Kosova pa zot shtëpie

Kultura

Kosova pa zot shtëpie

Nga: Mr.Sc. Shefki Stublla Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 17:02
Foto ilustrim

Ç’prejse ndërroi jetë,presidenti historik Dr.Ibrahim Rugova,Kosova është pa Zot (të mirëfilltë) shtëpie. Pas tij u zgjodhën dhe u ndërruan disa individë,por asnjëri nuk e mbaroi as punën as mandatin si duhet.

Tani Kosova ndodhet në valën e madhe të bisedave për presidentin,pas dorlëheqjes së Hashim Thaqit.Janë ngrit në këmbë, i madh e i vogël, në partitë tona të shumta partiake për të zgjedhur kandidatin e tyre për president. Kreshta e valës së partive partiake,të mëdha e të vogla,secila nga to ka dalë me kandidatin e vet për president të Republikës.

Edhe unë, si qytetar i lirë,apartiak,e shoh të udhës të shfaq ca mendime rreth kësaj teme,në këtë kohë kur Kosova ka mbetur pa Zot shtëpie. Për ta zgjedhur këtë njeri,për këtë funksion shumë të rëndësishëm, duhet pasur kujdes të madh,sepse Kosova është lodhur nga pendesa të shumta, sidomos gjatë vitit 2020. Pendesa nuk ka kurrëfarë vlere për gabimet e bëra në dëm të interesit shtetëror. Andaj,secili nga të zgjedhurit apo të emruarit në pozita të larat të mendojnë katër herë para se të flasin dhe tetë herë para se të shkruajnë e sidomos para se të nënshkruajnë diçka në emër të shtetit.

ÇFARË PRIJËSI NA DUHET

Prijësi,ky udhërrëfyes,më shumë se kurrë më parë i duhet sot Kosovës që ta drejtojë shtetin drejt ardhmërisë,pa shibla. Sidomos tash kërkohet pjekuri e madhe individuale dhe shoqërore pët të gjetur një kandidat serioz për këtë pozitë të lartë shtetërore. Jemi dëshmitarë,se po na ndodh shpesh të dalim në zgjedhje dhe të zgjedhim njerëz për parlament ose për asambletë komunale sipas orientimeve të propagandave partiake dhe ne po votojmë për ta,shpeshherë, pa menduar me kokën tonë.Është e papranueshme që,edhe sot, disa parti vëjnë edhe kushte për zgjedhjen e kandidatit të tyre.

Shikuar historikisht,origjina e interesimit se kush duhet të jetë kandidat për prijës është e vjetër.Daton që nga koha e Platonit,para 2 500 vitesh. Ky mendimatar,jo vetëm i asaj kohe,kishte një lloj platforme,e cila vlen edhe sot.Në pyetjen: cili duhet të jetë prijësi,Platoni kishte thënë: “më i miri dhe më i dituri.”

Dikur,në shumë vende, vetëm Perandori ishte ai,që e meritonte këtë pozitë. Perandorin e zgjedhnin ushtarët.Më vonë,këtë pozitë e meritonte trashëgimtari i fronit duhet të jetë ai.

Sot zgjedhja më e drejtë e presidentit do të ishte zgjedhja e tij jo me “ gishta” por me “votën e popullit”.Jo me pazaret politike.Latinët e vjetër thonin “Voks populli,voks Dei”( Zëri i popullit, zëri i Zotit).

Koha e sotme e demokracisë kërkon zgjedhjen legjitime të presidentit të shtetit , i zgjedhur me shumicën e votave sipas Kushtetutës.

Prijësi i shtetit duhet të jetë arkitekt i bashkëpunimit dhe unitetit e jo përçarës e belaxhi.Çdo diktaturë është jomorale,e prishtë e pashpirt.Populli porosit:të pengohet tirania e prijësit.

Prijësi nuk duhet të jetë:mendjemadh,filzi,arrogant,hipokrit ,demagog ,narcisoid dhe impulsiv. Ky njeri duhet ta qesë dijen para inatit,të mos lejojë diskriminim ndaj të rinjve,të cilët kryejnë arsimim të lartë e ngelin pa punë.Sidomos të ketë kujdes për punëtoret e reja që kërkojnë përkrahje shoqërore,sidomos për ato që durojnë padrejtësitë që iu bëhen por nuk guxojnë të flasin sepse e humbasin vendin e punës.

Ky njeri duhet të inicojë dhe inspirojë punën ekipore. Ta lërë anash “Unin e tij të madh, të pagabueshëm”,në deklarata dhe biseda me gazetarë,edhe pse ka qejf epërsia e tij të shihet e të mos flitet për të.Të luftojë vetëm kundër të gjithëve. Ka raste kur lufton edhe me vetveten.

Duhet të ndryshojë mentaliteti ynë kombëtar dhe ta flakim rolin e “aminashit”në familje dhe në shoqëri. Autokritika duhet të vlejë për gjithkë,pa marrë pozitën që ka në familje,ndërmarrje apo në shtet.Adeti të mos i kthehet fjala kryetarit të partisë,drejtorit e deri tek presidenti kur ai hyllet në një rrugë qorre është i papranueshëm.

Të lirohemi nga kompleksi i vogëlsisë dhe inefrioritetit.Nuk jemi popull racist .Askujt as edhe një milimetër tokë nuk ia kemi zapuar.Përkundrazi,shtetet fqinje,Serbia dhe Greqia me tokën tonë kanë rritë madhësinë gjeografike të shtetit të tyre.Këtë të dhënë duhet ta kenë të qartë që nga qytetari i thjeshtë e deri tek Presidenti.

SI TË VEPROHET

Për gjendjen e vështirë aktuale, shoqërore ekonomike,sidomos shëndetësore, askush nuk është i pafajshëm,por faji për prijësit është më i madh sesa i qytetarit të rendomtë. Në këtë kohë të vështirë,kur Kosova është pa Zot shtëpie,duhet të veprohet me mend dhe me gjakftohtësi, sepse ecja jonë mund të devijojë. Biseda me popullin është e nevojshme sa buka,kripa e drita. Mos të lejohet që në krye të vijë një njeri i padijshëm,kokëfortë,sepse çdo veprim mbi temperaturën 37⁰C,është i dëmshëm e nuk mund të riparohet gjatë.Kosova nuk ka nevojë për kurrëfarë nihilizmi.Të krijohen rrethanat që i pari i shtetit sa më pak të përdor përemrin “ Unë” e sa më shpesh përemrin “Ne”. Mos e dhashtë Zoti që prijsin ta zë gjumi apo të kotet në fronin shtetëror.E kur të zgjohet të mbjellë frikë dhe t’i akuzojë këshilltarët për jolojalitet ndaj tij...

Një popull që përkrah një prijës pa kufizim mandati,ai popull është i papjekur.Mos të përjashtohen nga gara të rinjtë e talentuar të pajisur me dije dhe arsimim properëndimor.

Nuk guxon të anashkalohet konsultimi me pasardhësit e presidentit W.Wilsonit, në ShBA dhe të njerëzve si Toni Bler e Angela Merkel,të cilët vendosen praktikën demokratike në vendin tonë.Vërtet është koha e fundit që askush mos ta konsiderojë veten si “pronar” i popullit. Është fundi të demantohet parulla fashiste shesheliane se “shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet,se njuk janë shtetformues”.

Edhe diçka për fund:

Funksioni - pozita e presidentit nuk është profesion,megjithatë ai duhet të kalojë nëpër disa faza për konstituimin e procesit zgjedhor për këtë detyre të lartë shtetërore. Ai duhet ta ketë të mbushur “baterinë” me dije dhe energji pozitive,e cila pasqyrohet përmes aftësisë menaxheriale.Ky njeri patjetër duhet të ketë një përvojë pune në organet shtetërore dhe në thelb ta njeh natyrën e punës së kësaj pozite të lartë. Presidenti s’ka orar të caktuar pune.Ai është në punë brenda 24 orëve të ditës.Presidenti i mirë me kompetencë “ndez” zemrat e bashkëpunëtorë,brenda institucioneve të shtetit dhe punës i jep udhë të drejtë përpara.Puna ekipore është rruga e susksesit.Është mirë që presidenti të jetë parashikues i mirë i motit politik. Mos të lejojë veten për lëshimet e bëra të arsyetohet me fjalën “u pendova”.Kjo pendesë,me vonesë,është e padobishme.

Askush nuk lind me karakteristikat e prijësit të mirë,duke mos lënë anash tiparin e talentit me lindjen e personit.Çdo sukses në punë,në veçanti në punën e presidentit është kënaqësi për të dhe për vendin.Ai vazhdimisht duhet të jetë optimist real dhe çdo herë të ngris moralin e popullit.Por,asnjlëherë mos të pfremtojë atë që num mund ta realizojë.

Pasi të kalojë mandati i tij,pas punës së mirë,të mos ketë nevojë pasardhësi i tij, ta dezinfektojë zyrën ku ka punuar ai. Prijësi i mirë duhet të “djersitet” në punë e jo në ahengjegje ose në udhë pa udhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat