Torzo e gjallë

Kultura

Torzo e gjallë

Biser Mehmeti Nga Biser Mehmeti Më 28 mars 2021 Në ora: 19:05
Foto ilustruese

Me sytë e mendjes e shihja veten të kredhur në një humnerë të errët nga e cila nuk isha në gjendje të dilja. Kisha bindje sikur shpirti dhe mendja i kishin shkëputur lidhjet me kohën. Kokën e kisha të mbushur me gjëra amorfe. Një mendje më thoshte sikur trupi im ka një kohë të gjatë që është dekompozuar në një fushë të paskajshëm. Një zë i largët më thoshte me tinguj të çakorduar: tre njerëz të veshur me uniforma të hirta, pasi u shkrryen mbi trupin tënd si bisha të malit, ta hapën një varr në të cilën të mbuluan me dhe... Prej asaj kohe fillova ta ndjej veten më të vdekur se të vdekurit.

Shpesh kisha bindje sikur gjendesha në botën e të gjallëve, edhe pse nuk e ndjeja veten të gjallë... Dëshiroja t’i hapja qepallat e ta shihja hapësirën në të cilën edhe ndodhesha, edhe nuk ndodhesha, po kisha frikë sikur afër meje gjendeshin prindërit e mi të vdekur, të cilët tre njerëzit me uniforma të zeza i vranë pa mëshirë, madje derisa e bënin një gjë të këtillë më detyronin me dhunë t’i mbaja sytë hapur. Shpeshherë vdekja ka vlerë më të madhe se jeta, më pati thënë babai me zë të çjerrë disa çaste pasi shpirti i tij të shkëputej nga trupi me njëqind mundime. Shpeshherë të çmendurit janë më të lumtur se të mençurit... Dëshiroja edhe më tutje të flisja me vetveten, e cila kisha bindje sikur qëndronte afër meje dhe gjatë gjithë kohës më vështrone vengër, po mendimet më ngatërroheshin në mes veti... Sapo me njëqind sakrifica arrita t’i hapi qepallat një forcë e mistershme përsëri m’i mbylli pa dëshirën time. Zemra më rrahu fuqishëm sa pata bindje siur më doli nga kraharori. Më kaploi bindja sikur edhe pas shtatë e ndoshta më shumë ditësh tre njerëzit e veshur me uniforma të zeza, të cilët në duar kishin pushkë të gjata, qeshnin e zgërdhiheshin me zë të lartë sa në një çast pata bindje sikur afër meje gjendeshin tre ujqër të uritur, të cilët do të ushqeheshin me mishin e trupit tim...

Derisa grindesha me vetveten një zë i largët më tha: njëri nga tre njerëzit e veshur me pelerina të gjata pasi u shkrry mbi trupin tënd të vrau me katër plumba, prandaj ti nuk gjendesh në këtë botë, po në botën e amshueshme!... Nuk e di si ndodhi e pastaj i thashë vetes: a është e mundur që edhe në botën e amshueshme tre njerëzit që më vranë të vinin pas meje për të më shkaktuar plagë të rënda përsëri jo vetëm në trup, po edhe në shpirt!... Prej asaj nate të ftohtë dimri, gjatë së cilës hëna qëndronte në një skaj të qiellit dhe gjithnjë vajtonte për diçka që nuk e kuptoja, kur ata hynë në shtëpinë time e pastaj më tërhoqën zvarrë, mëngjesi u arratis nga hapësira dhe duket sikur nuk kishte guxim të shfaqej përsëri. Prej atij çasti më nuk e pashë as diellin, as hënën, as yjet...

Prej atij çasti fatal më nuk dëgjova as cicërimat e zogjve. Ndoshta edhe zogjtë i vranë njerëzit e veshur me rroba murgjish, të cilët në duar mbanin pushkë të gjata... Sa shumë kam frikë se bota është përmbysur, andaj edhe kurë nuk do të mund të gjej shtëpinë time, të cilën jam duke e kërkuar tash e një kohë të gjatë... Një mendje e marrë më thotë sikur gjendem në shtëpi, po nuk jam në gjendje ta kuptoj një gjë të këtillë... Disa çaste u mundova të kuptoj nëse mbi hapësirë është shtrirë këmbëkryq mëngjesi apo mbrëmja, po nuk isha në gjendje të kuptoja asgjë... E di, i thashë vetes derisa dëshpërimi më kafshonte me dhëmbë të mpehtë nëpër gjithë shpirtin, ata tre të mallkuar m’i vranë të gjitha ndjenjat, prandaj më nuk ndjej asgjë, prandaj i ngjaj një të vdekures që qëndron mbi dhe duke u dekompozuar, ngase nuk ka kush të më varros!... Disa çaste më duket sikur jam orvatur të shikoj diçka në hapësirë, po nuk arrija të shihja asgjë, përveç një errësire të gjallë, e cila më mbështille si një qefin i leckosur... Ndoshta ushtarët e veshur si murgj m’i verbuan sytë që të mos i shoh plagët që m’i shkaktuan në trup, mendova me vete... Ndoshta pasi ata të mallkuar u larguan të dalldisur nga kënaqësia e çmenduria, nga tërbimi i verbora sytë e mi, sepse nuk dua më ta shoh botën me pamje të shëmtuar as njerëzit me trajtë të çuditshëm... U orvata me tërë qenien e shpirtit të gjymtuar të ngrihesha nga vendi, në të cilin kisha bindje sikur qëndroja para shumë kohësh, po gjymtyrët nuk isha në gjendje t’i lëvizja... Ndoshta ata djaj të mallkuar, të cilët kishin të veshur rroba murgjish sa mendova se ishin murgjë bizantinë, m’i prenë këmbët që të mos lëvizi kurrë nga vendi...

Ndoshta më mirë që m’i prenë këmbët sesa të ma kishin prerë kokën!... Jam e lumtur që pa këmbë mund të jetoj edhe më tutje!... Jam torzo e gjallë në një kohë të stërkequr e në një botë të shthurrur, i thashë vetes edhe pse nuk dëshiroja t’i thosha... Derisa e sfilisja shpirtin e shkallmuar në imazh m’u shfaq shtëpia e lindjes, e cila ishte kredhur në mugëtirën e një trishtimi të plakur... O Zot, më duket sikur kam klithur nga pesha e trishtimit, çka ka ndodhur me prindërit e mi, të cilët njerëzit e veshur me rroba ushtarësh po që ushtarë nuk mund të ishin...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat