Metafora e lirisë ose dialog i përfytyruar me veten

Kultura

Metafora e lirisë ose dialog i përfytyruar me veten

Nga: Rexhep Shahu Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 19:53
Rexhep Shahu

Dashurinë dhe lirinë i kemi shkruar me lotë

Ende nuk i kemi shkruar me gjak…

E nisa që në krye me këto dy vargje të miat, që përcjellin atë që më mundon.

Mendohet e thuhet se kur kërcasin armët, heshtin muzat. Por shqiptarët duket nuk e patën këtë fat, ose nuk kaluan nëpër një fat të tillë, pasi për to nuk pushuan kurrë armët. Kur nuk kërcasin armët kundër të huajit, ne ia shprazim vetes.

E kemi bërë paqen më në fund dhe pushuan armët e zjarrit që villnin vdekje, por nuk pushuan kurrë armët tona të luftës imagjinare në mendjen tonë, luftë që rrit frikën, vret lirinë dhe pengon rritjen.

Lufta imagjinare duket se i ka bërë si Don Kishotë shkrimtarët e poetët shqiptarë. Mua më duket vetja si Don Kishot që i dal tankut përpara.

Liria ia ka mundësuar gjithkujt që i bie dielli fytyrës të thotë se jam shkrimtar, poet. Ka shumë libra, shumë vargje, por druaj se poezi ka pak. Thuhet se nuk lexohet poezia e letërsia për shkak se njerzit nuk lexojnë.

Lexuesi nuk mundet të gjurmojë e hulumtojë ku është poezia e vërtetë. Atij i bie në dorë një libër me vargëzime banale të ndonjë poeti të shpikur dhe neveritet. Se nuk ka një kritikë, që në mos bëftë gjë tjetër, në mos krahasoftë dhe evidentoftë vlera, së paku në vija të trasha të njoftojë lexuesin se çfarë duhet lexuar e çfarë jo, një kritikë që nuk i bën apologji mediokritetit.

Pushteti i inferiorëve të bashkuar, i divizioneve të mediokërve është i madh, shkatërrues dhe i papërballueshëm si gjithmonë e si kudo.

Sot ne shqiptarët kemi një atdhe që është aq sa u ka teprue pushtuesve tonë.

Komunizmi erdhi në Shqiperi përmes pushkatimesh dhe jo me mbrëmje vallëzimi. Nëse nuk do ta shkruajnë këtë të vërtetë shkrimtarët shqiptarë, që dinë të shkruajnë, nuk do t’i pranojnë varret brenda.

Më bëhet shpesh të them se ne shqiptarët jemi si kompraçikosët e Hygoit. Jemi rritë në kushte të enës së deformuar, të vozit të deformuar. Edhe liria jonë më duket ka marrë format e vozit, format e qelisë së burgut.

Pushtimi serb dhe pushtimi komunist kanë sjellë deformime aq të rënda sa vështirë të bëhemi normalë edhe për shumë kohë.

Diktatura komuniste në Shqipëri, në emër të krijimit të njeriut të ri, përçudnoi njerzit aktualë, i deformoi pa mëshirë, i burgosi në burgje dhe në kampe përqendrimi me tela me gjemba, shkurt prodhoi kompraçikosë në gjysmën e dytë të shekullit të 19, mu në mes të Europës, kompraçikosë nga njerzit e racës më të admmiruar e të lakmuar nga Europa që në shekuj i ka përdorë këto njerëz për përmirësimin e racave të tjera.

Fara e njeriut të ri që mbolli diktatura komuniste në Shqipëri, si në sera, ara e kopshte, polli monstra të përbindshme të dhunës ndaj të dobtit, të përbuzjes ndaj të pamundshmit, ndaj të vobektit, kampionë të vesit, polli zotvrasës, nënëvrasës, atdhevrasës, babëvrasës, gruavrasës, gruashitës, motërvrasës, fëmijëvrasës, fëmijëshitës, motërshitës, që e kanë të moralshme arritjen e qëllimit me rrugët dhe mjetet më të pamoralshme duke shitë e këmbyer motrat, gratë e vajzat e tyre me poste, privilegje e përfitime të përkohëshme, duke vrarë qëndresën e njerzve, duke vrarë mirësinë, besën, nderin, krenarinë, duke bërë gjithçka e çdo gjë të shitshme në pazare të hapta e të fshehta.

Por diktatura komuniste në Shqipëri, historinë e të cilës shqiptarët po vonojnë ta shkruajnë duke ndëshkuar kështu përditë e më shumë veten dhe të ardhmen e tyre, duke ndëshkuar përditë e më shumë atdheun e fëmijët që lindin në këtë vend që ende premton pak se është peng i fijeve të helmëta të diktaturës komuniste dhe veseve që morën qytetarët në diktaturë, pra diktatura komuniste vazhdon të jetojë përmes dëshmive të rreme që përcillen në literaturën tonë të kohës së komunizmit e të postkomunizmit.

Shkruhen shumë deshmi të rreme nga historianë të porositur që janë pengje të së kaluarës së tyre, që janë pinjollë e bij pinjollësh të diktaturës, nga shkrimtarë të shpikur gjithashtu pengje të diktaturës dhe të mungesës së talentit, të cilët kujtojnë se shkrimi është gjëja më e lehtë në botë, kur në fakt shkrimi është gjëja më e vështirë dhe e rëndë e botës, dhe dëmi që sjellin me shkrime të këqia është si të djegësh tokën me nepal ose si të helmosh ujrat e botës e të ngordhin gjithë qeniet që jetojnë në dete e oqeane.

Shkrimtarët që nuk shkruajnë të vërtetën e tyre për diktaturën, që nuk shkruajnë vetën e tyre edhe nëse janë ndëshkuar edhe nëse janë përkëdhelë nga diktatura, harrojnë se historia do t’i ndëshkojë për pjesëmarrës në krime, për moskallxim krimi, për dëshmi të rreme. Dëshmia e rreme është po aq e rëndë sa krimi i bërë nga diktatura se me dëshminë e rreme mbron krimin e diktaturën kriminale.

Shumë poetë e shkrimtarë mburren para njerzve të ndryshëm, para grave e familjarëve të tyre se kanë bërë apo janë duke bërë diçka, se kanë shkruar a se po shkruajnë. Por ta bësh diçka është tjetër e të shitemi apo të shtiremi se po bëjmnë diçka është krejt tjetër gjë.

E njejta gjë është edhe tek cilësia e të bërit të diçkaje. Ne shkruajmë, por shpesh harrojmë se ajo që shkruajmë e cënon rëndë të shkruarin si akt, si mision, se ajo që kemi shkruar në mënyrë jo të sinqertë, e shëmton misionin e qëllimin e magjisë së të shkruarit. Dalim sërish te ajo që më mirë të mos e shkruajmë një gjë se sa ta shëmtojmë një subjekt a një histori. Të shkruarit është gjëja më serioze e njerzimit sepse ka të bëjë me kujtesën e botës, me mosshuarjen. Po për fat të keq me këtë mision merren edhe ca njerëz që nuk kanë çfarë gjëje më të keqe të bëjnë me jetën e në jetën e tyre, ca njerëz që janë dështim total në jetë, që duan pak dritë dielli, pak vemendje që ju ka munguar gjithë jetën, pak dashuri që s’e kanë njohur kurrë, pak famë për të cilën janë gati të shesin fëmijët e tyre.

Para të huajit jemi dhe sillemi sikur jemi në shekullin e 22, para vetes jemi e sillemi sikur jemi në shekullin e 15.

Liria na mundëson të botohet sot gjithçka, të këndohet gjithçka, të shëmtohet, shuhet apo sfumohet kultura kombëtare, identiteti kombëtar dhe të mbytet nga telenovelizmi banal e bastard. Libra shqiptare nuk lexohen. Thonë edhe se s’ka. Por telenovela banale të huaja lexohen se tregu i letërsisë banale është treg gabi. Telenovela vrasëse shihen dhe sikur sillen enkas me bindë shqiptaret se ajo është jeta që duhet të bëjnë, se jeta moderne është ajo turke a meksikane ku kurvëritë e skllavëritë s’kanë të sosur, ku nuk flitet askund për jetë reale e bindesh se vetëm për punë nuk ka nevojë kjo botë por vetëm për kurvëri dhe shikimi i telenovelave është punësim më vete, është punë e papaguar që shkatërron shijet dhe vret punën me ndihmën e të dy shteteve shqiptare.

Janë marrosë të gjithë për tu bërë të famshëm. Merri lekë familjes ose shit trupin dhe bëj këngë. Jemi këngëtarë për dere, poetë për dere, shkrimtarë për dere. Çdo adoloshent del poet, çdo pensionist del ose historian ose poet adoloshent. Letërsia e poezia nuk është kompensim dashurie por si e tillë po merret sot. Të deshpëruarit a të deshpëruarat në kushtet e mungesës së dashurisë shalojnë poezinë. Si në kushtet e agresionit të banaliteteve të huaja dhe pranimit që i bëjmë ne, si në kushtet e presionit të mediokritetit, ajo që cënohet e demtohet rëndë është identiteti kombëtar i shqiptarëve, të cilin na e kanë sulmuar e nuk do të pushojnë kurrë së sulmuari të tjerët.

Më bëhet se liria ka peshë më të rëndë se mungesa e saj dhe, ndoshta për shkak të kohës së gjatë në paliri, druaj se është e vështirë sjellja në liri, administrimi i lirisë dhe vetes në kushte lirie.

Sepse edhe nëse jam i lirë nga pushtuesi, qoftë i huaj, qoftë vendas, nuk jam i lirë nga vetja, dhe prangat me të cilat kam të lidhur guximin, besimin dhe të ardhmen, pranga që janë më të forta e të rënda se zingjirët me të cilët më lidhte këmbët pushtuesi, xhelati, gardiani, komandanti, kryetari, komisari, sekretari, brigadieri, përgjegjësi, shefi, drejtori…

Çdo krijues në botë, e thotë apo jo, deshiron të ketë lexues, të njihet, të publikohet sa më shumë dhe nuk pajtohet me mos vemendjen e publikut ndaj tij. Mospajtimi me pavemendjen jo gjithmonë shërben si nxitje për punë të madhe, për guxim të madh për ta shfrytëzuar lirinë dhe mundësitë e arta që jep ajo. Sepse harrohet neni i parë - i lirë me qenë i sinqertë, i lirë me besue dhe me bindë veten se vetëm shpirti është i shenjtë. Mungon guximi me u përballë me veten, me temat e mëdha e të thella të marrjes thellësisht me veten tonë.

Ditët e para sa u çlirua Kosova, shkova ne Gjakovën e vrarë e të djegur me mikun tim Izet Durakun. Mua më është dukë se aty ku ka patur më pak serbë, shkatërrimi e ka patur dorën më të rëndë. Nga mijëra rrëfime e dëshmi që kam dëgjuar, nuk më hiqet nga mendja se si një grua, ne ikje e sipër për të shpëtuar veten, hodhi tej foshnjën e saj. Ditët e vitet kalojnë dhe unë përditë e më shumë e kujtoj atë grua e bëmën e saj. Nuk di si ta lexoj e ta shkruaj. Në gjithë krijimtarinë tonë ne vdesim për të shpëtuar fëmijët. Në gjithë poezinë time deri sot unë vdes që të shpëtoj fëmijët e mi. Por jo, nuk kam qenë i sinqertë, as trim, as i ndershëm. Nuk përballem me të vërtetën si në gjyqin e fundit para zotit. Letërsia ime, e jotja, e atij, e këtij, a e shfaq shpirtin e sejcilit.

Unë nuk e shkrova kohën dhe atmosferën e pushtimit serb në Kosovë apo të pushtimit komunist në Shqipëri, nuk ia shplova rrënjët asaj historie. Shkrimtarët shqiptarë nuk e kanë shkruar jetën nën pushtimin serb. Nuk ka sa e si duhet përsonazh serb në letërsinë shqiptare në Kosovë. Ky është fallsifikim i rëndë dhe mëkat i madh, pasi përsonazhi serb ka jetuar bëshkë me shqiptarin një shekull bashkë. Nuk ka në letersinë shqipe përsonazh serb, polic serb, drejtor serb, kojshi serb, nuk ka bashkëjetesë me serbët, bashkëjetesë e cila ka ndodhur edhe e imponuar, por ka ndodhur një shekull. Sepse një shekull luftë nuk kemi bërë ne shqiptarët me serbët.

Në burg, në internim, në shtëpi në kushte mjerimi e skamje, nëna shqiptare arrnonte me fijet e flokëve të saj pantallonat plot arna të djalit, që për shkak të arnave të shumta nuk dihej se cila copë ka qenë fillestare për ato pantallona. Unë nuk e kam shkruar këtë letërsi, se druhem, frikem, nuk jam i lirë.

Në këtë letërsi që dëshmon pushtimin serb unë shoh edhe fuqinë e dy gishtave lart, shoh a ka qenë e mjaftë kjo për të thënë unë e bëra detyrën ndaj atdheut, shoh lotë, ndjej dilemën, a me derdhë lotë a me derdhë gjak….

Por shoh edhe ata që tërhoqën gishtin në këmbëz të pushkës, dhe që na mësuan se tani e gjithmonë është nder e lavdi me vdekë për atdhe. Edhe pse ka nga ata që kullosin atdheun, i harrojnë shpejt shokët e rënë në luftë, shokët e plagosur në luftë, shokët që mbetën pa sy, pa duar, pa këmbë, se i lanë në luftë dhe nuk mund të rendin nëpër tubime, nuk mund të duartrokasin…

Unë vuaj që nuk bëj dot letërsi të tillë emocionale që të mund ta djeg me akull lexuesin dhe ta ftoh apo ta ngrij me zjarr. Unë nuk po mundem të bëj letërsi që të çlirohem nga vetmashtrimi, nga vetmburrja, se nuk jam thellësisht i sinqertë me veten, me ëndrrat e mia, se mua më vjen turp nga ëndrrat e mia të gjumit të thellë.

Ne ende nuk i shkruajmë dhe rrëfejmë në mënyrë të sinqertë e të ndershme tragjeditë e dëbimit e të largimit të shqiptarëve nga atdheu. Kemi patur shume debime e debohemi përdite. Se liria jonë nuk ka shpëtuar ende nga dhuna më e egër që ushtron frika jonë ndaj vetes tonë.

900 katunde shqiptare u dëbuan nga Toplica shqiptare dy vjet para Lidhjes së Prizrenit. Më shumë se gjysma e asaj popullsie u dëbua. Ata që u fshehen e shpëtuan, ndërruan fenë dhe emrin. Sot i kemi shqiptarë të serbizuar. Nga ato katunde dolën divizionet speciale me të cilët krenohet Serbia në luftën e Kumanovës. Gazetat e botës shkruanin atëhere kur u dëbuan e përzunë shqiptarët se, Po del Turqia prej Ballkanit. Shumë pak njerëz e dinë këtë se nuk e kemi shkruar për të gjithë dhe për të nesermen në letërsi. Nëse do t’i besojmë asaj të vërtete që Parisin e nëndheshëm njerzit e njohin nga veprat e Hygoit, aq duhet të besojmë se letersia jonë nuk e ka shkruar këtë dëbim të shqiptarëve nga serbët me ndihmën dhe përkrahjen e plotë e të madhe të Turqisë. Vetëm turq nuk ishim ne shqiptarët. As aleatë apo të dashur të turqve nuk kemi qenë e nuk jemi. Se tuqit kanë patur aleatë dhe të dashur armiqtë tanë dhe me armiqtë tanë kanë kurdisur e nënshkruar marrëveshje për të na dëbuar prej trojeve tona e për të populluar shkretëtirat e Anadollit e për të përmirësuar rracat e huaja.

Nuk po flas për shumë dëbime, por ato më kryesoret, ato më tragjiket, nuk i kemi shkruar në letërsi. Puthemi me Turqinë duke harruar përditë se ajo ka qenë goja që na ka gëlltitë, ajo ka qenë fuqia që e ka ndihmuar Serbinë të realizojë platformën e vet të dëbimit të shqiptarëve dhe shprazjen e Kosovës prej shqiptarëve. Turqia mori shqiptarët, Serbia u mori trojet dhe atdheun. Se Turqia kishte djerrina pafund e donte skllever vitalë siç ishin shqiptarët, të cilëve ua ndërroi menjëherë mbiemrat, nuk u lejoi kurrë shkollë, i përdori mercenarë e supërmercenarë për t’ua zhdukë plotësisht identitetin shqiptar, që për fat të keq të turqve e të serbëve, ky identitet vritet por nuk shuhet e nuk shfaroset për fare. Fati i keq i vu shqiptarët para pushkës serbe dhe i drejtoi drejt djerrinës Turqi.

Fati i keq i ndoqi shqiptarët kur pushtuesi serbë pas Luftës së Dytë Botërore ua krijoi mundësitë e lehtësitë që shqiptarët të derdheshin Europës të shpërndarë si emigrantë ekonomikë për punë. Ani se serbët nuk e besuan kurrë se shqiptarët që u dëbuan në këtë mënyrë gjoja të butë e fitimprurëse, nuk i shkulën kurrë rrënjët nga Kosova, edhe pse atdheu ishte i pushtuar nga pushtuesi serb.

Pa folë për dëbimin më masiv, më të shpejtë, dëbim nga frika, dëbim, edhe nga fërshëllima e bilbilit të policit serb apo të magjypit të katundit, dëbim që tronditi më rëndë se kurrë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, dëbim që u kuptua nga të gjithë edhe si faj kolektiv pasi ndodhi kthimi i rrufeshëm nëpër mina e bomba për në atdhe se nuk u ndje mirë shqiptari që iku ashtu aq shpejt, nuk u ndje mirë se nuk bëri si të parët që amanet na e kanë lanë, më parë me dhanë shpirtin e pastaj gjanë… Por dajaku ishte breshëria e plumbave serbe që i dëboi shqiptarët dhe para plumbave njeriu është mish e jo hekur. E megjithatë, ky dëbim e kjo ikje duam apo nuk duam na godet pa pushim në kokë. Dikush don ta harrojë, dikujt i vjen marre, dikush don ta kujtojë për të mos e harruar kurrë.

Unë nuk kam guxuar ende ta shkruaj historinë time të Luftës për Kosovën, luftë që e fitoi Amerika me NATO-n me ndihmën e shqiptarëve dhe të lotit të burrave shqiptarë të cilët nuk mund të luftonin me thoj e me gurë përballë armëve speciale serbe. Unë nuk e kam shkruar ende historinë time të luftës për Kosovën, për këtë copë të madhe Shqipërie të pushtuar nga serbët, sepse mua dhe shumekujt si mua, shumëkujt pranë meje e më larg meje, lufta për Kosovën na është dukë si lufta e huaj e jo si lufta jonë, jo si lufta ime, jo si luftë për atdheun tonë por si luftë e huaj, si lufta e dikujt tjetër. Anise ky dikushi tjetër ishte e është gjysma ime prej gjakut tim, por komunizmi në Shqipëri na pati mësuar se Kosova është jo e jona, se Kosova është Jugosllavi, se me Kosovën na ndan kufiri serb e jo kufiri shqiptar dhe Kosova është diçka tjetër, diku tjetër, jashtë nesh.

Këtë patriotizëm na mësonte komunizmi në Shqipëri, ndërkohë që burgjet serbe mbusheshim me shqiptarë për fajin e vetëm se ata e donin Shqipërinë dhe shpesh e barazonin atë me udhëheqësin e saj diktator.

Asgjë nuk u ka bërë Serbia shqiptarëve nëpër burgje krahasuar me atë që u ka bërë Shqipëria e diktatorit shqiptarëve të Kosovës nëpër burgjet e kampet e përqëndrimit në Shqipëri.

Mos shkruarja e kësaj letërsie e historie ka me sjellë vazhdimisht dyshime, keqkuptime dhe ka me pasë jetë ende në mendjen e popullit shqiptar diktatura e llustruar.

Lufta për Kosovën, pjesëmarrja e papërfillshme e Shqipërisë administrative në këtë luftë, mashtrimet e pasluftës për gjoja kontribut të madh të Shqipërisë, mospjesëmarrja në luftë më armë në dorë e shqiptarëve të Shqipërisë, janë patate të nxehta në duart e sejcilit prej nesh.

Lufta për Kosovën nxori në drtitë të diellit mashtrimin komunist të Shqipërisë dhe përrallat patriotioke që të neverisin. U pa sa patriotë jemi. U pa sa trima jemi. Ajo luftë duhet shkruar dhe nuk na lejohet që të përsëritet fallsifikimi komunist i pas luftës në Shqipëri.

Fati më i keq i dëbimit të shqiptarëve prej atdheut ndodhi në fillim vitet ’90 në Shqipëri. Po të kishte anije më shumë, ndoshta më shumë se gjysma e shqiptarëve do të iknin prej atdheut, të dëbuar prej atdheut duke u pajtuar me rrezikun e mbytjes në det pasi u dukej më e dhunshme dhe e rrezikshme të rrije në Shqipëri se sa rrezikoje në det. Kush i dëboi shqiptarët në vitet ’90. Dajaku ishte mungesa e dashurisë për atdheun. Se atdheu nuk u premtonte asgjë veç bukës së mistrit të mykur me sheqer dhe mbijetesës në kampin e madh të përqëndrimit që quhej Shqipëri. Misri ishte për derrat dhe shteti ua jepte të mykur njerzve që ta gatuanin bukë në furrat e kooperativave. Atdheu nuk lejohej të ishte Shqipëria por atdhe ishte bërë partia dhe ngado shkruhej parulla e tmerrshme : Partia – Shqipëria. Zoti ishte vra. Ishte shpallë zot diktataori dhe fe partia. Betimi, pasha zotin të fuste në burg. Betimi i duhur dhe më solemni ishte, Per ideal të parties, Pasha nderin e Partisë!.

Mbreti Zog braktisi atdheun, iku në mënyrë të pahijshme dhe asnjë shpjegim e rrethanë nuk e justifikon. As edhe pse mendonte se nuk duhej të vriteshin shqiptarët se ishin pak. Por ama mbreti Zog që iku për veten e tij, la një popull patriot në vend, të paorganizuar. Edhe pse i tillë, populli shqiptar u dynd nëpër depot e armëve dhe kërkonte armë të luftonte me italianët. Se ishte popull patriot.

Po Enver Hoxha si e la popullin e tij. U pa se si e la. Patriotizmi kishte vdekë, e kishte vra diktatura. Liria me ikë prej atdheut, nga sytë këmbët, me ikë sa më shpejt është dhurata që diktatura u bëri shqiptarëve. Është ndërtimi i njeriut të ri që atdhe kishte partinë.

Ikën shqiptarët duke marrë nga një copë atdhe në shpinë, nga një copë atdhe në zemër si hajmali. Ky fat i keq i ndoqi kudo shqiptarët në hapsirën e tyre shqiptare.

Dëbimi i shqiptarëve vazhdon si mallkim që buron nga vetë shqiptarët që dinë të zgjedhin qeveri apo u imponohen qeveri që dinë të dëbojnë shqiptarë prej hapsirës së tyre. Sa shqiptarë kanë ikë prej hapsirës tonë pas shembjes së diktaturës në Shqipëri e pas ardhjes së lirisë në Kosovë. Asnjëherë nuk e shkruajmë këtë tragjedi që ndodh përditë para nesh. Këtë tragjedi që shqiptarët i përzë atdheu edhe në kushte lirie, që nuk i do atdheu, nuk i mban atdheu. Po shqiptarët vetem me ikje e duan atdheun? A dinë të luftojnë shqiptarët kundër shkaktarëve që i dëbojnë prej atdheut? Kujt i intereson që shqiptarët e mbetur në atdhe të shtrijnë dorën e lypësit e të presin mëshirë nga djemtë që jetojnë nëpër botë, që shesin gjakun për të nxjerrë jetesën e për të mbajtë familjet që kanë në atdhe.

A flitet për liri, kur politika, me dije, me padije, me ligësi, pa ligësi, u bën shqiptarëve në hapsirën e tyre jetike atë që nuk ua kanë bërë as pushtuesit më të egër. Nuk ka punë, nuk ka prodhim, nuk ka borgjezi kombëtare por vetëm borgjezi tregtare që shet dhe blen.

Shqiptarët po skllavërohen nëpër fasone si skllever modernë të këtij fillim shekulli, që urdhërohen, kërcënohen, poshtrohen për copën e bukës së përditshme. I kërcënojnë dhe u imponohen që të jenë edhe mirënjohës ndaj skllavopronarëve të rinj që nuk ua paguajnë as minimum jetik sklleverve që janë pothuaj gra dhe vajza shqiptare. Kjo është tërheqje zvarrë e lirisë, përdhosje e dinjitetit të gruas, nënës e motrës shqiptare e cila skllavarohet me mbajtë frymën gjallë.

Liria dhe abuzimi me të, jep leje edhe për infiltrime të lloj llojshme. Edhe me shpik komb e identitet kosovar, edhe me shpik gjuhë. Ani se themelet, vorret e toka janë shqiptare, ani por jepen fonde me krijue e promovue kombin e identitetin kosovar. Se Kosova e bashkuar me Shqipërinë, bashkim fizik që ka ndodhë por do të vonojë bashkimi i qeverive se feudalët duan sejcili feudin e vet, nuk pranohet nga ata që luftuan me pushkë në dorë për ta lënë nën Serbi në Luftën e Dytë Botërore, nuk pranohet as nga pinjollët e tyre, pasi Kosova është peshë e rëndë, të fut dridhmën e të bën me nirthë edhe në gusht.

Për fund, do të lexoj dy vargje të hershme të miat nga libri im Mali i Hënës:

Unë e atdheu jemi jek e jek

Çerek jam unë, atdheu çerek…

(Ky shkrim është lexuar pjesërisht në Bibliotekën e Prishtinës, në qershor 2014, është botuar pjesërisht në organe të ndryshme)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat