​Artisti Tushi sjellë 67 artefakte në ekspozitën “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”

Kultura

​Artisti Tushi sjellë 67 artefakte në ekspozitën “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”

Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 14:04
“Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve”

“Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” është ekspozita në të cilën janë shfaqur dorëshkrime, vula, gravura, litografi, piktura, mozaiqe, monedha, medalje e pulla postare të Gjergj Kastriot Skënderbeut. 67 artefaktet e ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës që do të jetë e hapur për 30 ditë, paraqesin historinë e Skënderbeut ndër vite.

Vizitorët do të mund ta shohin edhe portretin e Skënderbeut të skalitur në gurë nga skulptori dhe arkitekti shqiptarë, Andrea Aleksi.

Artisti, Luan Tushi ka treguar se ekspozita është pjesë e librit që është botuar në 2018-tën.

Tushi: Janë 67 artefakte të paraqitura, ekspozita është pjesë e librit të botuar më 2018-ën

“Ekspozita është pjesë e librit, i cili është botuar në vitin 2018, në 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, kështu që kjo është një vazhdimësi e hulumtimeve që janë bërë shumë vite më parë. Këtu i kemi të paraqitura 67 artefakte, kur them artefakte nuk janë vetë piktura, janë edhe shumë gjëra të tjera, për të cilat mundemi të flasim. Këtu i kemi ndarë në gjashtë cikle, në pjesën e dorëshkrimeve të Skënderbeut, cikli i dytë janë dy vula të cilat janë marrë në arkivin shtetërorë të Dubrovnikut në Kroaci, kemi pjesën e portreteve të Skënderbeut para vdekjes, kemi vitin 1465, 1455, 1466, kemi disa para vdekjes, kemi përkrenaren, një replikë të përkrenares, kemi hartën e Paretës të vitit 1455”, tha Tushi.

Tushi ka treguar për vështirësitë që kishte për të gjetur këto artefakte, e që pjesën më të madhe të tyre kanë arritur t’i gjejnë në Itali.

Tushi: Artefaktet jenë marrë në vendet ku ka funksionuar Skënderbeu

“Është dashur të hulumtojë dhe të vizitojë vende, dhe të gjitha këto imazhe që ju i shihni nuk janë imazhe që janë marrë në internet[...]tek secila prej ka cilësi jashtëzakonisht të mirë. Këto janë marrë në vende ku janë, është marrë e drejta për ekspozimin e tyre dhe janë fotografuar në vend, janë skanuar, kryesisht në Itali, nëpër arkiva të Stambollit, që flitet ka, nuk ka, janë disa shkrime por portrete të tij nuk ka, nuk kanë bërë, sepse perandoria osmane nuk ka pranuar që Skënderbeu ia ka kthyer shpinën në vitin 1443, ka dezertuar nga ushtria e tyre dhe ka luftuar kundër tyre, dhe prandaj Skënderbeu është njeriu më i urryer në botën turke, prandaj nuk ka. Vendi i dytë ku janë marrë, është Uashingtoni, biblioteka e New Yorkut, arkivat digjitale në botë dhe Ballkani kryesisht Shqipëria, kryesisht këto janë vendet ku ka funksionuar Skënderbeu ”, tha ai.

Tutje ai tregon se që nga viti 2013 është duke hulumtuar në lidhje me këto artefakte, ku edhe është marrë e drejta për ekspozimin e tyre.

Ekspozita hapet sonte në orën 19:00 në Galerinë Kombëtare në Prishtinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat