Sadije Aliti dhe drita magjike e dashurisë

Kultura

Sadije Aliti dhe drita magjike e dashurisë

Nga: Baki Ymeri Më: 10 korrik 2021 Në ora: 12:13
Kopertina

Poetët janë lisa që rrënjët i kanë thellë në tokën mëmë. Sadije Aliti na jep një lirikë të pastër dhe një model së si shkruhet poezia, ku arti arrin të pasqyrojë estetikisht ndjeshmërinë, bukurinë, madhështinë, dashurinë e krenarinë për femrën shqiptare dhe vendlindjen e saj. Autorja posedon imagjinatë të bujshme, dritë mendimi, thellësi vargu dhe sensibilitet. I ngritur në art, brenda tyre është shpirti krijues poetik me ndjesi të ndërthurrura me shije. Të gjitha të shkrira në një, përmes një gjuhe të zgjedhur poetike dhe figuracioni artistik funksional, me mesazhë të bukura që na dhuron poetesha humaniste dhe atdhedashëse, tetovarja që na jep një varg poezishë të jashtëzakonshme për dashurinë!

Janë poezi të shkruara me një zjarrmi të veçantë, të rikënduara në disa gjuhë të botës, vargje me figuracionin të pasur të vënë plotësisht dhe me mjeshtëri në funksion të ideve dhe mesazheve poetike. Sadije Aliti vjen në faqet e kësaj vepre nga njëri nga fshatrat më të bukura e më të pasura të Tetovës. Poezia nuk do shkollë. Ajo është një dhunti e veçantë që ia ka falur Zoti njeriut! Si gjithmonë, përshkrimet lirike të Sadijes të bëjnë t’i lexosh me një frymë! Vargjet e saj janë plot ndjenjë e muzikalitet. Ta ka ënda t’i lexosh, sepse të mbushin me ndjenja e me jetë. Ajo na i përkujton mollat e Tetovës, Doruntinën, zanat tona të etshme për dashuri, si dhe muzën poetike përmes së cilës merr frymë për të vajtur nga drita në dritë.

Sadije Aliti është njëra nga poeteshat më të talentuar të botës sonë. Ajo e shmang pornografinë dhe përdorimin e figurave abuzive të për të ruajtur dhe konsoliduar individualitetin e saj real dhe origjinal. Në këtë kontekst, në korpusin e tsaj letrar, gjejmë poezi të mrekullueshme dhe mbresëlënëse. Në përgjithësi, poezitë e Sadijes bien në dy kategori kryesore: lirike dhe meditative. Vlen të theksohet se tetovarja është një sentimentaliste e ndërgjegjshme, dhe kjo anë e personalitetit të saj manifestohet në shumicën e krijimeve të një hijeshie të rrallë. Sadije Aliti është një nga poetët që, përmes veprës së saj kontribuon në kultivimin e dashurisë dhe atdhedashurisë, duke krijuar profile letrare të forta, të sinqerta dhe të dallueshme.

Fjalët kanë fuqinë për t'i dhënë jetë një universi të pafund. Ato mund të sjellin në jetë një regjistër të pafund ideshë dhe ndjenjash. Pra, imagjinoni që keni në dorë një violinë që morët si dhuratë nga prindërit tuaj, violina duke qenë një shpirt i ndjeshëm dhe delikat. Përmes saj, ju keni mundësinë të transmetoni dridhjet e dashurisë deri në fund të botës. Por kjo varet nga mënyra se si e mësuat artin e zhvendosjes në realitetin e ndjeshëm të aspiratave fisnike të shpirtit. Ky libër i ri përmban poema briliante që vlen t’i lexosh dhe afirmosh! Fjalët e poeteshës janë flutura të metamorfozuara në mendime, përmes të cilave frymëzimet e saj përshkruajnë një profil origjinal lirik.

Poezia e Sadije Alitit është e ngarkuar me një pamje të veçantë, e cila tregon ndjenja me tema shpesh befasuese. Tek-tuk ballafaqohemi edhe me subjekte meditative. Zbulesat filozofike janë veshur gjithnjë në marrëdhëniet e thjeshta të jetës së përditshme. Tema e dashurisë gjendet në shumicën e poezive, pavarësisht nëse bëhet fjalë për shfaqjen e emocioneve të para në adoleshencë apo për ato që përmbushen përmes çiftëzimit, duke krijuar bukuri hyjnore, bukuri magjike. Bukuria apo hijeshia kondiderohen si një aspekt që e përgëzojnë, trimërojnë dhe lumturojnë njeriun që e posedon këtë. Bukuria në vargjet e Sadije Alitit është objektive që në shikim të parë. Përveç hijeshisë trupore ekziston edhe hijeshia shpirtërore. Kush i posedon këto? Njeriu i rëndomtë, burri, gruaja, fëmijët, aktorët, këngëtarët, foto-modelet, krijuesit apo kreatorët, dhe jo vetëm këta. Në këtë kategori inkorporohen edhe të shenjtërit, engjëjt, dielli, hëna dhe yjet, shpezët, kafshët, natyra, pranvera, lulet, malet, bjeshkët, ëndrrat, këngët, poezitë, pikturat etj.

Sadije Aliti dhe kultivimi i bukurisë

Ekzistojnë citate të shumta personalitetesh të ndryshme për hijeshinë, që nga koha antike e deri në ditët tona. Bukuria personale është më e madhe se çdo rekomandim tjetër, thoshte Aristoteli. Nëse bukuria gërshetohet me dashuri, ajo rritet sepse dashuria është bukuria e shpirtit. Bukuria del në pah kur i shikon sytë e një femre dhe në të njëjtën kohë e sheh hijeshinë në zemrën e saj. Gjëja më e bukur që mund ta eksperimentojmë është misteri. Misteri është burimi i të gjitha shkencave dhe arteve. Dashuria ndaj bukurisë është shije. Krijimi i bukurisë është art. Kur arrin ta duash jetën, do të shikosh bukurinë në të gjitha gjërat. Çdokush që ka prirje për ta parë bukurinë, nuk mplaket kurrë. Ardhmëria u përket atyre që i besojnë bukurisë së ëndrrave të veta. Bukuria është premtimi i lumturisë. Jeta është e bukur. Përmes natyrës së tij, njeriu është artist. Në të gjitha mënyrat, ai kërkon të sjellë në jetën e tij bukurinë.

Bukuria është përjetësia që duket gjatë kohë në pasqyrë. E bukura është simboli i mirësisë morale. Bukuria e zgjon jetën e shpirtit. Hijeshia e gjërave ekziston në shpirtin e atij që i adhuron. Bukuria e vërtetë buron nga modestia dhe thjeshtësia. Ka edhe shumë për të thënë për bukurinë, por tani po kalojmë te vlerat artistike të poeteshës sonë, Sadije Aliti, një vizionare dhe misionare që paralajmëron kohën e lulëzimit të mollave të pjekura nën hijen e zogjve të qiellit. Nën shenjën e një vepre poetike dimensionesh të mirëfillta estetike, Sadije Aliti inkorporohet në rradhën e luftëtarëve të implikuar me qëndresë historike për rikuperimin e të shkuarës së famshme të Dardanisë së lashtë. Vargjet e saj janë thesarë përkujtese dhe mosharrese për ardhmëri, dashuri dhe atdhedashuri. Ato shëmbëllejnë me bukurinë e zanave, të vreshtave dhe të lisave që i përmend në shkrimet e saj.

Vargjet e Sadije Alitit janë perla të kristalta që gurgullojnë si krojet e Sharrit. Poetesha flet për bërthamat e hatashme që trokasin në portat e mikpritjes, pa harruar të kthehen atje ku kanë lindur. Ajo na përkujton thellësitë e yjeve, rrezet e hënës, buzëqeshjet e falura, vizionet e qarta për ringritje dhe mikpritje edhe atje ku ka mbetur një fije kullose e paprekur. I madh duhet të jetë populli që i jep poetë të këtillë botës, femra të këtilla që posedojnë fuqi hyjnore për trumfin e lavdishëm të dashurisë. Vlen të ripërkujtojmë faktin se poetesha jonë është ëndërron dhe paralajmëron kohën e lulëzimit të mollave të pjekura nën hijen e zogjve të qiellit, nën dritën e një qielli ku lisat lëshojnë rrënjë tejmatanë brigjeve të përjetësisë.

Në këtë kontekst, të denja për admirim janë edhe vizionet ku takohen zanat, të shkruara në korniza vargjesh të shkurta, të qarta, me mesazhe të padyshimta, dhe duke u bazuar më shumë mbi këtë se sa mbi njëfarë shkëlqimi të metaforës. Flaka e gjallë e dashurisë e plason Sadije Alitin në galerinë e lavdishme të farkëtarëve të vargut lirik dhe erotik. Ajo dremit dhe ëndërron në çerdhen botërore të dashurisë, mes do vargmalesh kreshnike dhe lëndiansh magjike ku nuset hedhin valle, duke imituar zanat që depërtojnë përtej vetëdijes sonë.

Ndjeshmëria fisnike e universit shqiptar

Sadije Aliti e kërkon harmoninë e fshehur të universit dhe mirëkuptimin njerëzor në kontekstin e lirikës së sotme shqipe. Vlen të ripërkujtojmë faktin se, jo vetëm në këtë vëllim bilingv, por edhe në përmbledhjet paraprake, defilon një gamë subjektesh atraktive dhe ekzistenciale, që nga dashuria e vjetër, e deri te mahnitja me pjesën më të shtrenjtë, që s’blihet me para. Autorja vjen para opinionit me vëllimin e nëntë, ku ëndërrimet e saj i mahnit melodia e valëve, livadhi i blertë, gurgullima e kroit të moçëm që mbledh ngjyrat e luleve të shpresës për të thurrur me to kurora dashurie. Sadija shndrit në letrat shqipe me një kthjelltësi mendimesh të cilat i rradhit si në një legjendë, me mollat në kopshtin e ndaluar, që nga ato të Adamit e Evës, e deri te ato të Tetovës. E preferon pavdekshmërinë e buzëqeshjes së Monalizës, shushurimën e gjallë, të dallgëve të liqenit, përplasjen e tyre mbi shkëmb, natën e zgjuar në syrin e saj, shtegtimin e modernizmit të përgojuar, dollitë e ngazëllimit e të pendimit të vonuar.

hapëron në horizontin e realitetit poetic si një zanë mali, brigjeve të kundrimit dhe të inspirimit. Fitorja evidente e lirikës së saj qëndron në qartësinë e diskursit: “Nga livadhi i blertë/ Mbledh ngjyrat e luleve të shpresës/ Thur kurorë dashurie/ Afër kroit të moçëm/ Gurgullima e ujit shqetëson/ Troket e lehta të kuajve/ Ngacmojnë shkronjat e emrit” (Kurorë dashurie). Dhe më tej, në spektrin e të njëjtit titull: “Shkapërderdhen shkronjat e emrit/ Nëpër livadhin e blertë / Mbledh lulet e shpresës/ Thuri prapë kurorë dashurie”. Ecja e saj zgjohet nga klima mesdhetare e melankolisë, freskia e Sharrit e trimëron kohën, kur babai e përcjell nusen me duvak të bardhë, porsi një zanë Shqipërie. Vdekja e zanave dhe vallja e tyre. Papritmas, zanat ushqenin kreshnikët u dilnin në ndihmë rë dashuruarve, kur krushqit shndërrohen në lugetër, dhëndërri vrapon katundit, s’i bie nuses në sy, prindërit janë humbuar anësh, s’u besohet kjo marrëzi, kushërinjtë ngrenë dolli, rrafsh e kanë muhabetin, çdo gjë si në ëndërr. Dominant në lirikën e Sadijes është elementi syrealist, që përbëhet nga lidhja e “panjohur” e fragmenteve me realitetin.

Nuk është hera e parë kur themi se fshehtësia e artit të saj, nuk është panjohshmëri, por bukuri. Qenja e saj poetike shndërrohet në një flijim të mundimshëm, porsi te porosia e Boalosë, apo ajo e Azem Shkrelit, të lindësh e të shuhesh për një fjalë! Ja vetëm një nga shembujt e shumtë! “Mos e kafsho mollën në kopshtin e ndaluar/ Monaliza jote pikturohet e pavdekshme/ Në qenien malësore/ Dreqërit e ditës bredhin qytetit/ Gjurmojnë pëshpëritje/ Ndrydhen ndjenjat Urbanizmit të akullnajave/ Mos e kafsho mollën/ Ëmbëlsia e saj të helmon/ Mbaje Monalizën/ të pavdekshme”. (Monaliza). Dhe ja shëndeti me këmbë të shembura, kur përnjëherë, kërcet optimizmi, në këtë tokë arbërore, ku shtigjet bëhen të shndritshme, si ato të Parajsës!

Në kontekstin e evokuar, shpërthen herë pas here edhe ironia, me buzëqeshjen e zgjuar nga gjumi, duke u tretur në pafundësinë e brigjeve të bjeshkës, kur loti e përpiu qeshjen e ngrirë, në shkullin e brishtë. Dhe vazhdon kështu, ritmi i njëjtë i melodisë së jetës, ku shtatbilonja duket, herë e poshtëruar, e herë mbretëreshë. Ja pra dhe gurët e kohës ilire, luginat e Sharrit me valltarë të rinj, shkuma e detit që shëmbëllen me mundimet e motrave tona. Autorja ironizon bajraktarizmin, duke parashtruar pyetjen: Sa do të ketë jetëgjatësi, në këtë kohë pabesishë? Ikja nga ligësia “Shërron dashuritë e rebeluara/ Ëndrrat e thyera”, kurse “Lugina e të dashuruarve/ Ruan/ Dosjet e paprishura të sekreteve”.

Duke kaluar nga “Dritë dashurie” te “Dasmë zanash”, kuptojmë se poetesha e ka përvetësuar psikologjinë e lumturisë, sensin e atdhedashurisë: Flamuri, besnikëria, kënga e shpresa.Të jetosh, don të thotë të fillosh: me mirësi, butësi e urtësi. Dasmë zanash, me fjalët besnike, dhe baladat e dashurisë. Në vend të përfundimit, vlen të ripotencojmë faktin se poetesha është qenja më e ndijshme, dhe më e shenjtë e një populli. Fati i saj, është fati i kombit. Sadije Aliti është njëra nga poeteshat më të talentuar të botës sonë.

Ajo e shmang pornografinë dhe përdorimin e figurave abuzive të për të ruajtur dhe konsoliduar individualitetin e saj real dhe origjinal. Në këtë kontekst, në korpusin e tsaj letrar, gjejmë poezi të mrekullueshme dhe mbresëlënëse. Në përgjithësi, poezitë e Sadijes bien në dy kategori kryesore: lirike dhe meditative. Vlen të theksohet se tetovarja është një sentimentaliste e ndërgjegjshme, dhe kjo anë e personalitetit të saj manifestohet në shumicën e krijimeve të një hijeshie të rrallë. Sadije Aliti është një nga poetët që, përmes veprës së saj kontribuon në kultivimin e dashurisë dhe atdhedashurisë, duke krijuar profile letrare të forta, të sinqerta dhe të dallueshme. (Baki Ymeri, Bukuresht, 10 Korrik 2021)

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat