175 vjetori i Institutit Smithsonian

Kultura

175 vjetori i Institutit Smithsonian

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 20:18
Muzeu Smithsonian

Për 175-vjetorin e muzeut Smithsonian, ndërtesa 140-vjeçare e Arteve dhe Industrive që është mbyllur për rinovim që nga viti 2004, po rihapet përkohësisht me një ekspozitë të quajtur Futures – E ardhmja. Ekspozita eksploron se si mund të duket e ardhmja jonë.

Ndërtesa e Arteve dhe Industrive në Uashington – muzeu i dytë më i vjetër Smithsonian – është mbyllur për rinovim që nga viti 2004. Por ajo po hapet përkohësisht për të festuar 175 vjetorin e muzeut me një ekspozitë të quajtur Futures.

“Shpresoj që vizitorët të largohen me aftësinë për të imagjinuar të ardhmen që duan dhe jo të ardhmen të cilës i druhen. Ne shpenzojmë kaq shumë kohë duke u shqetësuar për të ardhmen - dhe kjo është e kuptueshme. Por gjithashtu duhet të kalojmë kohë duke imagjinuar atë që është e mundur dhe të frymëzohemi për zgjidhjet dhe idetë e mëdha që janë në horizont”, thotë Rachel Goslins, drejtore e muzeut të Arteve dhe Industrive.

Ekspozita përfshin 150 pjesë që ekplorojnë atë që është e mundur në të ardhmen – nga makinat fluturuese, te ndryshimet klimatike, e deri te superheronjtë e së nesërmes.

Artistja amerikane Tamiko Thiel përdor realitetin e gjerë për të imagjinuar qytetet e ardhshme.

“Ne zgjodhëm këtë temë të rigjallërimit si një mënyrë që qyteti i Uashingtonit, D.C., të mund të trajtojë të ardhmen dhe të përpiqet ta bëjë qytetin, jo një xhungël betoni ku natyra ndalon, por ku të mbizotërojë natyra! Kjo nuk ka të bëjë vetëm me lulet e bukura në kopsht, por të lejosh natyrën të rimarrë qytetin, dhe kjo do të thotë insektet – jo vetëm fluturat tona të preferuara – por edhe insektet e bezdisshme gjithashtu kanë nevojë për hapësirë, sepse është i gjithë ky ekosistem që ruan natyra”, thotë artistja.

Pjesë të tjera të shfaqjes përfshijnë projektin e trenit Hyperloop të Elon Musk i projektuar në vitin 2013 dhe një instalacion dykatësh që reflekton ndërlidhjen mes mençurisë njerëzore dhe teknologjisë inteligjente.

Artistja Nettrice Gaskins thotë se nuk mund ta imagjinojë të ardhmen pa artin klasik. Megjithatë, ajo përdori teknologjinë kompjuterike për të ndihmuar në paraqitjen e 11 portreteve.

“Unë jam duke bashkëpunuar me inteligjencën artificiale – është një mënyrë e re për të krijuar portret. Ekziston një element njerëzor i makinës kur artisti bashkëpunon me inteligjencën artificiale. Unë me të vërtetë e kam eksploruar atë në punën time. Si mund të krijojë portretin në një dimension tjetër në krahasim me mënyrën më konvencionale të krijimit të portreteve”, thotë artistja.

Në ekspozitën Futures, vizitorët mund të prekin krijimet, të luajnë me to dhe madje të bisedojnë. Kuratorët dhe drejtorja e muzeut besojnë se hapësirat e artit në të ardhmen do të jenë më ndërvepruese.

Ekspozita dhe muzeu do të qëndrojnë të hapura deri në korrik të vitit 2022. Më pas ndërtesa do të mbyllet sërish për rinovim edhe për disa vite të tjera./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat