Në Geteborg të Suedisë vdiq veprimtari Gani I. Nimani

Kultura

Në Geteborg të Suedisë vdiq veprimtari Gani I. Nimani

Nga: Xhavit Çitaku Më: 24 shtator 2021 Në ora: 12:52
Gani Nimani

Lajmi i hidhur u shpërnda me shpejtësi që pikëlloi gjithë ata që e njohën, mIqë, familjar e posaçërisht komuniteti shqiptar në Suedi. Dje shkoi në amshim veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, mësuesi i çmuar, anëtari i Shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar “ Papa Klementi i XI, Alabani” në Suedi Gani I Nimani, përndryshe vëllai i legjendës së boksit kosovar Lah Nimanit. Ai la pas vetes në pikëllim të thellë bashkëshorten, dy djem, një vajzë dhe mbesa e nipa, si dhe vëllezër e motra dhe familjarë të tjerë të shumtë.

Gani Nimani ishte mësues e veprimtar i papritueshëm

Njeri i qetë, i prajshëm, i pa fjalë, i drejtë, korrekt, i besueshëm, i vendosur, punëtor i zellshëm, veprimtar i dalluar dhe i papritueshëm… Ky ishte mësuesi Gani Nimani ka lindur më 4 qershor 1948 në Kastriot (ish Kostërc), komuna e Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në fshatin e afërm, ndërsa të mesmën, normalen, në Mitrovicë, kuptohet nën përkujdesin e vëllaut të tij të madh, legjendës së boksit kosovar, Lah Nimanit, pasi që Ganiu në moshë të re mbeti pa babanë, Istrefin, i cili ishte një njeri shumë autoritativ në Drenicë e më gjer dhe i ndjekur, i dënuar e i persekutuar politikisht, vdiq kur i kishte vetëm 52 vjeçar.

Image

Prof. Fetah Bahtiri koleg i mik i afërt thekson se Istref Nimani (babai i Gani dhe Lah Nimanit) së bashku me Shaban Jasharin (babain e heronjve Hamëz dhe Adem Jashari), janë ndjekur dhe dënuar si kundërshtarë të regjimit të atëhershëm të ish Jugosllavisë, qysh nga viti 1946. Istref Nimani e ka pasur Shaban Jasharin djalë të hallës, e cila ishte e martuar për Murat Jasharin, babain e Shaban Jasharit. Në atë kohë Istref Nimani ishte i arrestuar së bashku me nipin e tij, Shaban Jasharin. Që të dy, Istrefi dhe Shabani, ishin të burgosur, për shkaqe poltike. Ndër të tjerat, ata flisnin hapur kundër regjimit, i cili po e diskriminonte popullin shqiptar, i cili ishte i tradhëtuar dhe i lënë nën pushtetin jugosllav, në vend që Kosova t`i ishte bashkangjitur shtetit amë, Shqipërisë.

Atëbotë Shaban Jashari punonte mësues në fshatin Prekaz, ndërsa Istref Nimani punonte në zyrën lokale, në Runik. Istref Nimani dhe Shaban Jashari u dënuan me nga dy vjet burg. Burgun e kanë mbajtur në Kullën e Tupellës në Mitrovicë. Aty ata ishin maltretuar fizikisht shumë rëndë nga regjimi, në përpjekje për të zbuluar ndonjë grup armiqësor. Pasi vuajtën burgun, Shaban Jasharin e përjashtuan nga puna si mësues, gjoja si i papërshtatshëm për këtë punë. Po ashtu edhe Istref Nimanin, i cili kishte punuar në zyrën e vendit në Runik si ofiqar i gjendjes civile e përjashtuan nga puna, gjithashtu si të papërshtashëm.

Istref Nimani, nga maltretimet dhe rrahjet brutale të kriminelëve serbë, nuk mundi t’u përballojë këtyre turturave dhe në moshën 52 vjeçare ndërroi jetë, përfundoi me këtë histori patriotike të kësaj familjeje.

Image

Gani Nimani u bë mësues i diplomuar në vitin 1969 dhe menjëherë iu përvesh punës me fëmijë në shkollën fillore ”Ali Kelmendi” të Leçinës deri në vitin 1973. Përveç punës së rregullt me nxënësit e vet, Ganiu u angazhua dhe me vetëmohim dha një kontribut të vlefshëm në aksione të ndryshme në terrenin e Drenicës për zhdukjen e analfabetizmit. Në vitin 1973 u punësua në shkollën fillore që atëherë quhej ”Vëllezërit Mihajloviq”, e tani ”Ismail Qemali” në Mitrovicë, por njëkohësisht vazhdonte shkollimin dhe kreu shkollën e lartë ekonomike. Në vitin 1980 u punësua në Bankën interne ”Trepça Banka” të kombinatit ”Trepça” si ekonomist për punët dhe detyrat e punës si bashkëpunëtor i pavarur profesional për inokredi. Në vitin 1990, sikur të gjithë shqiptarët, u përjashtua nga punë në këtë Bankë dhe në vitin 1992 Ganiu mori rrugën e mërgimit. Me familjeu largua nga Kosova, bashkë me gruan, dy djem e një vajzë pa ditur se ku do ta hedhnin valët e jetës. Rastisi që u vendos në Suedi, ku jetoi deri në frymën e fundit të jetës së tij.

Punoi me gjithë forcën në shërbim të komunitetit shqiptar

Në Suedi gjatë tërë kohës punoi dhe e zhvilloi veprimtarinë e tij me punë vullnetare në shërbim të komunitetit shqiptar, në fillim në Gullspång. Gani Nimani ishte i kënaqur me të gjithë bashkatdhetarët që ishin aq shumë të pëtkushtuar për veprimtari në shërbim të ardheut dhe për shkollimin e tyre në gjuhën shqipe.Megjithatë në këtë vend ai u dallonte ngha të tjerët sepse ishte prijetari i të gjitha aksioneve dhe organizimeve. Por, ai në veçanti theksonte edhe kontributin e madh të disa individëve më të dalluar, e këta janë: prof. Bekë Beka, vëllezërit Kurti, Hajrullah Haxhimehmet, Nexhmedin Ahmeti, i cili gjithashtu ishte mësues dhe bashkëpunëtor i ngushtë i tij dhe shumë të tjerë.

Prof. Fetah Bahtiri në vazhdim shtoi se Gani Nimani veprimtarinë e tij e shtriu edhe në të gjitha ambientet ku e sollën valët e jetës në Suedi. Iu përkushtua shumë punës me fëmijët tanë në mësimin e gjuhës shqipe në shkollën plotësuese dhe në shkollat e rregullta suedeze. Kështu si mësues punoi deri sa u pensionua.

Image

Në të njjtën kohë, ai iu përkushtua edhe aktivitetit të palodhshëm në organizimin e shqiptarëve, në aksione të ndryshme humanitare, në aksionin për mbledhjen e 3%-shit përRepublikën e Kosovës, për fonde të tjera, në organizimin e demonstratave kundër shtypjesserbosllave etj. dhe kështu vuri gurë të mëdhenj në themelet e Republikës së Kosovës, tha në fund veprimtari i madh e i çmuar prof. Fetah Bahtiri

Gjithashtu Ganiu ishte anëtar aktiv i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, ku dha kontributin e tij të çmuar në punën e kësaj Shoqate. Gjithashtu u mor edhe me shkrime dhe në librin e Shoqatës ”Thesar kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi” botoi shkrime të vlefshme.

Ikja e tij në amshim do ta varfërojë komunitetin shqiptarë në Suedi, në veçnti do t´i mungojë familjes, Shoqatëss së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi dhe miqve të shumtë me të cilët vepronte rregullisht.

Do të mungojë edhe humori i tij i lehtë e i këndshëm në të gjitha situatat e jetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat