“Nën saç”- nji roman me vlera befasuese!

Kultura

“Nën saç”- nji roman me vlera befasuese!

Nga: Esat Myftari Më: 7 qershor 2021 Në ora: 13:38
Esat Myftari

Para pak muajve doli në qarkullim romani i ri i shkrimtarës Resmije Kryeziu, me titull “Nën Saç”, në botim të SHB “Lena Graphic Design”, në Prishtinë.

Romani ndërtohet mbi disa linja e zhvillime të mbas LDB në qytetin Pejë, pra në kohën kur ripushtimi jugosllav kishte nevojë për konsolidim të sundimit të vet dhe etje për nji revansh të denjë për emnin dhe traditën serbe. Për ata që janë rritë në atë klimë terrori dhe që janë njohës apo dëshmitarë pamorë të personazheve kryesore të tij, libri përban edhe nji rikujtim e zhvendosje në kohë reale të ngjarjeve. Në kët kuptim, libri asht i hapun për kureshtjen e të gjitha kategorive të lexuesve, tue fillue prej ma të rëndomtit e deri te politikani, esteti apo historiani, me premtimin e sigurt se do të gjejë çfarë i intereson.

Romani, në thelb, asht historik: merret me ngjarje e me njerëz të vërtetë, të cilët edhe mbas 70 e kusur vjetesh mbahen të gjallë jo vetëm në kujtesën pasive, por edhe në ligjërimin e shpeshtë të qytetarëve anas të Pejës. Kjo edhe për faktin se mbasardhësit e tyne u dëshmuen vazhdues të veprës së tyne dhe të genit të tyne.

Autorja asht mjaftue me trajtimin e momenteve kulmore të këtyne figurave tragjike. Megjithëse secili prej tyne me dosje të veçantë e të përpunueme në arkivin serb, ata kanë të përbashkët qenjën e tyne si elitë e Pejesë dhe, këndej, njerëz me ndikim absolut në popullatën shqiptare. Prandaj eliminimi i tyne nuk kishte si kriter vërtetimin e fajësisë së tyne vetjake, por asgjasimin e pranisë së tyne në atë hapësinë. Dhe, si surrogat të saj, fuqizimin e nji shtrese të hollë bashkëpunëtorësh vendas, merita e të cilëve ishin disa mbledhje të fshehta me serbë e malazezë gjatë luftës, si dhe pjesëmarrja e tyne nëpër disa komisione fantome, pa asnji tagër thelbësor.

Kët galeri personazhesh-viktima e përbajnë: Sefedin Begi, Xhevat Begi, Emrush Myftari, Myslym Hadri, Dervish Kryeziu dhe, për fund, humbja e hershme e kompozitorit të ri e fort premtues, Halit Kasapolli dhe e nji varg vehtjesh dytësore, por pa të cilët mozaiku nuk do të ishte i plotë, as funksioni organik i veprës.

Pra, aty do të gjeni fatin e:

Sefedin Begit, të thadruem me aq plasticitet në çastet e fundit të jetës së tij, të këtij politikani fort kompleks të Kosovës së midis dy luftave, ndaj të cilit do të ushtrohet nji përzimje mesjetare e urrejtjes nacionale dhe ideologjike;

Xhevat Beugit, të cilin e vorrosin në grop të kopshtit të vet në pozicion vertikal, me skuadrën e gabelëve përreth që hedhin me zell dhé mbi të;

Islam Hadrit – gjeodetit e projektuesit të hekurudhës, të vetmit inxhinier shqiptar të kohës, që rrëmbehet natën e zhdukët pa pompë e bujë. Të birit të terxhymanit të “Golgotës” serbe nëpër Veri të Shqipnisë, që e kishte krye detyrën me korrektësi njerëzore, por që u shpërblye ma vonë me plumb në ballë. Nji urrejtje patologjike kjo, që do të shtrihej edhe te brezi i tretë, Enver Hadri,

Dervish Kryeziun – nji vrasje kjo e paralajmërueme dhe nji elegji e re e qytetit, sepse dorasi ishte shqiptar, agjent i Sugrimit të shtetit shqiptar, kur Kosova ishte duerlidhë. Po shuhej, kështu, luftari i parafundit i Kryezive të Gjakovës, ditën për diell, në berberhane, në qendrën e qytetit, si shembull terrorizimi ditën për diell,

Emrush Myftarit – nji intelektuali me përvojë të madhe kombëtare e ndërkombëtare, të cilin e kishin cilësue si të rrezikshëm pikërisht për shkak të këtyne cilësive, personin që ishte mundue të realizonte nji vegim të pamundun kombëtar. Mbi të, do të shfrynin Milladini e Fadili, si dy korba të tandemit të ri malazezo-kosovar.

Por autorja, përveç këtyne fateve njerëzore e vizaton shum sakt edhe arqipelagun e ekzekutimeve të shqiptarëve të tjerë të zgjedhun: Zyrat e OZNE-s, Kullën e Sheremetit, Tabjen, Asllan Qeshmen etj, pra vendet që kërkojnë me ngut të fiksohen në dokumentet zyrtare të Kosovës së Pavarun dhe në mendjen e brezave të rij. Me po atë të drejtë, si, fjala vjen, Auschwitz-i. Dallimi në përmasa e numër nuk e ndryshon aspak frymën dhe pasojat që lanë këto krime!

Riprodhimi i rrëfimeve të dëshmitarëve të kohës, që jepet me gjuhë e figuracion të mirfilltë, asht nji prej meritave thelbësore të këtij romani me shum vleftë. Kush do me u shmallë me të folmen e prindëve tanë, me shpirtin e gjanë e durimtar të tyne si dhe me forcën homerike të përballjes së dramave e tragjedive individuale e familjare, le ta lexojë e rilexojë kët libër.

Gjykoj se çdo qytet i Kosovës duhet ta ketë nji libër të ngjashëm si ky. Pse asht, veç plotësimit të kërkesave estetike, nji shlymje borxhi ndaj historisë sonë, e cila po na ikë me pak rreshta proze të dykuptimta apo me vargje të ashtuquejtuna hermetike, që s’ishin veçse gjymtim i imponuem i së vërtetës kosovare. Mënyra që kuptohen e amnistohen për kohën, por që sot përbajnë nji faj të ndërgjegjshëm.

Shfrytëzoj rastin t’i uroj autorës shëndet e vullnet për krijime të tjera, po kaq dinjitoze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat