Qamili i vogël, ky zë i ëmbël i muzikës shqiptare

Kultura

Qamili i vogël, ky zë i ëmbël i muzikës shqiptare

Nga: Sylejman Salihu Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 21:48
Qamili i vogël

Kur në ekranin e televizorit, TV21 mësova se po bëhej fjalë për Qamilin e Vogël, pata emocione të veçanta, që lidheshin me emrin e këtij këngëtari. Përse do të më pyesni, ju? Fare thjesht dhe krejt natyrshëm. Kur isha i vogël, merrja me vete një libërth të vogël xhepi, me këngët e tij, të cilin ma kishte dhënë djali i mixhës dhe mësuesi e më vonë edhe profesori i letërsisë, Skënder Salihu. Mund të thuhet se ishte literatura ime e parë muzikore, që unë e kisha në duart e mia, ngado që shkoja. Ato këngë lirike dhe ato balada të bukura muzikore, që edhe ndonjëherë i dëgjoja në emisionet e Radio Prishtinës, sikur u bënë pjesë e imja dhe kështu edhe sot i ruan mirë kujtesa ime, përkundër që kanë kaluar dekada. Bukuria tekstore dhe porosia e mesazhi artistik e estetik, ëmbëlsia dhe harmonia e notave dhe tonaliteteve në pentagramin muzikor, sikur u bën pjesë e imja, ndaj edhe i këndoja herë më vete pa zë, e ndonjëherë duke ia rritur guximin vetes dhe duke ia ngritur edhe volumin zërit, që t' i dëgjonte edhe ndokush tjetër. Meqë posedoja, siç më thoshin mësuesit, një vokal të ëmbël dhe të pëlqyer muzikor, unë pothuajse rregullisht, në festat e atyre viteve "socialiste", ngjitesha në skenat e improvizuara të shkollës për të kënduar ndonjë këngë, që ishte edhe pjesë e programit artistik të shkollës.Një nga ato këngë ishte kënga e Bajram Begut, të cilën e kisha dëgjuar dhe e kisha mësuar nga Qamili i Vogël.

*

KUSH ISHTE QAMILI I VOGËL?

Ai ishte një nga këngëtarët më të njohur të kohës dhe një nga pionierët e këngës popullore shqipe në Kosovë. Ndonëse ishte muhaxhir si shumë të tjerë që ishin shpërngulur dhunshëm nga tokat shqiptare, andej nga Jabllanica e Medvegjës, ai kishte lindur më 1923 në Gjakovë, që mund të thuhet se ishte djepi i këngës qytetare dhe popullore shqiptare. Duke u parë se kishte një talent, ai ra në sy menjëherë nga veteranët e këngës gjakovare, prandaj edhe mirrte pjesë në provat muzikore të cilat i organizonte doajeni i këngës shqipe gjakovare Ymer Riza, i cili edhe njihet me instrumentin legjendar "sharkinë e tij me dymbëdhjetë tela".Ndonëse vet ishte i kamur, Ymer Riza e kishte shkrirë gjithë pasurinë e tij, duke e vënë në shërbim të kultivimit dhe vlerave të muzikës shqiptare, ku pjesë e këtyre vlerave u bë edhe Qamili i Vogël. Pëse ai u quajt me epitetin "i Vogël"? Brenda shoqërisë muzikore të Ymer Rizës kishte edhe një këngëtar më të madh në moshë me emrin Qamil Idriz Haxhija dhe për ta dalluar nga ai, Qamil Muhaxhirin filluan ta thërrisnin me emrin e ri Qamili i Vogël, i cili ndonëse kur u rrit pati një shtat të lartë, mbeti përgjithmonë i njohur me emrin artistik dhe popullor Qamili i Vogël, që me këngët e tij si kantautor dhe interpretimet e tij mahnitëse bashkë edhe me zërin e tij melodioz, u bë kampion i muzikës shqiptare.

DASHURIA TRAGJIKE

Si i ri, me zërin e tij të bukur, ai kishte prekur edhe zemrën e një vajzeje të bukur gjakovare. Nuk thuhet kot se njeriu dashurohet edhe në zërin e dikujt. Vajza e bukur gjakovare ishte dashuruar jo vetëm në zërin e tij, por ajo kërkonte diç më shumë nga ai. Ajo kërkonte që me Qamilin e Vogël këtë dashuri platonike në fillim, ta kurorëzonte edhe me martesë, siç e dëshironte fuqishëm edhe vet Qamili i Vogël. Por raportet sociale dhe ashpërsia e Kanunit, dilte si një pengesë, e cila u bë edhe fatale. Ajo vinte nga një derë e pasur agallarësh, ndërsa ky ishte një varfanjak, kështu që kjo ishte mjerisht në kundërshtim me moralin fanatik të kohës dhe diçka e tillë nuk mund të kuptohej dhe as të lejohej asnjēherë që i varfri t' i thotë të pasurit aristokrat, agait apo beut, "si ti, edhe unë" siç do të thoshte Ali Asllani në poemën "Hanko Halla". Shtatë vjet ishin dashur ata dhe shtatë vjet kishin vuajtur të dy dhe bashkimi i tyre martesor nuk po bëhej. Pse? Sepse njerëzit shpirtëkazmë të familjes së vajzës që dashuronte ai, arritën edhe ta përdornin barbarisht fuqinë e tyre ndaj të dashurës së rapsodit , nga e cila torturë ajo kishte vdekur, duke e lënë në pikëllim të thellë këngëtarin e shumë interpretimeve lirike të fuqishme erotike muzikore. Qamili i Vogël figurën e saj do ta përjetësojë në disa këngë, të cilat janë me motive personale, autobiografike, të jetës së tij, të jetuara dhe të kënduara, por që u bënë edhe perlat më të bukura antologjike muzikore të këngës shqipe në përgjithësi. Ai me këngët e tij do t' ia ndërtojë përmendoren më madhështore të dashurës së tij. Nuk thuhet kot për artet: sa më shumë që ka jetë në art, aq më shumë arti ka jetë. "Kah dera të rashë me t' pa", "Pa trashëgim paskem kenë","Dil një herë moj vajzë e bukur" e të tjera, shpërfaqin dhembjen dhe tragjizmin e tij në këtë dashuri fatkeqe, e cila doemos që nuk do të shërohet asnjëherë duke lënë kështu gjurmë dhembje, pikëllimi e trishtimi në jetën e tij.

NË SHQIPËRI

I mbetur jetim dhe pa të ardhura për jetë, ai kishte shkuar në Shqipëri, duke e kërkuar edhe dashurinë e tij, të cilën po e ndiqte hap pas hapi. Por për të mbajtur veten ai kishte punuar në kafenetë e Tiranës si kamerier. Në Shqipëri kishte ndodhur aksidentalisht që ai të ishte dënuar edhe me burg dhe si rezultat i kësaj frymëzohet të shkruajë dhe të këndojë këngën "Prej shtëpisë kur jam dalë", në të cilën Qamili i Vogël shpreh me nota pikëllimi burgun, vetminë, mallin, ndarjen. Por pasi ishte liruar, në Shqipëri ai mori pjesë edhe nëpër ahengje të ndryshme dhe ndeja kafeneshë,apo edhe dasma, që ishin bukur të shpeshta, dhe kështu ai edhe ra në kontakt me këngët mjeshtrit të këngëve epike Dervish Shaqës apo edhe të mjeshtrit tjeter të këngës elbasanase Isuf Myzyrit nga Elbasani, të cilat filloi edhe vet t' i këndonte dhe kështu repertoari i tij muzikor sa vinte e zgjerohej e pasurohej , shtohej e këndohej gjithnjë e më shumë. Pastaj u njoh edhe më shumë me këngët shkodrane, me këngët e Shqiperise se Mesme, me këngët beratase, të cilat pastaj me të rikthyer në Kosovë, i solli dhe i rikëndoi edhe individualisht, edhe në duet, edhe në grupin muzikor "Ymer Riza", të cilin e formoi ai në vitin 1967, duke u bërë kështu kultivues, krijues dhe interpretues i vlerave muzikore gjithëkombëtare.

REGJISTRIMET MUZIKORE

Qamili i Vogël talentin e tij e shpërfaqi së pari në mediumin e vetëm publik, që atëherë ishte Radio Prishtina, ku edhe punoi një kohë. Programi muzikor i Radio Prishtinës atëherë pas LDB -së ofronte edhe program muzikor në gjuhën shqipe dhe këngëtarët duhet të ishin aty drejtpërdrejt me prezencën e tyre fizike, që kështu me zërin e tyre të interpretonin këngët e tyre e degjuesit të shijonin bukurinë e artit te tij. Ai këndoi këngë me motive të ndryshme si: këngë dashurie, këngë patriotike, këngë bukolike, këngë kurbeti, këngë elegjiake, këngë historike e tjera. Kush nuk i njeh lirikat e tij erotike me vlera antologjike ."Kah dera të rashë me t' pa", "Këndo o zog i malit","Pa trashëgim paskem kenë", "Pasha sytë e mi","Pranvera nisi me dalë", "I vujtun jam në këtë jetë", "Bylbyli këndon në Çabrat","O kandil, kandil garipi,"apo kush nuk e njeh apo kush nuk e ka dëgjuar elegjinë "Kanga e Rexhes", që është një nga kryeperlat e muzikës popullore shqiptare, me motivin që trajton, me notat dhe harmoninë muzikore në pentagram apo me mesazhin, refrenët dhe përsëritjet që shprehin dhembje dhe tragjizëm. Ai u bë këngëtari më i kërkuar dhe më i dëgjuar në Kosovë dhe në gjithë trevat tjera shqiptare gjithandej. Duke qenë në kontakt me teknologjinë e re muzikore të kohës, Qamili i Vogël nuk kishte ngurruar madje të bënte edhe më shumë, kështu që, një ditë i kishte shkrepur që të shkonte në Beograd në shtëpinë diskografike për të kërkuar që atje të bënte disa regjistrime muzikore, por mjerisht ishte kthyer pa sukses dhe jo vetëm që nuk ishte përfillur dëshira dhe kërkesa e tij, por madje edhe ishte kërcënuar, injoruar, përbuzur dhe fyer. Kështu edhe ai vet e kishte provuar se përkundër propagandës zhurmëmadhe false të politikës së reklamuar të "bashkim-vëllazërimit" jugosllav, të drejtat për shqiptarët ishin megjithatë vetëm një togfjalësh abstrakt. Por këmbëngulja e tij për të bërë diçka në drejtim të regjistrimeve nëpër shtëpitë diskografike, kishte bërë që ai të shkonte edhe në Zagreb ku më në fund kishte prekur suksesin e parë me shtëpinë diskografike Jugoton. Më pastaj me zhvillimet e teknologjisë muzikore, ai kishte regjistruar edhe kaseta muzikore dhe madje kishte arritur të regjistronte edhe një Videokasetë, që padyshim është me vlera të larta edhe artistike-muzikore edhe dokumentare.

I KUDOGJENDURI

Ai kishte ecur shumë dhe kishte shkelur me këmbët e tij pothuajse nëpër të gjitha tokat shqiptare, ku i ishte lejuar. Pa pasur asnjë përtesë, ai kishte arritur që të botonte edhe broshura muzikore me këngët e veta dhe me këngë të autorëve të tjerë dhe kishte shkuar qytet më qytet, fshat më fshat dhe madje edhe shkollë më shkollë, duke i shpërndarë , madje edhe falas , që vetëm kënga shqipe të mësohet, të kultivohet, të zhvillohet dhe të këndohet. Siç e tha edhe vajza e tij Shqipe Muhaxhiri gjatë emisionit të TV 21 më 7 nëntor 2021 dhe siç e tha edhe në një shënim të përvjetorit të 30-të të vdekjes së tij në klubin "Kosova" të Bielefeldit në Gjermani Sali Berisha, me 6 nëntor 2021, mik dhe bashkinterpretues i disa këngëve me të, ai kishte shkuar edhe te shqiptarët e Turqisë, në Anadollin e largët madje edhe në Siri e në Liban dhe kishte përjetuar momente sa të dhembshme e krenare, aq edhe emocionuese e mallëngjyese, ku shpeshherë e kishte gjetur në kornizë varur nëpër muret e dhomave të tyre, fotografinë e tij, sepse ishte ai që e kishte mbajtur të gjallë me këngën e tij zjarrin e atdhetarisë dhe të gjuhës shqipe. Mund të thuhet se vet Qamili i Vogël, me të 88 këngët e tij origjinale, të cilat i krijoi vet, siç thotë muzikologu Demir Krasniqi dhe me interpretimet e tjera jashtë këtij repertoari, ishte bërë një shkollë edukimi kombëtar, për shqiptarët kudo dhe veçanërisht për mërgimtarët apo të shpërngulurit me dhunë. Ata mund të mos dinin edhe të flisnin gjuhën shqipe, por mund të takoje rrallë ndonjë shqiptarë, që nuk kishte dëgjuar apo që nuk dinte të këndonte qoftë edhe një strofë apo një varg të elegjisë "Kënga e Rexhes".

*

Qamili i Vogël, mund të ishte i pasur siç janë bërë sot të pasur këngëtarët gjithandej ,madje edhe me vlera fort të dyshimta të tallavasë e të shundit apo kiçit muzikor.Por Qamili i Vogël jetoi një jetë krejtësisht modeste dhe krenar në misionin e tij, pa kërkesa, aq sa mundi vetëm për të mbajtur familjen dhe fëmijët e tij. Në ahengje muzikore, në ndeja dhe festa familjare, ai nuk dinte të kërkonte para apo të kërkonte shpërblime tjera siç bëjnë sot këngëtarët megalomanë, duke shkuar edhe në shifra marramendëse me mijëra Euro! Jo, ai bëri punën e tij si artist, si këngëtar, duke u bërë zë i artit, i estetikës së notave, melodive dhe vlerave muzikore, të cilat janë vlera klasike standarde muzikore dhe kombëtare dhe të cilat duhet të ruhen nga brezat, pse jo edhe nga institucionet kulturore.Ky misionar i kënges shqipe meriton njohje dhe vemendje institucionale e shteterore. Nga viti 1991 kur edhe vdes Qamili i Vogël, është bërë tepër pak për të dhe kjo indiferencë është për t' u gjykuar dhe për t' u qortuar. Së paku njëqindvjetori i lindjes së tij, në vitin 2023 le të tregohet mirëkuptues dhe dashamirës ndaj tij!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat