A bëjmë humanitet me libër!

Kultura

A bëjmë humanitet me libër!

Nga: Hejza Art Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 11:20
Foto ilustrim

Nuk është thënë kot: të dhurosh një libër është sikur të dhurosh një botë të tërë. Libri i dhuruar është dhurata më ideale që ekziston!

Populli shqiptar shquhet në botë, veç tjerash, edhe për sensin e zhvilluar të humanitetit. Është një ndër popujt më humanitar në botë, pa dyshim! Humanitet me pako ushqimore, humanitet me kuzhina popullore për të pastrehët, humanitet me falje të shtëpive të reja, të apartamenteve, humanitet me tubim të financave për shërim jashtë vendit, humanitet në raste të fatkeqësive natyrore, humanitet tashmë i dëshmuar edhe në rast lufte! Një formë e institucionalizimit të humanitetit është edhe ndarja e teksteve shkollore falas për nxënësit e shkollave fillore.

Nëse të gjitha këto akte humanitare zbusin dhembjen, trishtimin, varfërinë, skamjen, janë edhe një duzinë veprime humane që fisnikërojnë shpirtin, që gëzojnë njeriun, që ndihmojnë në kapjen e horizonteve të reja imagjinare, që e inspirojnë “hallexhiun”, madje aktivitete humanitare që e ngrenë nivelin kulturor të shkollave, të zyrave administrative, të zyrave lokale, të dhomave të shtëpive...

A kemi shoqata humanitare që zhvillojnë aktivitete humanitare, duke shpërndarë falas “mall letrar”, “produkte letrare” – libra, apo nuk merren me këtë “sport”, meqë dhurimi i librave nuk sjell kurrfarë përfitimi për drejtuesin dhe as për shoqatën humanitare! Nga produktet ushqimore mund të ndahet diç edhe për vete, nga materiali ndërtimor humanitar mund të dalë ndonjë shtëpi edhe për vete, nga dhurimi i rrobave dhe veshmbathjeve të ndryshme mund të ngelë diçka edhe për vete. Por, nga dhurimi i librit, çka mund të ngelë përveçse librit! Aktivistët humanitarë mbase (!) nuk kanë kohë për librin!

Ja pra, mundësia që në një panair gjithëkombëtar, si ky i Tiranës që do të mbahet këto ditë, të organizohet edhe një Kuvend Vjetor i Librit, në të cilin botuesit do të raportonin mbi librat e dhuruara nëpër shkolla të zonave të thella rurale, nëpër biblioteka rurale, nëpër familje të varfër të cilët kanë fëmijë që bashkëjetesa me librin mund t’ua zbutë sadopak trishtimin e varfërisë.

Natyrisht, një aktivitet i tillë humanitar nga botuesit do të mund të realizohej përmes ndihmës financiare nga fondet me dedikim pranë ministrisë së kulturës dhe të arsimit! Për shembull, ministria e kulturës do të mund ta financonte pjesërisht planin vjetor të botimeve nga shtëpitë botuese, me kusht që tirazhi i caktuar t’u falej shkollave, bibliotekave, fëmijëve! Pas raportimit se tirazhi është donuar, ministria do të mund ta kontrollonte edhe tirazhin e botuar nga botuesit që subvencionohen për këtë aktivitet kulturo-human! Nuk është thënë kot: të dhurosh një libër është sikur të dhurosh një botë të tërë. Libri i dhuruar është dhurata më ideale që ekziston! Në çdo panair nga vetë botuesit do të duhej të caktohej edhe subjekti-botuesi, i cili brenda vitit do të zhvillonte aktivitetin “dhuroni libër”, i cili do t’u shkonte lexuesve në fshatra të thella, bibliotekave të shkollave rurale, bibliotekave të burgjeve, të kazermave, bibliotekave në diasporë! Urdhëroni dhe bëjani vetëm një vizitë bibliotekave komunale ku jetojnë e punojnë diaspora jonë! Shikoni këndin e librave shqip! Të mbytë mjerimi dhe turpi!

Falni libra e mos i lini t’ju ngulfaten në pluhur e në lagështi. Ta dëshmojmë fuqishëm humanizmin tonë edhe në rrafshin kulturo-human!/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat