Vargjet e frymëzuara të një poeti të talentuar

Kultura

Vargjet e frymëzuara të një poeti të talentuar

Më: 19 gusht 2021 Në ora: 13:09
Parfumi i fjaleve

Shpirti i fjalës nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekste të këtilla kritike që përfaqësojnë opinionin e huaj për shpirtin shqiptar. Përmes veprës së tij, autori konfirmon bindjen e një mendimtari të huaj se arrin përmes profesionalizmit dhe mbahesh përmes karakterit. Kjo përzgjedhje me tekste kushtuar poezisë së Ibrahim Abedinit është një dëshmi e interesit dhe vëmendjes, jehonës dhe rezonancës që ka krijuar para disa vitesh poezia e tij në gjuhën rumune. Poezia e Zt. Abedini ndodhet mes dy shqetësimeve që brejnë vetëdijen e një artisti që nuk mund të jetë indiferent për atë që ndodh rreth tij: ide fisnike, fenomeni i ndërgjegjes morale, shorti i komunitetit, deti, kombi, atdheu dhe mërgimi, etj.

Poeti provokon një mërgim të shpirtit në vise të panjohura dhe të njohura, në truallin fizik të jetës dhe në një kronotop poetik. Poeti strugan I. Abedini, në të gjitha hipostazat e poezisë së tij dëshmon një ndjeshmëri të rrallë, një përjetim të thellë të dukurive që bëhen objekt i poezisë së tij. koha kërkon dashuri, shtëpi të lëna, lulebore, djep i trimërisë, tradhtarëve të kombit kështu do e doja vdekjen, janë disa nga lirikat e tij më të frymëzuara.

Ibrahim Abedini dëshmon se i njeh problemet e stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është i pajisur me aftësi të rralla për të hetuar natyrën dhe botën, por mbi të gjitha ai zotëron një aftësi kombinatore të elementëve përbërës të poezisë së tij. Poeti e hymnizon vendlindjen, fushat dhe liqenin. Ai dëshmon guxim e përmallim, dhe i jep flatra fantazisë së tij duke kontrolluar njëkohësisht strukturën e poemës: Mali mbi belike si në shkallë zbriste/ Bora që t`i hiqej pranverën e priste./ Fusha e buzëliqenit në vite s’lulëzonte/ Nga hendeqet e përmbytur fare nuk frymonte./ Po liqeni, ç’kishte që gufonte e dallgë s’lëshonte?/ E priste murrlanin ethe t’i shkaktonte! (Djep i trimërisë)

Poezia është testamenti i jetës, i miqësisë, i dashurisë dhe atdhedashurisë. Që këtej mund të themi se në vargjet e tij kemi të bëjmë me një botë bujare, me një vendlindje kreshnike, me heronj, me miq e dashamirë. Përshkrimet e tij nuk janë vetëm një shprehje e shpirtit, por edhe një ekzistencë organike, objektive. Poeti sjell para nesh fraza tejet konkrete e plastike. Poezia e Ibrahim Abedinit nuk mund të klasifikohet si poezi pornografike, por si poezi  kombëtare dhe historike. Poezia e këtillë shndërrohet në një poezi vlerash të mirëfillta shqiptare, njerëzore dhe universale. Poeti e vë në qendër të poezisë së tij ëndrrën, por edhe dimensione të realitetit të tij, i cili është një sukses i merituar i poetit talentuar të mërgatës sonë poetike.

Vlen ta ripërkujtojmë faktin se Ibrahim Abedini është njëri nga poetët më të shquar të Skandinavisë. Poezia e tij është sa intelektuale, po aq edhe përdëllimtare. Dhe, edhe në njërin, edhe në rastin tjetër, deshifrohet në një varg të një besnikërie të padyshimtë në fjalën e vet, e shprehur dhe e kuptueshme nën zodiakun e një ylli magjik të krijimtarisë autentike.

Pa dyshim, poezia është një rrugë komunikimi, një rrugë e majave. Fusha e fjalorit të etshëm për të thënë diçka nëpërmjet ritmit, harmonisë apo përfytyrimit – siç theksonte Paul Valery – i përshtatet në kontekst komentimit të poezisë së Ibrahim Abedinit, krijimtaria e tij duke shkëlqyer me një harmoni të veçantë të jashtme dhe të brendshme, fjalët duke rrjedhur njëra pas tjetrës në një atmosferë elegante me një natyrshmëri precize dhe delikate. Prej këtu, buron ajo gjendje e një fuqie të jashtëzakonshme që e zgjon lekturimi i vargjeve të tij.

Veprat e tij janë të strukturuara me rigorozitet. Krijimtaria poetike e mjeshtrit nuk degdiset as në gërshetimin deskriptiv të përfytyrimeve të poetëve të panumërt që ishin të obliguar t’i nënshtrohen cezurës djallëzore politike të dekadave komuniste. Po ashtu, nuk degdiset as në intimizmin pa fluturim dhe pa shkëlqim që e përbën, në përgjithësi, pala tjetër e frymëzimit në këtë perimetër gjeografik. Lehtësia nuk e kërcënon kreativitetin e këtij poeti të arrirë tashmë në maturitetin e artit të tij.

Fjalët kanë fuqinë për t'i dhënë jetë një universi të pafund. Ata mund të sjellin në jetë një regjistër të pafund idesh dhe ndjenjash. Fjalët e poetit janë flutura të metamorfozuara në mendime, përmes të cilave mendimet e poetit përshkruajnë një profil origjinal lirik. Artet dhe letërsia e bukur janë pasqyra të arta të realitetit në të cilin lëviz populli, porsi një tren mbi shinat e mëdha të botës.

Fjalori lirik i Ibrahim Abedinit gërshetohet me motive fisnike të shpirtit shqiptar: Se ky komb nuk duron të nënçmohet/ Emër tjetër nuk i vihet e as i ndërrohet/ Dhe kur liria i cenohet,/ Kur e drejta i cungohet/ Atëherë shqiponja zgjohet,/ Ngjitet lartë dhe acarohet. Djep i trimërisë).  Po qe se e kërkojmë në linjën sa më të afërt të universit, Ibrahim Abedini është njëri nga poetët më të rëndësishëm të lirikës patriotike të mërgatës sonë. (Baki Ymeri, Bukuresht, 5 korrik 2021)

Ditar fronti apo front ditari

Kalojnë gjëra të një peshe të madhe „Në zemrën e gurit”, atje ku, që nga përpëlitjet e para të çastit poetik në një „Kështjellë të heshtur”, kuptojmë imazhin e tmerrit që ka mbetur si gjurmë nga kthetrat e një përmbytjeje që lëndon trupin dhe shpirtin e njeriut e të atdheut të tij.  Mu pas kësaj, pason leksiku ideatik i një shpartallimi të këtillë me tmerrimin e ndjenjave deri në rrënjët e tyre... Fati i çrrënjosur nën qiell të hapur, i mbuluar me pëlhurën e kohës, në rrudhat e ballit të nënës plakë, hartë e vizatuar, mure të shembura e të harruara. Klithje qensh në terrin e natës, nën kthetrat e skllavëruara, shpirtin e mbajnë gjallë.

Me ujin e shiut, pas gjurmëve të vjetra të kuajve, dëgjohet hingëllima nëntokësore. Bjeshkët a larta, hyjnore, të zhveshura nga zëri i këngës së bardhë. Të zhuritur si malli i nënave për fëmijë, të cilat zjarri i ka kapluar. Vend shqiponjash trime, plot e përplot me çerdhe të shembura... Tejet i vendosur, do të thoja, aq sa ka mundësi relevante, mu kjo është vallja nismëtare e pavdekësisë së përjetimeve mbi tehun e thikës, deri në definitivimin e sublimes që nuk mund të thotë tjetër, veçse dashuri e ngritur në rang ligji të zakonshëm, atje ku pa u harruar ngjyrat paraprake të përshtatshme, ndikojnë që të duket i këtillë qilimi i yjeve...

Era e ngrohtë e detit t’i fshin lotët e hijeshisë. Era e lehtë e maleve t’i kreh kaçurrelat e flokëve, dhe vjen e dashura Janinë me flokë të thinjura. Hija e rëndë e shpatës së Aliut djeg në zjarrin e nëntokës. Pyjet shohin me një sy në hartën e hollë, fushën e bukur të Konicës, atje ku më rri koka e përkulur, porsi çuni i nënës njerkë, porsi fustani i grisur. Bjeshkët me veshë të shurdhër, vargje malesh. Çamëri moj zemra e topitur, po pret të hyjë në valle. Fabuloz apo alegorik më shumë seç mund të sjellë penda, ajo flatërzohet dhe merr rrugën drejt fluturimit, me gërshetime drejt një caku që duhej të ngjajë. Janë faktet konkrete lirike të prura nga  Ibrahim Abedini, një ëndërrimtar i frymëzuar që e shtjellon diskursin lirik në një drejtim unik që i bën nderë lirikës bashkëkohore shqiptare.

Poeti nxjerr në pah një turmë të pathënash nga të tjerët, se si mund të jetë kalimtari indiferent përmes zemrës së papajtuar me identitetin suprem që ka arritur në një moment të caktuar prej ku duhej të ndodhë ajo që po ndodh. Dhe, logjikisht, drejt një evidence „deri në liri”, atje ku mund të përcaktohet rruga e vizatuar në anën e errët të historisë, duke përshkruar tmerret e saja të tërbuara, të komplementuara në nivelin e gllabërimit...  E gjatë rruga e dhembjes për popullin tim. Fati ka trishtuar edhe fëmijët e palindur në amzën e mamasë, në kohën kur karvani i përdhunuar shkel mbi kufoma njerëzish. Vetëm ylli i parë i mëngjesit ua ka ndriçuar rrugën drejt Perëndimit. Për çudi të skllavërimit të saj, kanë zgjedhur ritmin e lirisë në këtë fillim shekulli. Është një nga poemat e publikuara për herë të parë gjatë mjegullave të vitit 2000, kur lufta bënte pjesë nga përditshmëria e trazuar shqiptare, një popull trim që duhej të dëshmojë dritën e krenarisë drejt përmbushjes së idealeve më të shenjta ndaj një bote që respekton vetveten në radhë të parë përmes njerëzve të saj.     

Në një mënyrë të lumtur, e arritur kur atje ishte një periudhë e ngatërruar, poeti shkruan thuajse është i ankoruar në një spektër dëshirash të pakufishme, prej nga nuk ekziston ndonjë pikënisje ikjeje veçse në një botë tjetër... Hyre si mjeku në brendinë e plagëve. Rrugëve dhe bulevardeve të gjata, me kokën e përkulur. Zbulova lotët e derdhur liqenit të qetë. Dhe e shpërlava fytyrën me dhimbjet e mëngjesit. Ta ndjeva ngazëllimin e fshehur në buzë, që nga dritaret në sheshin e Ali Pashës. Nën dritën e hënës së zbehtë shkela gurëve, me gjuhën e zërit të fola moj e panjohur! Me sytë ne të dashurës dashurinë ta krahasova kur dole si drita e diellit nga bjeshkët e bekuara që ranë mbi liqe. Tërë  ditën u ula poshtë me këmbët e kryqëzuara, përshëndetjen e morra me vete së bashku me qetësinë. Kështu shprehet me fjalë identike poeti në poezinë „Të pashë në Janinë”.

Madje kështu është, pyesja vetveten nëse ky poet i veçantë që sjell me vete „Brengat e liqenit”, për të qenë të përjetshme, vallë ka ndonjë çast ku gjen prehje. Duket se nuk ka. Ja se si, tejmatanë përpjekjeve absolute të do kohërave të përflakura, me gjëma e me vdekje, Ibrahim Abedini nuk e braktis regjistrin e frymëzimeve dhe pendën e ditarit që hulumton shtjellat e tymit të bardhë e të zezë, që del nga gryka e oxhaqeve. Dhe jeta vazhdon të ripërtërihet, me ngjyrat e ylberit të pranverës. Ikte jeta pas fijes së hollë të litarit. Dhe përmes ngushticave të maleve, përmes fërshëllimave të plumbave, trokëllimat e çizmeve ua kanë gulçuar qiellin, mes gërmadhave të shtëpive të mbetura, dhe ëndrrës së jetës, e zhveshur në dimër, vazhdon të ngjitet me tymin e cigares. (Imazh pas lufte). Një poet i lindur për një realitet të paskajshëm që përpëlitet mes tragjizmit dhe pasojave të tij, të një tërbimi të egër që kanë kurdisur të tjerët kundër etnisë shqiptare, një etni tashmë e njohur në përmasa planetare. (Ibrahim Abedini, Brengat e liqenit, Amanda Edit, Bukuresht 2021). Daniel Marian

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat