Shqiponja e fshatit tonë

Kultura

Shqiponja e fshatit tonë

Nga: Dibran Demaku Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 12:40
Dibran Demaku

Ne kishim shqiponjën tonë.Ajo kishte ngritur folen e vetë në lisin më të lartë të malit të Shaqirit.Shaqiri kishte qenë babai i Hasanit.Hasani ishte fqiu ynë i parë.Shtëpinë e tij e ndante rruga kryesore e fshatit.

Se si kishte ardhur Shqiponja dhe kishte bërë folenë në malin e Shaqirit nuk e dinte askush. Të parat që filluan të ankoheshin në Shqiponjën ishin plakat e fshatit,të cilave thuajse çdo ditë u mungonin pulat që ua grabiste Shqiponja.

Ndërkaq ne fëmijët e fshatit  ishim më të lumturit që kishim Shqiponjën tonë.Ajo na shoqëronte çdo pasdite kur ne nxirrnim bagëtitë në kullotë.Mjaftonte që njëri nga ne të nxirrte nga gjoksi thirrjen:hu merre merre!-dhe Shqiponja me krahët e saj të gjerë të mbulonte qiellin mbi ne.

Shqiponja e dinte se ne fëmijët do të gjuanim zogj,ndërkaq zogjët e gjorë duke ikur nga gurët tanë sapo tentonin të fluturonin binin pre e Shqiponjës e cila i zinte në fluturim.

Shqiponja sapo zinte ndonjë nga zogjtë e gjorë ikte dikah.Ne fëmijët shihnim lartë nga qielli derisa shihnim kthimin e Shqiponjës dhe vazhdonim aksionin tonë.Veçse në aksionin tonë pësonin zogjtë e gjorë:ose binin pre e gurëve tanë ose e kthetrave të Shqiponjës.
Dhe kështu zgjati tri apo katër vite.Në një verë të nxehtë Shqiponja si zakonisht përcillte aksionet tona fëmijërore.Ajo sikur ishte bërë roja jonë.Edhe kur ne freskoheshim në lumin e fshatit ajo fluturonte në rreth duke përcjell çdo lëvizje tonën.

Në një mesditë të asaj vere të nxehtë,Jakupit,atij problematikut të fshatit tonë i kishte feksur një ide në kokë:na kishte tubuar të gjithë fëmijëve të fshatit duke na thënë se do të bënim një aksion të rëndësishëm.Do të shkonim tek lisi ku kishte folenë Shqiponja dhe do t‘i merrnim vezët e saj.Se çfarë i duheshin ato vezë ne nuk e dinim,por që të gjithë i shkuam pas.

Kur arritëm tek lisi ku kishte folenë Shqiponja,ajo nuk ndodhej aty.Jakupi si më i shkathti nga ne filloi të ngjitej lisit përpjetë!Me njërën dorë mbahej fort për trupin e lisit,ndërkaq në tjetrën shtrëngonte një rremb që kishte shkëputur nga një lis tjetër.Sa më lartë që ngjitej,në ne që kishim mbetur tek rrënjët e lisit na shtohej frika se mos do të binte poshtë.Ndërkaq Jakupi ngjitej e ngjitej në lisin e lartë.Kur arriti tek foleja nxori një klithmë sikur ta kishte kafshuar gjarpëri.
-Uaaaaa,këtu nuk paska vezë!Këtu qenkan vetëm tre zogj të vegjël!

Zogjtë e kishin vënë re praninë e tij dhe nxorën ca zëra të trishtuar.Kjo mjaftoi që Shqiponja të shfaqej në qiellin mbi lisin e madh.Me një shpejtësi rrufeje u sul drejt folesë të saj që të mbronte të vegjëlit nga rreziku.
Kur ne që shikonim nga poshtë prisnim me zemër të ngrirë që Jakupi të binte poshtë nga sulmi i Shqiponjës,pamë që Shqiponja të ngrihej lartë dhe të bëhej gati për sulmin e dytë.Pamë Jakupin tek qëndronte me rrembin e lisit në dorë dhe priste sulmin e dytë të Shqiponjës.Por edhe në sulmin e dytë Jakupi doli fitues.Shqiponja kishte arritur që me thonjë apo me krah ta çikte pak në faqe nga atij i rridhte një vijë e hollë gjaku.

Sulmi i tretë i Shqiponjës ishte edhe më i fortë dhe më i dhimbshëm.Jakupi kishte zënë njërin nga zogjtë në fole dhe e shtrëngonte në dorë.Ai nxirrte cicërima të dhimbshme dhe sikur e ftonte nënën e vetë në ndihmë.Por edhe sulmi i tretë i Shqiponjës përfundoi pa sukses ndaj Jakupit,armikut të zogjëve të saj.

Ajo sërish fluturoi drejt qiellit që të ngrihej sa më lartë dhe të bënte sulmin e saj të radhës.

Në ndërkohë Jakupi zogun që mbante në dorë e hodhi drejtë tokës i cili nga përplasja e fortë sa u përqafua me tokën vdiç.Shqiponja po bënte rreth rrotullimet e saj që të lëshohej me tërë fuqin mbi sulmuesin e të vegjëlve të saj.Ndërkaq Jakupi tashmë i kishte hedhur poshtë tek rrënjët e lisit edhe dy të vegjlit e tjerë të saj,që kishin pësuar të njejtin fat si i pari.

Kur Shqiponja kreu sulmin e radhës drejt folesë ku pak më parë gjendeshin të vegjëlit e saj,Jakupi gjendej në gjysëm të lisit duke zbritur.Shqiponja u ngrit sërish lartë në qiellin pa asnjë re të asaj ditë të nxehtë verore.Jakupi zbriti poshtë si triumfues,por ne fëmijët tashmë ishim larguar nga ambienti ku ndodhej lisi me fole të Shqiponjës.

Pasdite,kur i nisëm bagëtitë drejtë kullose ne e ftuam si zakonisht Shqiponjën tonë që të na shoqëronte,por siç duket ajo mbante zi për të vegjëlit e saj,nuk u duk askund në qiell.

Ne ishim të mërzitur për Shqiponjën tonë.Ishim të mërzitur edhe për të vegjëlit e saj që kishin pësuar pa pasur asnjë faj!
Shumë pasdite të asaj vere e thirrëm me dëshpërim Shqiponjën tonë,por ajo më nuk u pa as mbi qiellin tonë as tek foleja mbi lisin e lartë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat