Vargje margaritarë që rrezatojnë shtigjeve të jetës

Kultura

Vargje margaritarë që rrezatojnë shtigjeve të jetës

Nga: Izet Abdyli Më: 15 tetor 2021 Në ora: 14:04
Foto e kopertinës së librit

Izet Abdyli (1961), nuk rresht së gjurmuari nëpër labirinthet e Galerisë së tij krijuese për të nxjerr mbi sipërfaqe gjithë thesarin poetik që ndrynë shpirti i tij krijues, për ta pasuruar edhe më opusin krijues prej disa përmbledhjesh poetike. Përveç poezisë, kujtojmë edhe krijimtarinë tjetër të pakontestueshme në letërsinë për fëmijë, studime e analiza letrare të shumë veprave të autorëve të shumtë dhe shkrime të tjera publicistike e studimore. Krijimtaria letrare e tij tashmë ka bërë vendin meritor në letrat shqipe, për tu lexuar e studiuar me përkushtim nga studiues të fushës.

Pa mos insistuar në përmbylljen e mendimit me një fjali përkufizuese për krijimtarinë poetike të Izet Abdylit, emri i të cilit kalkulohet në disa gjini e veprimtari letraro-kulturore, do të bëj një sheti “relaksuese” nëpër vargjet e librit të radhës “Shprush kujtimet”, që simbolikisht shpërfaq synimet e autorit në rrugëtimin e parreshtur me vargun e tij, duke kompozuar tema e motive nga më të ndryshmet, duke mos e anashkaluar edhe atë sublimen, dashurinë, si fenomen, që, ndonëse e ka dhënë edhe herë tjetër si përmbledhje të veçantë, e sjell edhe këtu, duke i dhënë një hapësirë të konsiderueshme. Kjo pa dyshim e bën më të adhuruar për lexuesin këtë përmbledhje poetike, duke ia krijuar shijen e një pranvere me lule, me fjalë-mrekulli të pambarim edhe përtej ëndrrës së jetës, deri në dashuri.

programuar në katër njësi poetike: “Deri në fund të maratonës”, “Pirgu i vargjeve”, “Ogur i bardhë” dhe “Kush e vrau buzëqeshjen”, kjo libër me mbi shtatëdhjetë poezi, sjell botën poetike të strukturuar sipas motiveve të trajtuara brenda lëndës poetike që e lartësojnë ngrehinën e vlerave letrare. Në secilën prej katër cikleve poetike takojmë nga një botë të veçantë, të shtjelluara me kujdes e përkushtim, e paisur me një leksik të pasur gjuhësor, me metafora e toponime të shumta që e identifikojnë vendkrijimin e saj, për ta brumosur në kujtesën e lexuesit edhe gjeografinë e shtrirjes së semantikës poetike, që të kompletuara e paraqesin një botë të mrekullueshme të stolisur me mjeshtri nga pena e Izet Abdylit, e dëshmuar tashmë, si latues i kujdesshëm në stilin dhe ravijëzimin e pamjeve ambientale të vendngjarjeve prej nga shtrihet tema e trajtuar.

Kështu, në rrugëtimin e tij jetik, Izet Abdyli sikur i ka dhënë vetes detyrë prioritare që mos të ndaloj për asnjë çast me krijimtarinë poetike, derisa një ditë të arrij “Deri në fund të maratonës”, sepse, sipas tij: “nuk është me rëndësi/ kush del i pari apo i fundit/ kush e merr trofeun/ e kush lodhet më shumë/ kryesore maratonës ti dilet në fund”, do ta përkufizonte mendimin e tij. Edhe cikli tjetër, “Pirgu i vargjeve”, poaq i ka vlerat e veta, jo vetëm për trajtimin e temave, por shquhet edhe për vargjet më të spikatura në portretizimin e emrave të përveçëm të historisë sonë kombëtare që nga antika e këtej, që si duket kësaj radhe vijnë të përzgjedhur me kujdes, për të pasqyruar shtrirjen sa më të gjërë të prezantimit, si: Pjetër Bogdani, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, Fazli Greiçevci, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, pastaj Latif Berisha, Ragip Sylaj, deri edhe luftëtarë të luftës së fundit, si Ismet Krasniqi, për të sjellur edhe përkushtime e mbresa për vende e ngjarje të shumta gjithandej trojeve të Ilirisë së hershme, që ende i kujtojmë dhe i përjetojmë shpirtërisht si plagë që rrjedhin gjak e ndryejnë mall, si: Çamëria, Krojet e Ali Pashë Gucisë, për kullat historike të Bujanit, etj. për të përmbyllur me “Testamentin e luftarit”, i cili ka veç një qëllim, që siç do ta thonë vargjet: “edhe pak/ edhe pak hapa/ deri te caku/ sall të shijoi ato rreze lirie/ pastaj po bie” (po aty, fq. 45). “Ogur i bardhë” për autorin e kësaj përmbledhje poetike është vet krijimtaria e tij që çdoherë i vjen e freskët, me gjak të ri krijues, me nduarnduarshmëri temash e prekjesh sensitive të vargut të tij. Këtë herë, veç sa nuk i thur epope vargut të tij, duke e trajtuar në disa prej poezive, që të përmbledhura në këtë cikël poetik dalin si një poemë e mirë, ku “Fjala si vala” dhe “Në ditën e poezisë”, që në çast edhe mund të përjetojnë “Tërmet në vargje” në ecjen tutje hullive të reja të lërimit të vargut për vargun deri në “Mrekullinë e vargut”. Por, edhe këtu nuk mungojnë vargjet plot dhimbje, “Kur qan poeti për poetin”, që shpërfaq lidhjet e fuqishme shpirtërore edhe për krijuesit që mund të pësojnë në jetë e fatkeqësi.

Çdo veprimtari e ka edhe të veçantën e vet. Edhe këtu e përjetojmë atë kënaqësi leximi të vargjeve me ngjyrime të dashurisë, me lule e këngë zemre, që nuk mbarojnë nga vargu në varg për ta nxejerr sheshit dashurinë e ndryrë në shpirt dhe mallin e pashuart të dashuruarit, për kujtimet e ikura si hijet e mesditës, po gjithnjë në rikthim të dytë për tu prekur emocionalisht. Në mbi njëzet njësi poetike, që pothuajse gjithësecila bart në vete një kujtim, një mall a një dhimbje të ëmbël, që të bashkuara pasqyrojnë jetë –dashurinë e shprehur përmes vargjeve. “Kush e vrau buzëqeshjen” do ta përmbyllte gjithë temën e dashurisë, duke aluduar në frymën që frymon dashuri përmes vargjeve e prekjes me zemër deri “Në pikëditë” ku do ta takoj mrekullinë: “dorë e vogël sikur ngrinë/ po në sy duken shkëndija/ si ujëvarë derdhë buzëqeshje/ ti që hyre në vargje të mia”, (po aty, fq. 89), sikur e ngushëllojnë poetin.

Kjo përmbledhje poetike që solli për lexuesin e tij të pasionuar, Izet Abdyli, padyshim se është edhe një margaritar që i shtohet gjerdanit të bukur të poezisë sonë, rrezatimi i të cilave përqafohet me rrezet e diellit, për të shkëlqyer gjithandej kah jeta kapton shtigjet e jetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat