“Open Ballkan” dhe abetarja si armike e Serbisë!

Kultura

“Open Ballkan” dhe abetarja si armike e Serbisë!

Nga: Hejza Art Më: 14 janar 2022 Në ora: 12:08
Foto ilustrim

Po shtohen zërat ndërkombëtar që po e përkrahin idenë për “Open Ballkan”-in të shtyrë nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Të tri këto shtete po hapen, po i “rrënojnë kufijtë” për një tregti dhe ekonomi sa më të lirë në kuptimin e eliminimit të të gjitha barrierave administrative e doganore! Po për kulturën? Cili është mendimi i Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, për shembull, për librin shqip! A është diskutuar edhe ky problem në mes të nënshkruesve të kësaj marrëveshje trilaterale për momentin? Pse për shembull, Serbia në Preshevë apo Bujanoc, do ta priste me lule e me tapet të kuq Ansamblin Shtetëror, kurse nuk do të lejonte që të futet Ansambli i Këngëve dhe Valleve nga Kosova! Pse i lejohet një ministri shqiptar të futet në Preshevë, ndërsa ministrit nga Kosova i ndalohet, ndonëse nuk ka asnjë fakt që mund të flasë se ministri kosovar ka qëndrime armiqësore kundër Serbisë!

Cili është raporti ndaj librit shqip si i Serbisë ashtu edhe i Maqedonisë së Veriut? Fatkeqësisht, libri shqip edhe më tej trajtohet si material propagandistik armiqësor, por që ligjërisht llogaritet si mall tregtie, ndaj dhe herë doganohet e herë kthehet mbrapsht nëse është në sasi më shumë se pesë ekzemplarë!

Jo një herë botuesit shqiptarë kanë pasur probleme, madje edhe janë kthyer në kufi, kur janë përpjekur që të marrin pjesë nëpër panaire të librit organizuar nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Botuesve, doganierët serb apo edhe maqedonas, ua kërkojnë listat me titujt e të gjitha librave që i kanë me vete për t’i nxjerrë në stendën e tyre nëpër panaire! Ky qëndrim karshi librit shqip, pa dyshim që është një recidiv nga periudha komuniste jugosllave kur shqiptarëve, përkatësisht ansambleve shqiptare, me rastin e mbajtjes së ndonjë koncerti nga policia jugosllav u kërkohej paraprakisht lista me titujt e të gjitha këngëve dhe valleve që do të interpretoheshin, madje ka pasur raste kur nuk mund të këndohej asgjë paraprakisht pa u përkthyer në maqedonisht e serbisht tekstet e këngëve!

Meqë tregu i “Open Ballkan”-it do t’i trajtojë si të përbashkët të gjitha patatet, domatet, specat e kastravecat, a do ta trajtojë të përbashkët dhe Abetaren për shqiptarët, për shqiptarët e Ballkanit a do të jenë librat shkollorë të përbashkët! Apo, ndoshta, kjo kërkesë është tepër armiqësore dhe nuk është aq dashamirëse sa mund të jetë tregu i përbashkët i fruta-perimeve, i çelikut, i energjisë, i komunikacionit etj. “Shlivovica” dhe “Skenderbeu” mund të konsumohen si “pije miqësore”, kurse Abetarja, meqë llogaritet si mjet armiqësor për Serbinë, as që duhet të diskutohet ndonjëherë.

“Open Ballkan”-i se a është me të vërtetë funksional dhe projekt miqësor, kjo duhet të provohet fillimisht me librin shqip, madje të transmetohet publikisht përurimi i nismës së këtij “projekti ndërkombëtar”, duke e qarkulluar librin shqip pa kurrfarë problemi, si në Serbi ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Tani, ideatorët e “Openit” do të sillen me nonshalancë e me cinizëm ndaj këtij editoriali, madje edhe mund t’ia këpusin ndonjë të sharë, apo ta injorojnë tërësisht si problem, por e vërteta është dhe ngelet një: libri shqip, ai që futet nga Shqipëria apo Kosova, si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Serbi, edhe më tej trajtohet si material propagandistik armiqësor, apo si mall tregtar që duhet të doganohet, ose si materie kontaminuese që duhet të kthehet mbrapsht nga ka ardhur!

Pala shqiptare e ka fare të lehtë për ta testuar sinqeritetin e palës serbo-maqedonase për “bashkëjetesë ballkanike”! Ka vite e vite që shqiptarët e kanë të përkthyer dhe e lexojnë në shqip shkrimtarin serb, Ivo Andriq, ndër antishqiptarët më të mëdhenj të popullit serb! Po pse mos t’ju kërkohet edhe serbëve dhe maqedonasve që ta përkthejnë At Gjergj Fishtën të cilin, studiuesit gjermanë e quajnë “Homeri shqiptar”! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat