Madhështia që nuk zbehet kurrë, as në atelie

Kultura

Madhështia që nuk zbehet kurrë, as në atelie

Nga: Vjollca Aliu Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 19:39
Anton Çetta

Sot, kujtimet tona rikthehen. Shënohet 31-vjetori i aksionit atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve në Kosovë, i cili filloi me nismën e të rinjëve dukagjinas, të cilët me besimin e plotë, në ballë vunë plakun e urtë, profesorin Anton Çetta. Ky aksion u përhap anembanë vendit. Më 2 shkurt 1990 filloi ora e madhe e historisë, për "hatrin e atdheut" e për respekt të pajtimtarëve, fushat e gjëra, odat e kodrinat po mbusheshin me mijëra njerëz. Tani, për të shtri dorën e pajtimit, për t'i shuar ato mijëra gjaqe për vite me radhë, në Rrafsh të Dukagjinit, në Verra të Llukës, në Has, në Podrime, në Kaçanik, në Rugovë, në Llap e në Gollak, në Karadak, në Drenicë, në Shalë, në Rekë, në Rrafshin e Kosovës e kudo në vend.

"Krushqit e pajtimit" çdo ditë e më shumë po shtoheshin, ashtu si edhe po shtohej numri i gjaqeve të falura, ku në radhën e kësaj "krushqie" ishin edhe intelektualët me autoritet tek populli: akademik Mark Krasniqi, Zekeria Cana, Ramiz Kelmendi Azem Shkreli e shumë të tjerë, të cilët misionin e tyre atdhetar e humanitar po e zgjeronin në nivel mbarëkombëtar, kudo ku frymohej shqip.

Tata i dy vajzave: Donika dhe Agata (Tata e quanin ato), profesori universitar, punëtori shkencor i Institutit Albanologjik në Prishtinë, mbledhësi i folklorit, njohësi i mirë i traditave dhe kodeve zakonore të shqiptarëve, patrioti i njerëzishëm nuk po bënte më gjumë, pothuajse hiç, po shtegtonte nëpër të gjitha viset për t'i pajtuar familjet që ishin në gjak. Ai ishte i rrethuar gjithherë nga shumë të rinjë, entuziastë e të palodhur, mbështetës të tij, njërin nga të cilët, Flamur Gashin, e quante "Shkopi i pleqërisë". Dhe, bashkë e pa u ndalur, organizonin tubime madhështore, ku të pashmangshëm ishin edhe lotët, të cilët lagnin, jo rrallë, duart e shtrira për pajtim, duke i dhënë kështu fund gjakmarrjes e duke i hapur rrugë jetës vëllazërore, shoqëruar me lot gëzimi.

Ne që e njohim profesorin Anton Çetta prej librave, prej faljes së gjaqeve, prej mirësisë në fytyrën e në shpirtin e tij, sidomos kur dorështrëngoheshin duart e pajtimit, mu ashtu, domosdo duhet, brezit të ri dhe atyre që do të vijnë t'u flasim për madhështinë e tij, t'u paraqesim historinë ashtu siç ishte, bardh e zi e me ngjyra.

Misioni fisnik i pajtimit të gjaqeve u realizua e dha efekt, i cili reflekton edhe sot. Kujtimet rikthehen, por vlera, kujdesi për atdhetarin nuk u bë meritueshëm, madje them, moskujdes e mospërgjegjësi e pafalshme. Edhe pas më shumë se 2 vjetësh shtatorja e misionarit pajtimtar, Anton Çetta, me dorën e zgjatur, sikur po kërkon pajtime të pandalshme, rri e mbyllur në atelien e skulptorit ferizajas Agon Qosa.

Edhepse, më 10 nëntor 2020, Kuvendi Komunal i Prishtinës, mezi u bënë razi dhe vendosën që shtatores së profesorit Anton Çetta t'ia bëjnë vendin te Fakulteti Filologjik, kjo nuk u bë deri sot. E pafalshme kjo! Shih më pas, u mor një nismë tjetër, që kjo shtatore të vendoset më 15 janar 2021 në oborrin e Katedrales "Shën Nënë Tereza" në Prishtinë, por kjo nuk u mundësua, sepse ishin ato dy vajzat e Tatës, Donika e Agata, të cilat e kundërshtuan këtë. Ato, të vetëdijshme për vlerën e Tatës së tyre dhënë për kombin e atdheun, thanë se, misioni i tij fisnik u realizua duke u bazuar në vlerat e pajtimit, paqes, tolerancës fetare e mbi të gjitha mbi dashurinë e madhe ndaj popullit të vet shqiptar. Kështu, ato nuk lejuan që djallëzitë e të bëmat stërkeqe gjatë dy dekadave të fundit, dhe jo vetëm, tani të mos ia lënë rehat as eshtrat nën varre Tatës së tyre dhe të gjithë atyre që u shkrinë për këtë tokë, e u bënë feniks që ne të jetojmë mbi hirin e tyre. Derisa eshtrat e profesorit Anton pushojnë nën dheun e tokës së prarueshme, çoroditjet e marrëzishme vazhdojnë të sillen mbi tokë.

Sa të vegjël jemi përballë sakrificës së të mëdhenjve, si Anton Çetta! As mbyllur në atelie, madhështia e tij nuk zbehet dot!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat