75 vjet nga procesi i Gjilanit (1 - 7 shkurt 1947)

Kultura

75 vjet nga procesi i Gjilanit (1 - 7 shkurt 1947)

Nga: Baki Ymeri Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 06:22
Foto ilustrim

Nga kujtimet e babës tim, Shefki Reka: Në Shkurt të vitit 1945 në Kosovë u vendos Administrimi ushtarak. Pas kësaj filluan organizimet e ndryshme të popullit shqiptar. Në Ferizaj dhe Gjilan pasuan masakrat e njohura. Qëllova në Prizren kur nga Sheshi i shadërvanit e hoqën bustin e Skënderbeut, dhe në vend të tij vunë bustin e njëfarë Jociqit. Prizrenasit e përcjellën këtë ngjarje me shumë dhimbje. Po n'atë kohë u mbajtë gjykimi i grupit të Marije Shllakut dhe Halim Spahijës (NDSH). Isha në sallën ku u mbajtë gjykimi. Halimin dhe Marijen i denuan me vdekje e të tjerët me burgim të naltë dhe të randë. (Nga ai grup e gjeta tue e vuejtë denimin në burgun e Mitrovicës së Sremit, Z. Xhemil Fluga). Pasi iu shpallë denimi, Marije Shllaku iu drejtue gjyçit me fjalët: "Po t'i kisha 100 shpirta, të gjithë i kisha dhanë për çashtjen kombëtare, për Shqipni"

Nga 1 Korriku 1945 shkova në nji kurs tjetër 3 mujor të shëndetësisë në Prizren. N'ate kohë (8 - 10) Korrik 1945, u mbajtë Kuvendi i Prizrenit. Pas mbarimit të Kuvendit, takova dy delegatët nga Kaçaniku, Ismail Hoxhën dhe Isa Krasniqin. Më thanë: tani për tani e humbëm Kosovën. E kuptova që ishte tradhëtue Konferenca e Bujanit, sipas të cilës, populli i Kosovës pas luftës do të vendoste se a don të shkon me Shqipërinë apo me Jugosllavinë.

Më patën tronditë masakrat e Ferizajit, Gjilanit, Tivarit, etj. Por kjo tradhëti ishte kapaku i të këqijave. Në NDSH u anëtarësova me propozimin e Kryetarit të Komitetit të Kaçanikut Fahri Shurdhani (xhaxhi). Zhvilluam aktivitet të gjithanshëm.

Unë, nëpërmjet kushërinit tim në Shkup Nebi Jonuzit, mbaja lidhjen me Hasan Bilallin e Komitetit të Shkupit. Komiteti i Kaçanikut u themelue në shtëpinë e shokut tim Danush Nika, i cili i vetmi i iku burgosjes pasi u mësheh në mal. Pasi ramë në dorë të pushtetit, unë me grupin e dytë më 21 Tetor 1946, afro 70 ditë pas grupit të parë, dhe pasi para hetuesit Shaban Kajtazi, s'deshta me pranue asgja, ai më tha: ma mirë pranoje se e kam deklaratën e shokut tuaj. Fillimisht n'a burgosën në burgun e Ferizajit, e ma vonë n'a transferuen në burgun e Gjilanit, ku u mbajtë Procesi i gjykimit. Procesi i gjykimit i Gjilanit zgjati nga (1-7) Shkurt 1947.

Sipas aktgjykimit të Gjyçit të Qarkut në Gjilan P. NR. 18/47, thuhej se këtë gjykim e udhëhiqte Këshilli gjykues i përbamë nga kryetari Zaharije Orgjinikidze, si dhe gjykatësit porotë Isak Selmani dhe Hafiz Kaculi, dhe procesmbajtësi Millorad Nikoletiq. Aktakuzën e përfaqësonte prokurori publik i KAKM-së, famëkeqi Ali Shukrija. Para gjyqit dolën 38 shqiptarë, të shkolluar, tregtarë, zanatli dhe fshatarë. Të gjithë këta patriotë u akuzuan për vepër penale nga neni 23, paragrafet 8 dhe 14 të Ligjit mbi vërtetimin e ndryshimit dhe të plotësimit të Ligjit mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit. Ali Shukrija me kambëngulje kërkoi për anëtarët e NDSH-së denime sa ma të randa. Të burgosun kishte anëtarë të NDSH-së nga shumë vise të Kosovës.

Hamdi Berisha nga Gjilani u denue me vdekje me pushkatim, ndërsa tjerët me denime të ndryshme. Pasi në sallë shumica e publikut të zgjedhun ishin sërbë, ata brohoritën dhe duertrokitën kur iu shqiptue denimi me vdekje Hamdiut. Ndërsa kur tjerët u dënuen me burgim, ata bërtitnin "vdekje ballistëve". 31 Nga të akuzuarit tjerë, u dënuen me 427 vjet burg. Mesatarja për çdo të burgosun ishte: 10 vjet, 8 muej dhe 4 ditë. Mosha mesatare e të burgosunve ishte 30 vjet e 25 ditë. Hamdi Berisha kur e ndigjoi masën e tërbueme sërbe që kërkonte vdekje për të gjithë, buzëqeshi dhe para gjykatësve bërtiti me za të naltë: "Poshtë Jugosllavia, Rroftë Shqipnia! Vëllazën, darsma pa mish nuk bahet!". Milicët e tërbuem e heshtën Hamdiun me dhunë." Në ditën e fundit të Procesit të Gjilanit, 7 Shkurt 1947, iu shqiptuen denimet këtyne NDSH-istave:

1. Hamdi Berisha kryetar i Komitetit nga Gjilani 20 vjeç, nxënës: vdekje me pushkatim (nuk u egzekutue denimi),

2. Maliq Sahiti nga Gjilani, librar: 10 vjet burg,

3. Ramadan Agushi nga Tërpeza 24 vjeç, mësues: 7 vjet,

4. Jakup Saliu nga Malisheva e Gjilanit 40 vjeç, punëtor: 10 vjet,

5. Rexhep Shema nga Dajkoci i Kamenicës 37 vjeç, bujk: 15 vjet,

6. Arif Syli nga Rogaçica e kamenicës 40 vjeç, bujk: 11 vjet,

7. Riza Osmani nga Poliçka e kamenicës 42 vjeç, hoxhë: 12 vjet,

8. Destan Ismajli nga Budrika e Gjilanit 33 vjeç, teknik i bujqësisë: 12 vjet,

9. Lazër Josipi nga Ferizaj 18 vjeç, nxënës: 12 vjet,

10. Rrustem Statovci nga Batllava e Prishtinës 29 vjeç, nëpunës: 20 vjet,

11. Sefedin Shabani nga Ferizaj 18 vjeç, punëtor: 15 vjet,

12. Hysen Dalladaku nga Ferizaj 17 vjeç, nxënës: 7vjet,

13. Ismail Mema nga Ferizaj 25 vjeç, punëtor: 15 vjet,

14. Nijazi Çarkaxhiu nga Ferizaj 25 vjeç, tregtar: 19 vjet,

15. Hamdi Dalipi nga Pograxha e Gjilanit 25 vjeç, tregtar: 3 vjet,

16. Zija Shuku nga Ferizaj, 27 vjeç, nëpunës: 7 vjet,

17. Haki Zylfiqari nga Ferizaj, 29 vjeç, nëpunës: 5 vjet,

18. Salih Aliu nga Ferizaj, 21 vjeç, tregtar: 15 vjet,

19. Ilijaz Ibrahimi - Tasha nga Ferizaj, 61 vjeç, tregtar: 1 vit,

20. Murat Zherka nga ferizaj, 23 ,vjeç, saraç: 5 vjet,

21. Fehmi Zherka nga Ferizaj, 20 vjeç, tregtar: 15 vjet,

22. Hajredin Fazliu nga Durajt e Kaçanikut, 36 vjet, bujk: 15 vjet,

21. Sylë Fejzullahu (Mjaku) nga Kaçaniku, 32 vjeç, nëpunës, 1p vjet,

24. Abaz Behluli nga Shtraza e Kaçanikut, 47 vjeç, bujk: 7 vjet,

25. Xhemajl Maksuti (Hoxha) nga Kaçaniku, 59 vjeç, tregtar: 1 vjet,

26. Hajrush Halimi (Shurdhani) nga Kaçaniku, 26 vjeç, nëpunës: 10 vjet,

27. Fahri Halimi (Shurdhani) nga Kaçaniku, 33 vjeç, nëpunës: 20 vjet,

28. Hilmi Ejupi (Shehu) nga Begraca e Kaçanikut, 24 vjeç, mlsues: 16 vjet,

29. Shefki Metushi (Reka) nga Kaçaniku, 23 vjeç, nëpunës: 5 vjet,

30. Ibrahim Grainca nga Cërnilla e Ferizajt (luftëtar i vitit 1941), 30 vjeç, nëpunës: 2p vjet,

31. Aslkan Buza nga Gjakova, 28 vjeç, tregtar: 8 vjet,

32. Raif Tasholli nga Gadimja e ferizajt, 39 vjeç, mekanik: 7 vjet.

U liruan nga aktakuza:

1. Mumin Jakupi nga Gjilani, 30 vjeç, student,

2. Shaban Bekteshi nga Ferizaj, 37 vjeç, tregtar,

3. Ismail Sylejmani nga Ferizaj, 17 vjeç, nxënës,

4. Katarina Josipi ng Ferizaj, 23 vjeçe, amvise,

5. Gani Xaja nga Gjakova, tregtar, dhe

6. Ali Murseli (Huneli) nga Rezhanca e Kaçanikut, 41 vjeç, bujk.

Si NDSH-ista, në gjykime të posaçme në tjera Gjykata, janë denuar: 1. Rexhep Bunjaku nga Biçeci i Kaçanikut, 18 vjeç, ushtarak, sekretar i OZNA-s për Kaçanik. Denohet me 20 vjet burg nga Gjykata ushtarake, 2. Mulla Haki Efendiu nga Hogoshti i Kamenicës, hoxhë, denohet me 29 vjet (vdes në burg). Shumica e vajtën burgun në Mitrovicën e Sremit. Rexhep Bunjaku në burgun e Nishit. Pasi pas vuajtjes së burgut, baba im kontaktonte dhe takoheshte shpesh me shumicën e shokëve, edhe unë pata fatin t'i njohë personalisht shumë nga ata (15), pasi që e shoqëroja babën në klto takime. Para burgut gati të gjithë ishin të martuar, dhe gratë e tyre i pritën deri sa vuajtën burgun. LAVDI VEPRËS SË TYRE ATDHETARE!

(Në fotot, disa nga NDSH-istët e denuar në Procesin e Gjilanit, që e vuajtën denimin në burgun e Mitrovicës së Sremit.)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat