen e saj, që gjatë kësaj periudhe e pësoi si pasojë e politikës ekspansioniste sllave.

Shpërngulja e popullatës si përcjellëse e fatit historik të saj të dhimbshëm, në kohën e Kongresit të Berlinit, gjegjësisht gjatë viteve 1878, edhe pse kjo shpërngulje kishte filluar që nga viti 1800, kur edhe popullata shqiptare e Toplicës, Sanxhakut të Nishit me mbi 940 fshatra e pësoi “golgotën” e saj të dhimbshme të shpërnguljes dhe vrasjeve makabre.

Shpërngulje kishte edhe gjatë vitit 1999, mbi 800 shtëpi e mbi 5 mijë njerëz dhe pasivizimi ishte aktual edhe gjatë vitit 2017, ku u pasivizuan mbi 4 mijë shqiptar dhe tani futet rreziku të humben edhe pronat.

Medvegja sot rrezikohet edhe për ata pak banorë që jetojnë e punojn aty, dhe shumë e shumë të tjerë dhe rrezikohen me pronat stërgjyshore.

Përderisa portalet ndahen në parti dhe paguhen për ta mbrojtur veten apo lavdëruar dhe sulmuar të tjerët, gjendja asnjëherë nuk u përmirësua vetëm se u përkeqësua dhe erdhëm në një situatë ku pas zgjedhjeve në Medvegjë, shqiptarët arritën të marrin vetëm 3 këshlltarë dhe mbetën jashtë duke mos i pranuar në qeverisje komunale.

Shqiptarëve të Medvegjës u fshihen adresat, u pasivizohen dhe vetëm për 4 vitet e fundit janë pasivizuar mbi 4 mijë shqiptarë. Politika në Bujanoc e Preshevë në asnjë takim nuk e ka parë të arsyeshme të ketë përfaqësues politikë nga Medvegja. Gjithashtu edhe nga Tirana e Prishtina sikur kemi mbetur të harruar, pra vaji i burrit është kënga e patriotizmi në ditët e zeza.

Nëse në Medvegjë fshihen nga libri amzë mbi 6 mijë shqiptarë dhe kjo po shkon ende në heshtje, atëherë si do ta mbrojë këtë Bujanoci, apo ndoshta edhe për ta më e mirë do të ishte ruajtja e kolltuqeve. Thënë shkurt e shqip: “u bëra më i fortë sepse duhej të bëhesha, jam më i zgjuar për shkak të gabimeve të mia, më i lumtur për shkak të trishtimit që kam përjetuar dhe tani më i mençur sepse mësova gjatë rrjedhës së jetës sime”.

Popullit shqiptar gjithmonë iu përsërit historia kombëtare dhe nga armiqtë e ndryshëm u dha një pasqyrë joreale rreth prejardhjes dhe trojeve të tyre. Të shpërngulur nga një vend në tjetrin, të asimiluar sipas dëshirës së pushtuesve të ndryshëm, ata mbijetuan megjithatë përmbi stuhi të fatit jetik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat