Ngatërrimi i fjalëve “vallëzoj” dhe kërcej” 

Kultura

Ngatërrimi i fjalëve “vallëzoj” dhe kërcej” 

Nga: Beqir Elshani Më: 28 gusht 2021 Në ora: 09:04
Ilustrim

Sipas FGjSh fjalët kërcej dhe kërcim kanë kuptim më të gjerë leksikor që përdoren në veprimtari të ndryshme fizike, sportive dhe figurative se fjalët valle, vallëzoj dhe vallëzim që përdoren vetëm në terminologjinë e muzikës. Nëse edukatorja tregon që fëmijët në kopsht po kërcejnë, atëherë është fjala për argëtimin e tyre fizik, që bëhet duke kërcyer me hapa si dhe prej së larti duke u hedhur në drejtim të caktuar.

Mund të ndodhë që fëmijët në kopsht të kërcejnë si pjesë e lojës argëtuese, por edhe të vallëzojnë si pjesë muzikore, prandaj duhet të shkruhet që fëmijët në kopsht po kërcejnë dhe po vallëzojnë. Është për t’u habitur me FGjSh, për baletin shkruan që është art i valleve me figura, që luhen në skenë nga disa veta, ndërsa për balerinën shkruan që është kërcimtare në balet, në vend se të shkruajë “valltare në balet”, meqë balerina nuk kërcen, por vallëzon. Si mund t’i thuhet balerinës kërcimtare, kur në disa skena muzikore vetëm krahët i lëviz?! Gjithashtu sipas enciklopedisë suedeze baleti është valle artistike që zbatohet në skenë.

Duhet pasur parasysh se njeriu me hapa e kërcen kanalin, kërcen prej shtratit, macja kërcen prej karriges, kërcim me shkop, me parashutë, lëviz me kërcime, topi kërcen, kalorësi kërcen mbi kalë, kërcen lumin, gardhin, pastaj figurativisht njeriut prej zemërimit i kërcen gjaku (damari), i kërcen dëshira etj. Prandaj në vend të fjalëve kërcej dhe kërcim” në fushën muzikore duhet të përdoret fjala e qëlluar valle, vallëzoj dhe vallëzim. Kur arsimtarja thotë që nxënësit në klasë janë kërcimtarë të aftë, nuk dihet nëse është fjala për edukatën muzikore apo edukatën fizike, prandaj këshillohet që të përdoret njëra prej tyre: valltarë të aftë ose kërcimtarë të aftë.

Gjithashtu sipas filmit ‘Kleopatra’ “Ma merr mendja se kërcimi mbaroi” nuk dihet nëse flitet për vallëzimin apo për ushtrimin ushtarak, prandaj sipas ngjarjes këshillohet që të shkruhet “Ma merr mendja se vallëzimi mbaroi”. Edhe në shembullin e fjalisë “Ajo shihet duke kërcyer në jaht me shoqet e saj”, nuk dihet nëse po vallëzon apo po zhytet në det, prandaj duhet shkruar që po vallëzonte sipas lëvizjes së trupit në foto. Në shembullin e fjalisë angleze në dramën televizive “She likes to dance polka” duhet të përkthehet “Asaj i pëlqen të vallëzojë polka”, pasi që nuk thotë “She likes it jump polka” (Asaj i pëlqen të kërcejë polka).

E njëjta gjë është edhe me fjalët balerini/balerina në të cilën shkruan që janë kërcimtarë në balet, kurse duhet të jetë “valltarë në balet”. Në asnjë lajm suedez nuk shkruan “Kërcimtarja kërceu baletin klasik”, pos “Valltarja vallëzoi baletin klasik” (Dansare dansade en klassisk balett).

 

Përkthime të gabuara ndodhin edhe në veprat letrare. Në romanin ”Zorba” të Niko Kazanzaqit, në të cilin sipas instrumentit muzikor duhet shkruar “Vallëzonim duke kaluar varret”, jo ”Kërcenim duke kaluar varret”. Gjithashtu në romanin “Njeriu me të zeza” të Patrik Keselit, në fq. 19 shkruan: “Nuk po kërcenin më”, edhe këtu nuk dihet nëse flitet për lëvizjen fizike të njerëzve apo për vallëzim, domethënë për muzikë.

Prandaj më mirë do të ishte po të shkruhej me fjalën e caktuar “Nuk po vallëzonin më”. Ngjashëm edhe për filmin dramatik “Art pas vdekjes” shkruan “Kërcimtarët e rrugës më të talentuar nga e gjithë bota janë mbledhur për të shpallur skuadrën më të mirë” nuk dihet nëse flitet për muzikën apo për ndonjë aktivitet sportiv. Prandaj nëse është për muzikën, atëherë duhet shkruar ‘valltarët’.

E njëjta gjë është edhe me shprehjen e papërcaktuar në të cilën nuk dihet nëse flitet për muzikën apo për fizkulturën: “A di të kërcesh?” dhe “Po praktikoj kërcimin”, prandaj duhet të shkruhet: “A di të vallëzosh?” dhe “Po praktikoj vallëzimin”, sepse baleti është vallëzim që interpretohet me muzikë, nuk është gjimnastikë që zbatohet me anën e hapit. Prandaj nuk thuhet “Po japim shfaqje kërcimi”, por “…shfaqje vallëzimi”. Për habi, “Hirushja” gjermanisht vallëzon, kurse shqiptarisht kërcen.

Për Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit nuk thuhet “Sot është Dita Ndërkombëtare e Kërcimit”, sepse ka kuptimin e kërcimit prej së larti, bie fjala në basen. E njëjta gjë është përsëritur edhe në shtypin ditor, në të cilin shkruan “Muzikë, kërcime dhe arte marciale me fëmijët që mësojnë gjuhën kineze”, siç është fjalia: “Tetë kërcimtarë të vegjël kërcyen disa valle popullore”.

Gjithashtu shprehja “këndim e kërcim” është e papërcaktuar, nuk dihet nëse kërcimi ka të bëjë me muzikën apo fizkulturën. Po të thuhet “Fëmija dhe keci kërcejnë” dhe “Vogëlushja po kërcente nga gëzimi” nuk dihet nëse është fjala për vallëzim apo për argëtim. Në shembullin e fjalisë sipas dramës televizive “Kur qielli bie”: “A kërcejmë pak. – S’është koha për të kërcyer”; sipas ngjarjes në dramë shihet se flitet për vallëzim, jo për kërcim sportiv, prandaj duhet të shkruhet: “A vallëzojmë pak. – S’është koha për vallëzim”.

Filmi televiziv “Let's dance” shqip duhet të përkthehet “Eja të vallëzojmë” (jo “Eja të kërcejmë”), pasi që në film flitet për baletin klasik të një vajze. Edhe në shembullin e fjalisë: “Rri në shtëpi dhe kërce” duhet të jetë vallëzo, pasi që flitet për muzikën në programin televiziv, jo për gjimnastikë. Kurse në shembullin e lajmit “Një kërcimtare në Egjipt është arrestuar pasi kërcente në mënyrë provokuese”, duhet të shkruhet për valltaren që vallëzon, jo për kërcimtaren që kërcen në gjimnastikë. Gjithashtu sipas lajmit në shtyp “Kërcimtarja kërcen vallen tropojane” duhet të jetë tri herë fjala “valle: “Valltarja vallëzon vallen tropojane”, për shkak se boshti i muzikës është vallja, jo kërcimi akrobatik.

Prandaj programi muzikor në Radiotelevizion nuk quhet ndryshe përveç “Këngë e valle popullore”, në të cilin marrin pjesë valltarët dhe këngëtarët (jo kërcimtarët dhe këngëtarët). Gjithashtu në vend të fjalisë “Këndo, kërce, lexo dhe dil me shoqërinë” duhet të jetë “Këndo, vallëzo, lexo dhe dil me shoqërinë”. Kurse çifti i lumtur në dasmë nuk kërcen, por vallëzon.

Në vazhdim, sipas shpjegimit zoologjik elefantët janë shtazë të vetme që nuk mund të kërcejnë, është fjala për lëvizje fizike, jo për vallëzim. Dallimi i kërcimit me vallëzimin mund të shihet sidomos në shembullin e fjalisë suedisht “Här dansar hästen loss till rytmen” (Këtu kali vallëzon lirshëm ndaj ritmit”, në të cilën nuk shkruan “hoppar (kërcen), por “dansar” (vallëzon).

Prandaj në shembullin e fjalisë “Kali në hipodrom kërcen, por edhe vallëzon sipas muzikës” nuk duhet të përsëritet e njëjta fjalë e kërcimit, meqë e para është sportive, e dyta muzikore. Gjithashtu nuk mund të thuhet “Di të kërcej në dasmë dhe në pishinë”, por “Di të vallëzojë në dasmë dhe di të kërcejë në pishinë”, sepse kanë kuptime të ndryshme, meqë në dasmë vallëzohet, kurse në pishinë kërcehet. Nuk është njësoj sikur të thuhet “U ndërpre vallja” dhe “U ndërpre kërcimi”, pasi që kjo e fundit ka kuptimin e aktivitetit sportiv. Këtë e argumentojnë më së miri dy pikturat e piktorit tonë, Abdurrahim Buza, “Vallja shqiptare” dhe “Lojërat popullore”: në të parën valltarët vallëzojnë, ndërsa në të dytën lojtarët kërcejnë.

Sipas fjalisë në tekstin e filmit televiziv “Pylli qumështit”, “Lërini valsit dhe kërcimet” duhet të jetë “Lërini valsit dhe vallet”, meqë valsi dhe vallëzimi përputhen, ndërsa kërcimi ndryshon për nga kuptimi. Gjithashtu nuk mund të quhet “shkolla e kërcimit” dhe “instruktore e kërcimit”, sepse kallëzorja është e paqartë, por duhet të quhet “shkolla e vallëzimit” dhe “instruktore e vallëzimit”. Kurse shprehja “Mos u fut në valle” nuk mund të thuhet “mos u fut në kërcim”, sepse ka kuptimin metaforik të zgjidhjes së problemit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat