Një gjest francez dhe një paradoks shqiptar

Kultura

Një gjest francez dhe një paradoks shqiptar

Nga: Hejza Art Më: 26 tetor 2021 Në ora: 12:30
Foto ilustrim

Në numrin e fundit (153), e përjavshmja letrare kulturore “ExLibris”, veç të tjerash, boton edhe një poemë me titull “Vetërrëfim”, të autores Feride Papleka!

Feride Papleka në letërsinë bashkëkohore shqiptare zë një vend të merituar. Prurjet e saj letrare janë të shumëllojshme, ndërsa shquhet edhe si studiuese e veçantë e letërsisë. Është Doktoreshë e Sorbonës!

Poemën ia kushton poemës! Njëzetepesë njësi poetike të ngjeshura me definicione të mrekullueshme estetiko-poetike mbi poemën! Vetëm një gjendje deliri mund të të ofrojë “komoditet” për vlerësime kaq të veçanta poetike mbi një vlerë letrare. Autorja e shkruan poemën dhe, në fund, i kthehet sërish fillimit, për ta shprehur tërë “habinë” e vet për mënyrën se si erdhi poema mbi poemën! Nga ky këndvështrim, çka është poema sipas zonjës Papleka? Është “Strukturë e hollë / Ku dëgjohet / Edhe zhurma e barit”, “tension melankolik / Që jeton në fshehtësi”; poema është “Një jashtësi / Që ndriçon brendësinë”, “Një thirrje / Që ia beh papritur / Nga një kënd i trishtuar”, “Një ndjesi e çuar dëm / Që gjen zemrën e vet”...

Fatkeqësisht, kjo poemë e Feride Paplekës, hedh dritë edhe një herë mbi një paradoks, mbi një grotesk që del nga matrapazllëqet e botuesve tanë jo të sinqertë! Poema i ka tri shenja shpjeguese (fusnota)! Nga shenja e vënë në mbititull (“Variacione poetike”) kuptojmë se Feride Papleka poemën e ka shkruar në Paris në kohën e karantinimit si masë mbrojtëse nga virusi vdekatar, Corona 19. Tutje, në këtë shpjegim na shpaloset një ngjarje e trishtë, një dhembje që do të duhej ta shqetësonte çdo intelektual e çdo zyrtar të jetës sonë kulturore. Shpjegimi i zonjës Papleka ka këtë përmbajtje:

“*Shkruar në Paris frëngjisht gjatë ngujimit të madh 2020 nga pandemia. Tekstin frëngjisht do ta paraqes në një shtëpi botuese që më ka ofruar botimin në Francë, por atë të përkthyer në shqip nuk e pranojnë në vendin tim; ndonjë shtëpi botuese thotë nuk botojmë autorë shqiptarë, disa thonë duhet të paguash, ndonjë tjetër thotë se e ka bërë planin e botimeve...”

Pa koment! Thjesht, pa koment!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat