Heronjtë pa ditëvdekje

Kultura

Heronjtë pa ditëvdekje

Nga: Delvina Kërluku Më: 23 janar 2022 Në ora: 21:09
Delvina Kërluku

Gjithmonë kam qenë në dyluftim me veten: Mirë që njerëzia i kremton ditëlindjet, por ku e gjejnë arsyen t’i festojnë ditëvdekjet? Se u gëzohen lindjeve, ka më shumë se një motiv: Shtohet familja, ngjallet shpresa se do bëhet dikush i dobishëm për shoqërinë (jo vetëm se do lërë ndonjë gjurmë në fushën e artit, kulturës, shkencës, politikës, por më në fund – do lërë një trashëgimtar, që s’është pak). Bile edhe këtu, ma thotë mendja, duhet të ketë një kufizim, se s’prish punë nëse një njeriu nuk i shënohet ditëlindja në një moshë pak a shumë, të shtyrë. Dhe këtu po sjell një batutë të nënës sime, së cilës ne motrat, bashkë me vëllain, para pak kohësh, iashënuamditëlindjen. Në një çast hareje, kur ne po bëheshim gati t’i cakërrojmë gotat, duke hedhur njërin sy kah nëna e tjetrin kah torta e gatimet tjera brumore, natyrisht nuk shpëtonin pa vëzhgimin tonë edhe numrat pak a shumë të mëdhenj te qirinjtë, nëna jonë e dashur, ia priti me një batutë që për një çast na bëri të reflektojmë: Po ju fëmijët e mi, po i gëzoheni plakjes sime?! Qeshëm të gjithë, por një shije e hidhur seç mbeti tek unë. Por e kaluam me humor, se për humor edhe u tha. Po edhe sikur unë të jem kundër shënimeve argëtuese të ditëvdekjeve, apo ditëlindjeve të njerëzve me pak e më shumë moshë, a kam fuqi të ndryshojë traditën e botës të miliarda njerëzve. Ta lëmë me kaq se s’dua të bëhem gaz i botës. Derisa po e shkruaj këtë shkrim që merr shkas nga ditëvdekja e heroit tonë kombëtar, më shkuan ndërmend episode të ndryshme të përjetuara me këto raste. Tani po mendoj a duhet botuar fare ky shkrim?

Sa vjen ditëvdekja e ditëlindja e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, sidomos ditëvdekja, e nuk e di psenë, më rikthen në kohën e lumtur të fëmijërisë sime, kur tim atë bënte përpjekje të mëdha për të siguruar libra historie, për të përgatitur programin e rastit në shkollë që ligjëronte, por edhe të na gëzonte neve me këto libra. Mos harrojmë se ishin vitet e vështira ’80-ta. Gjendej ose bëhej vizatim i heroit dhe varej në muret e shkollës, mbase edhe të ndonjë shtëpie me kryefamiljarë intelektualë. Syri të zinte edhe ndonjë figurinë druri ose allçie, por edhe ndonjë portret të qëndisur. I gjithë qyteti im i vogël, por me patriotizëm të madh, e përjetonte si festë të rëndësishme. Gati pa përjashtim, të gjithë nxënësit ose shkruanin ndonjë hartim, ose thurnin ndonjë poezi, mbase edhe naive, ose bënin ndonjë vizatim. Por, që të gjithë përfshiheshin në atmosferën festive përkujtimore për heroin tonë kombëtar. Unë ende e mbaj mend fletoren me një histori të shkurtët, të cilën na e diktonte mësuesja jonë e përkushtuar. Dhe kështu zgjati me vite e vite. Po sot? Kam përshtypjen, sa do desha të jem e gabuar, sikur është zbehur ai entuziazëm, ai përkushtim i dikurshëm për të shënuar në mënyrë masive, popullore, këtë datë. Më duket sikur mjaftohemi me ndonjë akademi solemne rasti, me një fjalë të një politikani, apo historiani; me dy-tri poezi të poetëve të Rilindjes... Harrojmë se, duke kujtuar këtë figurë, ne freskojmë bëmat e tij dhe të popullit për çlirim. Nuk di shumë për përkushtimet nëpër shkolla, por nga prova e raste të ndryshme, më del sikur ka një zbehje, natyrisht të pafalshme e të pajustifikueshme. Nuk dihet se për ta mbajtur gjallë këtë frymë patriotike, kanë provuar lloj-lloj vuajtjesh, bile edhe burgun shumë mësues e intelektualë shqiptarë (në mesin e tyre edhe im atë, ndjesë pastë). Paguan për lirinë dhe guximin.

E kam të freskët përjetimin (pak a shumë të pashpjegueshëm), kur si pedagoge e re në fakultetin e disperzuar të USHT, në Çarshinë e vjetër të Shkupit, ra fjala për heronjtë tanë kombëtar. Atë ditë dimri, dita e 17 Janarit, dita e vdekjes së Gjergjit tonë, i pyeta studentët se ç’dinin për heronjtë e kombit. Dhe pak a shumë mbeta e habitur kur shumica e studentëve flisnin për Adem Jasharin, edhe ky dëshmor (i Kosovës), e më pak për Skënderbeun. Nuk e komentova, se kisha frikë mos ngjallë ndonjë pakënaqësi apo ndasi, larg qoftë. I arsyetova nxënësit se lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës ishte një epope madhështore dhe se kishte ndodhur para pak kohësh. Këta edhe e kanë përjetuar. E Adem Jashari ishte shpallur komandant legjendar. Bile ka ndikuar edhe afërsia gjeografike. Studentëve u falet, por arsimtarët e historisë ku na mbetën. Ata kanë për detyrë të flasin para nxënësve njësoj për të gjithë heronjtë, pa marrë parasysh ku dhe kur kanë vepruar. Nuk ishte rasti t’i pyesja për Presidentin Historik, Ibrahim Rugovën, apo mbretin tonë Zogun I, se kush e di ç’përgjigje do merrja!? Këtë bashkëbisedim me studentët e bëra e shtyrë edhe nga paralajmërimi se në sheshin para ndërtesës së fakultetit, do të inaugurohej përmendorja e Skënderbeut, që sot ky shesh mban emrin e tij. Kjo përmendore na mbush me krenari dhe na jep njëfarë sigurie që ndihet e përjetohet kur i rri pranë.

E paçim për jetë!

17.1”22

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat