Shuhet intelektuali i shquar dhe profesori universitar, Prof. Dr. Abdullah Karjagdiu

Kultura

Shuhet intelektuali i shquar dhe profesori universitar, Prof. Dr. Abdullah Karjagdiu

Më: 28 gusht 2021 Në ora: 16:13
Prof. Dr. Abdullah Karjagdiu

Sot Kosova është zgjuar me një lajm të hidhur. Në moshën 84 vjeçare ka ndërruar jetë profesori dhe intelektuali i shquar, Abdullah Karjagdiu.

I ndjeri ka lindur më 24.12.1936. Ishte ndër profesorët e parë universitar të gjuhës dhe letërsisë angleze, doajen dhe korife i letërsisë angleze dhe amerikane, autor i dhjetëra veprave universitare, përkthyes i shumë kryeveprave letrare dhe ndër profesorët dhe veprimtarët politik më të spikatur dhe më aktiv për shumë gjenerata. Ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit.

Gjatë karrierës së tij të begatë dhe të larmishme i ka ushtruar edhe funksionet në vijim: Shef i Departamentit të anglishtes, Prodekan dhe Dekan i Fakultetit të Filologjisë, Nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane dhe i Partisë Parlamentare, Kryetar i Shoqatës së Shekspirologëve dhe i Shoqatës së Përkthyesve, Drejtor i Institutit të Gjuhëve të Huaja, etj. Ka qenë një ndër intelektualët, studiuesit, profesorët dhe veprimtarët më të dalluar.

Kontributi i tij i pashoq për zhvillimin e arsimit dhe për çështjen kombëtare do të mbahet mend dhe do të shërbejë si motivim për gjeneratat në vijim.

I ndjeri ka ndërruar jetë pas një sëmundje të gjatë në mesin e më të dashurve.

Varrimi i të ndjerit bëhet në varrezat e Prishtinës në Dragodan, në ora 13:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat