Ju ngadhënjyet...

Kultura

Ju ngadhënjyet...

Nga: Zymer Mehani Më: 10 prill 2021 Në ora: 07:25
Zymer Mehani

Të hekurtit topa ende mbajnë erë gjaku

Të hidhur, t'neveritshëm, plot helm e plot tmerr

Prej nga vinte e zeza vdekje si korbi… vetë kobi

N'atë kasaphane…. n’atë skëterrë të mjerë

E demonët e përjargur vetëm me një sy

Donin të na zhbinin si mua dhe ty

Ata- të gatshëm me një dorë në hanxhar

Me ata dhëmbë të prehtë mu si kanibalë

Që ecnin nëpër terr e kafshonin pandërprerë

Dhe sakatonin e verbonin egërsisht si përherë

Edhe lulet e njoma, ato lulëkuqe deshën t'i nxinin

Dhe Zotin e shanin …e diellin e pështynin

Se i tillë është shpirti i tyre, të tillë zemër kanë

Mungëtirë, sterrë, skëterrë, të akullt, kallkan…

Kafka dhe eshtra të kryqëzuara

E të përbalturat armë, të lyera dhe me gjak

Ende mbajnë erë mortje…. vrer, helm a farmak

E ne na sjellin përherë neveri, trishtim,

Sepse deshën t'lahen me gjak t'popullit tim

E tillë ishte lakmia e tyre për këtë tokë arbërore

Për këto fusha të paanë, k’to male majeprehta

Për Alpet Plisbardha të kësaj Toke të shtrenjtë

Që kurrë s'u përkulën as u gjunjëzuan dot

Para gjithë atyre tytave kobzeza vdekjesh e gjaqesh

Por bijtë e shqipes me gjokset sa bjeshka

I dërrmuan dhe i mundën hienat e kulçedrat

Lirinë e gjakuar me shekuj e fituan

Dhe në t'atdheut altar përjetësinë e fituan…

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat