Në 22-vjetorin e ndarjes nga jeta e Ejup Statovci

Kultura

Në 22-vjetorin e ndarjes nga jeta e Ejup Statovci

Nga: Feti TUNUZLIU Më: 19 tetor 2021 Në ora: 09:49
Ejup Statovci

S’do mend se figura e Ejup Statovcit, pleks në vete një spektër modelesh. Veçojmë ate: të pedagogut të çmuar të mësimdhënies juridike universitare e pasuniversitare; të njërit ndër intelektualët më të shquar të botës akademike; të shkencëtarit natar shqiptar të drejtësisë civile; të Rektorit themelvënës të Universitetit etnik të Prishtinës dhe të simbolit të atdhetarit të devotshëm të plejadës se figurave eminente të dekadave të fundshekullit XX në Kosovë.

Në nderim të veçantë për evokimin e personalitetit të shumanshëm dhe veprës madhore të kryeprotogonistit tonë në 22 vjetorin e kalimit në jetën e amshuar më 19 tetor 1999, do sjellim një copëz jete duke përkujtuar me pietet disa momente nga jeta dhe bëmat e tij. Por, duke i analizuar me kujdes ato, natyrisht që është zor t’i piketosh “disa momente” si pjesë të shkëpurtura të jetës dhe veprës së kësaj figure shumë të shquar në një shkrim të vetëm.

Shkruesi i këtyre radhëve, në fakt, student i prof. Statovcit nga viti akademik 1974/75, kujton se ky njeri me shumësi vlerash të mbërthyera në mendjen e të gjithë atyre që e kanë njohur, ishte një metaforë e rrallë dhe shembull se si të krijosh e të lësh trashëgim emrin e mirë.

I lindur në Prugoc të Prishtinës më 16 prill 1940, në një familje të ndershme e liridashëse, u arsimua me filloren në fshatin fqinj Besij, me normalen në kryeqytetin kosovar, me Fakultetin juridik në kryeqytetin kroat – Zagreb, ku diplomoi (1966) e magjistroi (1971) dhe me doktoraturën në kryeqytetin slloven - Lubjanë (1974). Pas studimeve, “për të depërtuar në thellësinë vërtikale dhe për t’u shtrirur në gjërësinë horizontale” - siç parapëlqente të shprehej gjatë ligjëratave të doktrinës civile juridike - ai do bëjë vizita studimore nëpër qendra universitetare prestigjioze angleze (Kembrixh e Oxford) dhe amerikane (Havard). Poashtu, do prononcohet edhe si panelist në simpoziume shkencore ndërkombëtare në Paris (Francë), Hagë (Holandë), Portorozh, Dubrovnik (Kroaci), etj.

Prof. dr. Ejup Statovci mbante edhe disa pozita nëpër redaksitë e botimeve periodike: anëtar i Pleqësisë së Universitetit të Prishtinës, Kryetar i Pleqësisë së Fakultetit juridik, Drejtor i Institutit për kërkime juridike dhe shoqërore në Fakultetin e Drejtësisë, Drejtor i studimeve juridiko civile postdiplomike, Kryeredaktor i revistës “E drejta-Pravo”, anëtar i Këshillit botues të revistës “Përparimi”, Kryeredaktor përgjegjës dhe anëtar i Redaksisë “Përmbledhje punimesh - Zbornik radova” të Fakultetit juridik, sekretar i Buletinit të Fakultetit juridik të Prishtinës dhe anëtar i Redaksisë së revistës “Universiteti sot”.

Falë vullnetit të tij demoniak, ngadhnjeu ndaj trysnive të kohës me gjithëçka të mirë e fisnike. E ndër shumë sentenca që ishin ngujuar në mendjen e prof. Statovcit do rikujtuar këtë: “…breznitë vazhdimisht e marrin në shikim të kaluarën e të të parëve dhe të vetën, vlerësojnë të arriturat e lëshimet e të së kaluarës, studiojnë institucionet e gjyshërve e të etërve, si dhe të vetat për t’i “ngritur” ose “zbritur” në vendin e vet, për t’ua dhënë emrin dhe kuptimin e saktë e të merituar. Së fundi “brezi brezin e mban“, por edhe gjykon për punën e tij”.

Ndonëse pas normales bëri përvojë të shkurtër mësuesie, ndërsa pas diplomimi për drejtësi bëri përvoje të shkurtër edhe në administratën e Sekretariatit të Financave të Kosovës, Ejup Statovci në vitin akademik 1967/68 do të kaloi në Fakultetin juridik-ekonomik në Prishtinë si asistent i autorizuar për mbajtjen e ligjëratave nga lëndët Hyrje në të drejtën civile e reale dhe E drejta ndërkombëtare private. Me themelimin e Universitetit të Prishtinës, (1970) do të vazhdoi rrugëtimin pedagogjik në Fakultetin e drejtësisë ku do zgjedhet profesor inordinar (1975) e më pas edhe profesor ordinar (1980). Në nëntor të vitit 1991 do të zgjedhet Rektor i Universitetit etnik shqiptar në Prishtinë.

Më thotë mendja se profesor Statovci ishte njeri ndër margaritarët e profesoratit të juridikut prishtinas përkrah Gazmend Zajmit, Esat Stavilecit, Bardhyl Çaushit, Rifat Osmani, etj.

Mbaj mend kur një leksion akademik me studentët e vitit të dytë e lumturonte si t’ishte realizim i ëndërruar i veprës së tij modeste. Një ligjëratë me lajtmotiv të pronësisë, marrëdhënieve pronësore dhe aspektet krahasimtare të tyre sikur i ngjallte ndjenja romantike dhe kënaqësie. Kërshëria studentore për nocione, institute e studime juridike civile gjatë ligjëratave e bënte të ndjeshëm deri në krenari, ndërsa përgjigjja e saktë e studentit në provime e ndezte duke e bërë të fërkonte duartë si një fëmij i emocionuar nga befasia e bukur. Ata që e kanë njohur si profesor pasionant dhe ligjërues patetik të ligjëratave akademike apo studentët që kanë ndjer nga afër dashurinë e madhe për arsimimin e rinisë dhe punën e tij inkurajuese e lexonin qartë kënaqësinë që përjetonte njeriu i cili bënte para tyre histori dhe që do të mbetej në te si pjesë e konsiderueshme dhe e përjetshme e saj. Studentët shprehnin pa ekuivoke mburjen që kishin: për profesorin e tyre i cili i ngashnjente me përpikëmërinë, korrektësinë, ndershmërinë, transparencën, performancën e lartë të mësimdhënjes akademike; për profesorin e urtë si vetë urtësia i cili fliste me zë shumë të ulët por të prerë; për profesorin i cili duke derdhur energji e pasion reflektonte motive të pastra studimi dhe krijimi të ekspertizave shkencore.

Ndryshe, fillimi i jetës pedagogjike në arsimin universitar i prof. Statovcit koincidon me fillimin e krijimtarisë së tij shkencore e profesionale. Ç’është e vërteta, pikërisht viti 1967 (28 shtator), që shënon fillimin e punës si asistent i grupit të lëndëve civile, duket se shenon edhe botimin e artikullit të tij të parë: “Parashkrimi – trajtimi i tij në praktikën gjyqësore dhe administrative me rastin e zbatimit të Ligjës mbi uzurpimet” në nr. 5 të revistës “Përparimi”.

Profili krijues i prof. Statovcit pasqyrohet me një fond të artë librar për çka literatura juridike në gjuhën shqipe vuante tradicionalisht, ndërkohë që, duke qenë thesar trashëgimie, ky fond njëherit është pjesë edhe e historisë juridike civile ndërkombëtare.

Falë kultivimit të virtyteve të larta shkencore dhe përsiatjeve krijuese, prurjet diturore Statovci ia ka dedikuar brezave të tërë studentesh të drejtësisë, sidomos për ata në studime për magjistrature, përkatësisht master e në doktoratë. Ato i serviren edhe juristëve prakticient e teoricient, gjyqtarëve, avokatëve, zyrtarëve të legjislativit dhe juristëve kureshtar ngase janë pjesë e rëndësishme e identitetit tonë shkencor, arsimor, kulturor dhe kombëtar që të integrohet dija juridike civile në proceset e zhvillimit të shoqërisë kosovare.

Këto veçori Statovci i shpalos në botimet e tij të denja shkencore: “Marrëdhëniet pronësore juridike në sendet e palujtshme në KSA të Kosovës” (1977, punim doktorate); Mbrojtja e pronësisë – Studim komperativ (1980); Pronësia – origjina dhe zhvillimi, Studim komperativ (1983); “E drejta e servituteve – Aspekte komperative (1985); “Sistemi i mjeteve juridiko-civile sipas Kodit shqiptar të kontesteve civile dhe Ligjit jugosllav mbi procedurën kontestimore”, (Punim magjistrature); “E drejta e pengut – Aspekte komperative (1988).

Ndonëse, nuk më takon mua të jap gjykime të thelluara për këto produkte shkencore akademike, megjithatë disa gjëra mund t’i pohoj. Mëtoj se në pamje të parë këto çështje duken të trajtuara mjaftueshëm në studimet juridike. Por, nuk del kështu kur njihesh me përmbajtjen themelore të veprave të tilla që lartësojnë autorin e tyre. Nga to del se ky personalitet i dijes ka njohur mirë të dhënat e autorëve të shumtë, ka gjurmuar me zell në arkiva, biblioteka e libra duke marrë shtysë për të interpretuar e analizuar pronën, marrëdhëniet pronësore, servitutet dhe pengun. Për t’i vënë në fondin krahasimor ka gërmuar edhe në terren. Më pas ka argumentuar dhe sistemuar rezultatet origjinale të punës kërkimore shkencore. Çështjet e tilla i ka prekur me kundrimin shkencor përmes metodave të admirueshme kërkimore dhe metodologjisë së studimit. Ishte edhe katalizator i ndërgjegjësimit të opinionit shkencor e profesional për gamën e vlerave trashëgimore juridike-civile që ka lënë dhe për përgatitjen e studiuesëve të ri. Ndaj, këto vëllime arrin vlera të veçanta.

Pas një gjykimi të imtë dhe qasjes kritike të veprave të Statovcit që iu bë gjatë procedurës së recensionimit nga vendorët e të huajt, ata ngritën vlerësime lapidare. Sipas tyre, këto produkte intelektuale origjinale kanë “vlerë të posaçme” dhe janë “kontribut i rëndësishëm për literaturën profesionale shkencore” (akademik Allojz Finzhgar); paraqesin “kontribut të çmuar për studim …” (akademik Mehmed Begoviç); se “… punimi ka të gjitha kualitetet që duhet t’i këtë një punim shkencor kërkimor …” (prof. dr. Martin Vedrish); se autori Statovci ka dhënë “… kontribut të shquar në teorinë e së drejtës sendore (Ksavier Blank-Zhuvan), etj.

Pos me vepra, prof. Statovci avancoj shkencën edhe me një korpus të konsideruar artikujsh, të themi, të cilësisë akademike nga fusha civile të publikuara në revista periodike. Vargut të gjatë të tyre i takojnë edhe shkrimet: “Kompetencat e ligjvënësit krahinor në rregullimin e marrëdhënieve juridike civile”, (“Dituria”, 1971/72); “Disa çështje mbi servitutet personale”, (“E drejta-Pravo”, nr. 3-4/1982); ”Ca pikëpamje mbi të drejtën e pronësisë në përgjithësi”, (Përmbledhje punimesh-Zbornik radova”, nr. 1-1973 dhe nr. II/1974); etj.

Ndërkaq, në ndërkombëtarizimin e emrit të Statovcit ndihmuan vlerësimet mbresëlënëse të recensentëve të huaj. Por ndikuan edhe paraqitjet e tij prej panelisti në: Paris (France) në “Ditët frengo-jugosllave të juristëve” (1979); në Hagë (Holandë); në “Kongresin ndërkombetar juridik mbi shkencen juridike (1977); në Portorozh (Kroaci) në simpoziumin ndërkombëtar “Shkenca dhe shoqëria” (1977) si dhe ligjëratat në Hauard (SHBA), Kembrixh dhe Oxford (Angli) ku mori edhe një kulturë demokratike. Përmes gjuhëve ndërkombëtare që i zotëronte: angleze, frenge dhe ruse, erudicioni dhe përvoja e prof. Statovcit përballeshin me nivele të shkencës ndërkombetare ballkanike, europiane pse jo edhe botërore.

Prof. dr. Ejup Statovci shquhet edhe në skenën politike institucionale si drejtues universitar i cili mori mandatin e këtillë pasi që Kuvendi i Serbisë kishte miratuar aktet juridike të karakterit gjenocidial e diskriminues duke filluar me amandamentet kushtetuese në vitin 1989 të pasuara me ligjin për veprimin e organeve republikane në rrethana të veçanta (1990); për ndërprerjen e punës së Kuvendit të Kosovës dhe KE të tij (1990); për marrëdhënie pune në rrethana të veçanta (1990) dhe së fundmi me Kushtetutën e Serbisë (1990). Të gjitha këto ishin si hakmarrje për pjesëmarrjen e shqiptarëve në grevën e 3 shtatorit 1990, anëtarësimit në Sindikata të pavarura, solidarizimit me minatorët e Trepçës, mosdaljes në votime serbe që pasuan me masa të dhunshme nëpër ndërmarrje e institucione, zëvendësimi i udhëheqësve shqiptarë me ata serb e malazias, pushimi i shqiptarëve nga marrëdhënia e punës, ndërprerja e financimit, etj. Implementimi kokëfortë i këtyre ligjeve krijoi rrethana të rënduara e të vështira politike dhe jo vetëm, për mbarëvajtjen e punës së Universitetit të Prishtinës.

Dhe pikërisht gjatë vitit 1990 kur u nxorr ky cikël ligjesh – pa mëdyshje kundërkushtetuese dhe filloi implementimi i egër i tyre, prof. Statovci mori pjesë në grupin që fshehtasi hartuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, prirë nga akademik Gazmend Zajmi që cilësohej akt i vetëvendosjes demokratike, i pavarësisë dhe barazisë në rendin e ri federal-konfederal. Me te, veç tjerash, u anulua Vendimi i dhënies së pëlqimit për Amandamentet për Kushtetutën e RS të 23 marsit 1989. Në këtë kohë, poashtu, iu bashkua grupit i cili në konfidencialitet të plotë hartoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës të shtatorit 1990, aktin e parë njohës të subjektivitetit të plotë të Kosovës në Jugosllavi si njësi e pavarur dhe e barabartë me republikat tjera të saj.

Më pas, më 1 tetor 1991 kur u ndalua mësimi universitar në gjuhën shqipe, milicia serbe largoi dhunshëm stafin akademik, mbështetës dhe studentët shqiptare nga hapësirat zyrtare të Universitetit të Prishtinës duke lenë aty vetëm serbët. Ndaj, mbetën pa punë mbi 1.000 mësimdhënës shqiptarë (30 profesor shqiptarë vazhduan punën në Universitetin e serbizuar !) dhe 25 mijë studentë ngelën rrugëve. Një muaj pas, më 16 nëntor 1991 prof. Statovci zgjedhet Rektor i Universitetit të Prishtinës për mësim në gjuhën shqipe. Që në nisje të detyrës u ndesh me pasojat e suspendimit të subjektivitetit politik dhe juridik të Kosovës si një nga tetë njësitë federale të ish-Jugosllavise. Menaxhonte Universitetin etnik shqiptar të Prishtinës në përbërje prej 13 fakulteteve, 7 shkollave të larta me 845 arsimtarë shqiptarë dhe 247 bashkëpunëtorë. Ndërkaq, bashkëpunimi me institucione nuk mund të realizohej për shkaqe të mirënjohura politike. Procesi mësimor me kurikula të këtij Universiteti vijonte nëpër objekte private (bodrume, garazha) me frikën e vazhdueshme të arrestimeve e maltretimeve të mësimdhënësve e studentëve nga milicia serbe. Pra, edhe në kushte e rrethana klasike të segragacionit etnik vazhdonte mësimdhënia bazuar në tradita më të mira morale, kulturore, historike, arsimore e shkencore si ngjarje kulmore e fushës së arsimit të lartë.

Në korrik 1992, Rektori Statovci nënshkroi disa marrëvëshje bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës ku u pranuan 50 studentë kosovarë. Poashtu, nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi edhe me Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Universitetin e Shkodrës dhe me Universitete tjera europiane: “Friderih Schiler” në Jenë, me Universitetin Teknik të Dresdenit, me Universitetin e Lirë të Berlinit dhe të Lubjanës Në vitin 1993 u takua me Rektorin e Ulmit. Mori pjesë në Konferencën e 43-të biennale të Rektoreve të Universiteteve të Europës në Gjenevë, mbajtur në Selanik në prill 1994 ku bisedoi me delegacione të universiteteve europiane të cilët treguan gatishmërinë për t’i ndihmuar Universitetit prishtinas.

Në një prononcim mediatik, autoriteti suprem akademik ishte shprehur i befasuar për sukseset e Universitetit që po e drejtonte. “… duke patur parasysh rrethanat e kushtet si punojmë si dhe rrethanat e brendshme e të jashtme, si jetojmë nuk kam pritur që dalja e Universitetit të jetë kaq e sukseshme si dhe të bëhet kaq shumë brenda kësaj kohe …”, kishte thënë Statovci.

Universiteti i Prishtinës ishte njeri ndër themeluesit e Konferencës së Universiteteve Shqiptare. Universiteti Prishtinës arriti të afirmohet me institucione shtetërore, diplomat, universitetete, shoqata universitare të huaja të cilët treguan gatishmërinë që me bujari t’i ofrojnë ndihmë këtij Universiteti. Fatkeqësisht, këto u bënë pa “protokolle ndërshtetërore e ndëruniversitare” sepse Kosova nuk njihej si subjekt në marrëdhëniet ndërkombëtare. Së këndejmi, të gjitha këto zhvillime i bëri “Universiteti si organ autonom”, shprehej Rektori Statovci.

Edhe sot ruaj bindjen se në sfondin e një autonomie të shembur politike kushtetuese të Kosovës, Rektorit Statovci i ra barra kryesore e realizimit të misionit historik – pavarësimit të Universitetit etnik shqiptar duke mos lënë të ndërpritet fare procesi mësimor në vitin 1991 por të vazhdoi edhe në kushte tejet të rënduara. Sypatrembur e i pathyeshëm i qëndroi edhe ndërhyrjeve të milicisë që pengonin gjatë drejtimit të Universitetit në harkun kohor gjashtë vjeçar. Aspironte modelin e një arsimi të reformuar, demokratik që do funksionoi edhe në kushte e rrethana gjenocidiale. Madje, arrijti që pos universiteteve shqiptare të loboi dhe mbaj marrëdhënie edhe me Universitetet tjera: të Zagrebit, Vjenës, Padovës, Firencës, Leqës, duke zënë vend të denjë ndër këto institucione.

Universiteti shtetëror shqipfolës i Republikës së Kosovës realizonte pavarësinë politike, juridike, financiare, shkencore, akademike, organizative e profesionale duke operuar në bazë të Dekretligjit mbi shkollimin e lartë dhe Statutit të Universitetit, të draftuar nga dora e Rektorit Statovci. Dekretligjin në fjalë, Rektori Statovci e quante “ligji i parë sistemor me të cilin zbatohej Kushtetuta e Republikës së Kosovës … me të cilin Republika e Kosovës ndërprenë vazhdueshmërinë me legjislacionin e ish-Jugosllavisë që ishte në agoninë e saj”. Kështu, duke rimëkëmbur e reformuar transformoi Universitetin në një universitet modern europian.

Falë qëndrimit puritan dhe normave etike të sjelljes akademike e qytetare, prore duke respektuar dinjitetin dhe mendimet e të tjerëve, Rektori Statovci tejkaloi me mençuri përplasjet me disa nga profesorët dhe studentët e Universitetit që ia sfilitnin shpirtin. Duke mënjanuar çdo sfrat arriti ta mbaj gjallë funksionimin e Universitetit publik të Prishtinës. Pamundësoi çdo formë të privilegjeve, ndërhyrjeve e favorëve. Nuk dakordohej me ata që s’pajtoheshin me mënyrën e drejtimit të Universitetit nga ai e ishin në linjë me Qeverinë në ekzil dhe LDK, ndonëse vet ishte në Këshillin Qendror të saj. Rektorin historik, siç e quajnë disa, e gërryente ideja që rë arsim të priten reforma nga Marrëveshja Rugova-Millosheviq.

Rektori Statovci mbeti simbol i shpirtnjeriut altruist i cili vuante deri në mundim edhe kur largoheshin intelektualët shqiptarë nga vendi për motive personale, “për jetë më të mirë” !

Në prag të protestave të studentëve të 1 tetori 1997 në mesazhin për media, Rektori Statovci ishte deklaruar për mënyrën se si arrihet tek liria dhe pavarësia duke pohuar me kompetence që duhet: “të punohet me vendosmëri, me përkushtim, me dashuri e ndërgjegje të lartë, pa hile për ta mundur të keqen dhe fituar të ardhmën që pretendojmë lirine dhe pavarësine”.

Prania dinjitoze e Rektorit Statovci pa iu dridhur qerpiku në ballë të kolonës prej mbi 20 mijë studentëve në protesta 24 vite me pare, më 1 tetori 1997 ne Velani mes lidershipit studentor Bujar Dugollit, Driton Lajqit, Muhamet Mavrajt, Albin Kurtit, Mihane Salihut, Jeton Rexhës, Ernest Lumës etj. ishte sfidë e guximshme dhe akt i rrallë, sakrifice dhe krenarie për botën studentore, akademike dhe popullin shqiptarë. Këshilli organizativ i protestave ideoi protestat studentore “protesta të qeta, paqësore, joviolente, jo të dhunshme”, shprehej përfaqësuesi më i spikatur universitar Statovci, duke shtuar se ato ishin organizuar në shenjë lirimi paqësor të objekteve të uzurpuara dhe simbolizuan fundin e rezistencës pasive ku pos studentëve “edhe populli, prindërit, subjektet, përfaqësuesit e institucioneve dhe asociacioneve do të dalin masovikisht në protesta për të mbrojtur anash studentët”.

Imazhet e protestave u shfaqën edhe nëpër media ndërkombëtare nga reporterët okularë të huaj që demskuan brutalitetin e okupatorit i cili goditej nga bota e civilizuar e demokratike ngase protesta mori ngjyrën e vërtetë, vizavi lajmeve mediale serbe që ishin blof e rrena.

Gjatë këtyre protestave Rektori Statovci u arrestua nga milicia e armatosur deri në dhëmbë, e bashk me te edhe prorektor Ahmet Geca dhe liderët studentorë. Ndonëse i stërlodhur nga angazhimet e përditshme institucionale, megjithatë, personaliteti dinjitoz rrezatonte vendosmëri dhe energji si rrallë kush duke mos e dhënë veten para të tjerëve - as kur u dënua, as kur mbajti burgun. Vetëm dy muaj pas këtyre protestave, në dhjetor 1997 Rektori i paluhatshëm dhe gjurmëlënës Statovci do të pasohet nga prof. dr. Zejnel Kelmendi.

Ndryshe, 8 profesorë universitarë dhe 323 studentë do martirizohen gjatë rezistencës aktive të UÇK e cila me ndihmën e NATO-s largoi agresorin serb nga Kosova në qershor 1999.

Kalimthi të rikujtojmë se filatelia kosovare ka nderuar prof. Statovcin me emetimin e emrit dhe imazheve të tij në pullat postare nxitur nga vepra pedagogjike, shkencore e kombëtare e tij.

Sa ishte gjallë, pikërisht më 15 shkurt 1999 u shpërblye me “Mirënjohje” nga Universiteti i Prishtinës për punën e madhe e vetëmohuese që bëri si Rektor. Ndërsa, pas vdekjes, më 16 maj 2000 iu nda “Mirënjohja” me rastin e 30 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “për kontriobutin e veçant për rifillimin e punës së Universitetit të Prishtines dhe për udhëheqjen e tij në kushte të jashtëzakonshme në periudhën 1991-1997”.

Si nje personalitet historik dhe simboli i qëndresës - prof. dr. Ejup Statovci u nderua nga institucionet tona duke u bërë pjesë e grupit të laureatëve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, sikundër ishte shpallja Hero i Kosovës (2018).

Sapo bëri tre muaj jetë në Kosovën e lirë, më 19 tetor 1999, prof. dr. Ejup Statovci do i mbylli sytë përgjithmonë pa mbushur moshën 60 vjeçare. Kjo shenoi një humbje të rëndë e të madhe. Ishte e tillë për familjen në rend të parë e më pas edhe për universitetin, shkencën dhe shqiptarinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat