T’a duam e t’a respektojmë gjuhën e bukur shqipe

Kultura

T’a duam e t’a respektojmë gjuhën e bukur shqipe

Nga: Driton Gashi Më: 4 maj 2021 Në ora: 17:36
Driton Gashi

Ky nuk është shkrimi im i parë që tematizon gjuhën shqipe, ose më mirë të them mosrespektimin dhe degradimin që jemi duke i bërë ne vetë gjuhës sonë amtare. Në të shkruar dhe në të folur. Mjafton të hapësh televizorin ose internetin, ku menjëherë ndeshesh me një gjuhë rrugësh e plot banalitete, e cila flitet pa fije turpi në emisione, nëpër „debate“ shumë të pakulturuara politike, seriale të kota, në parlamentin e Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe nga gazetarë të paaftë. Më duket se të flasësh keq dhe pa përfillur asnjë normë gramatikore të gjuhës së unisuar shqipe, është aktualisht në modë në mediat kosovare dhe në disa në Shqipëri. Kam përshtypjen që edhe ata që shkruajnë e flasin bukur po i përshtaten këtij trendi dhe po bien në grackë të këtij fenomeni shumë të keq. Para disa ditësh e pashë rastësisht një prononcim të një gazetareje të njohur kosovare, të cilën e kam çmuar për guximin e saj dhe për temat që i shtjellon në emisionet që ajo i drejton. Ashtu si kishte shkruar nuk i përket as nxënësve të shkollës fillore, e lëre më një gazetareje me nam e me ndikim në shoqëri. Poashtu mënyra se si flet në emision.

Sidomos komunikimi masiv në rrjetet sociale dhe „asociale“ në internet është bërë i padurueshëm.

„qysh je a je mir a po vjen kosov, nihum telefon, hajde pina kafe prishtin, a po shkon deti...“

Kështu shkruajnë shqiptarët patriotë.

A e dini ju se ka „ë“, e „ç“ në gjuhën shqipe? Se ka emra të përveçëm e të përgjithshëm? Se ka pika, presje, pikëpyetje, pikëçuditëse? A e keni lexuar „Abetaren“ e „Gu, gu pici gu?“ Te arsimtarja ime e gjuhës shqipe, Gjylizare Grazhdani në Prishtinë, nuk e kishit kaluar as klasën e pestë, nëse kishit bërë gabime të tilla në hartimet me shkrim. Ose te shumica e arsimtarëve të kohës së paraluftës në Kosovë, ku gjuha shqipe, mësimi i mirëfilltë i saj, të shkruarit e drejtë, leximi dhe kuptimi i lektyrave shkollore dhe romaneve si dhe ruajtja e saj kanë qenë pjesë të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar.

E tash? Në Kosovën e lirë, ku nuk na ndalon askush t'a flasim e t'a shkruajmë gjuhën tonë si duhet? Bëhemi kinse flasim anglisht e gjuhë tjera, thuajse tonën e kemi kënaqur! T’a mësojmë njëherë gjuhën tonë e pastaj të pohojmë se flasim edhe të tjera si duhet!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat