Forcimi dhe ruajtja e shtetit të Kosovës – kredo e ndryshimeve të tanishme politike

Kultura

Forcimi dhe ruajtja e shtetit të Kosovës – kredo e ndryshimeve të tanishme politike

Më: 13 mars 2021 Në ora: 09:50
Jusuf Buxhovi

Çfarëdo shkitje nga kjo formulë, jo vetëm që dëmton shtetin e Kosovës si të arriturën me të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull, por njëherësh rrënon edhe raportet gjeostrategjike dhe gjeopolitike në rajon në përputhje me interesat e Perëndimit

Nga pikëpamja historike, shteti i Kosovës i hoq raportet antihistorike midis “qendrës” dhe “periferisë” shqiptare, të vendosura nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Këtu gjen mbështetjen edhe qëndrimi se shteti i Kosovës paraqet arritjen më të madhe të këtij shekulli. Ndërsa nga pikëpamja politike, shfaqja e dy shteteve shqiptare në Ballkan, idenë e bashkimit kombëtar, si e drejtë e patjetërsueshme, e zhvendosi te koncepti i bashkimit të dy shteteve shqiptare në kuadër të një unioni gjithnjë në përputhje me vullnetin demokratik dhe në pajtim me aleatët perëndimor, që përkundër prapaskenave dhe vështirësive të njohura nga Kriza Lindore e këndej nëpër të cilat ka kaluar bota shqiptare, megjithatë kanë mundësuar prodhimin e këtyre realiteteve shtetërore.

Këto realitete duhet të kuptohen mirë nga aspekti shoqëror-politik po edhe ai diplomatik në mënyrë që rrethanat e krijuara gjeostrategjike dhe ato gjeopolitike të shfrytëzohen që roli i shqiptarëve në rajon, të forcohet duke u kthyer në faktor të pakapërcyeshëm i një subjekti vendimarrrës. Kjo nënkupton qasje serioze të klasës politike ndaj zhvillimeve të jashtme, po më shumë atyre të brendshme, që do të mbështeten në stabilizimin e shtetit nga të gjitha aspektet si dhe ruajtjen dhe thellimin e aleancave me Perëndimin, sidomos SHBA-të nga jashtë.

Në këtë aspekt, të dy shtetet shqiptare, ndodhen para sfidës së ndryshimeve radikale në skenën politike dhe shoqërore, që tashme në Kosovë kanë filluar pas zgjedhjeve të shkurtit dhe atyre në Shqipëri, që pritet të ndodhin gjatë prillit.

Ndryshimet në skenën politike të Kosovës, duhet të kuptohen si mandat demokratik dhe jo si monopol i një partie për fuqi autoritare apo qeverisje oligarkike të modelit shtet-parti. Pra, fuqia parlamentare dhe qeverisja absolute, gjithnë në përputhje me rregullat demokratike dhe respektimin e opozitës, duhet të përqendrohet te shkëputja nga politika e deritanishme, që nuk ka lejuar që shteti i Kosovës të konsolidohet nga brenda, nga shkaku se pjesa më e madhe e klasës politike idealin e bërjes dhe forcimit të shtetit e ka kthyer në vullnet për kapjen e tij të gjithanshme thuajse në të gjitha shtyllat kryesore (ekonomi, arsim,kulturë, shëndetësi) për ta kthyer në plaçkë, ndërkohë që edhe parlamentarizmin si postulat të demokracisë e ka kthyer në një instrument për këto qëllime duke e zhvlerësuar deri te prmasat e humbjes së besimit ndaj tij. Këtu veprime të papërgjegjshme dhe kriminale kanë prodhuar pasoja të rënda nga brenda dhe nga jashtë po ashtu, në njërën anë humbja e besimit në të ka vu në veprim ikjen në masë të të rinjve prej tij në kërkim të ndonjë perspektive sado të paqartë jashtë, ndërsa në tjetrën anë shfaqjes së mosbesimit të aleatëve perëndimorë në kredibilitetin e tij.

Natyrisht, se në zgjedhjet e fundit, ndryshimi radikal në skenën politike, pasqyroi dënimin e politikës antishtetërore nga qytetarët e dëshpëruar dhe të mashtruar për vite të tëra, siç tregoi edhe besimin ndaj motos së ndryshimit të kësaj gjendjeje nga bartësit e saj, me theks te veçantë te hapja e perspektivës për të gjithë, ku kthimi i shtetit ligjor, luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe të faktorëve të tjerë që kanë sjellë këtë gjendje, kthehen në prioritet të qeverisjes.

Meqë kjo pritje, në këto rrethana, mund të merret me atë të një kthese të rëndësishme, detyron bartësit e këtij ndryshimi politik që besimin e qytetarëve ta shohin si një kauzë afatgjate, si një maratonë, dhe jo si një sprint që përfundon pas disa hapave me zëvendësimin e garniturave politike me militantë apo premtime të tjera pa mbulesë, siç ndodh kur fitohet pushteti apsolut, me çka mashtrimi riciklon modelin e keqeverisjes politike karakteristikë për partitë në rrethanat e tranzicionit jo vetëm te shqiptarët por edhe tutje në rajon. Por, këto ndryshime premtuese, që iu dha besimi qytetar me shumicë, që të kthehen në një kauzë, për moto duhet ta kenë stabilizimin e shtetit të Kosovës gjithanshëm, pra kosovocentrizmin dhe assesi ndryshe. Formulat tjera, siç ishin ato të kohëve të fundit nga kreu i shtetit të kusuritjeve me Serbinë gjoja për "pajtime historike", jo vetëm që paraqesin shkitje nga kauza e ndryshimeve pozitive, por fusin një avanturë të rrezikshme, që dëmton raporet me aleatët perëndimorë dhe interesat e tyre në rajon,që janë ngushtë të lidhura me ato shqipare në përgjithësi.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat