Të kombëtarizohen institucionet nacionale

Kultura

Të kombëtarizohen institucionet nacionale

Nga: Hejza Art Më: 7 mars 2022 Në ora: 13:05
Të kombëtarizohen institucionet nacionale

Institucionet kulturore në Kosovë kaluan nëpër disa situata të pavolitshme statusore. “Ligjet” e UNMIK-ut insistonin në ruajtjen e kontinuitetit juridik që nga periudha e okupatorit serb, kurse shqiptarët insistonin që institucionet e nacionalizuara edhe t’i kombëtarizojnë!

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala “nacionalizim” do të thotë “shtetëzim”, kalimi i një gjëje në pronë shtetërore, kurse fjala “kombëtarizim” do të thotë kur një gjëje i jepet karakteri kombëtar, i jepet veçori a tipare kombëtare; i thellohet karakteri kombëtar (kombëtarizoj kulturën, artin)! Deri në këmbëngulje të shqiptarëve të Kosovës (deri më vitin 2013) shqiptarët e Kosovës kishin Galeri të arteve të Kosovës, Filarmoni, Operë dhe Balet të Kosovës, Ansambli i këngëve dhe valleve “Shota” etj. Ndërsa sot, këto institucione si dhe shumë të tjerë tashmë janë të kombëtarizuar, duke kaluar në Galeria Kombëtare e Kosovës, Filarmonia kombëtare, Baleti kombëtar, Ansambli kombëtar, Biblioteka kombëtare etj, kurse funksionojnë edhe institucione kulturore dedikuar vlerave nga trashëgimia kulturore dhe shpirtërore, arkivore e muzeale, që trajtohen si vlera madhore të Shtetit të Kosovës (Muzeu i Kosovës, Instituti Arkeologjik i Kosovës, Instituti për Konservim dhe Restaurim i Kosovës etj.)

Institucionet që merren me krijimtari artistike patjetër që duhet të kombëtarizohen, sepse vetëm të nacionalizuara ato mund të kalojnë edhe në institucione publike lokale! Gjithsesi, themelues duhet të jetë shteti (duke u emërtuar ligjërisht si “institucione nacionale”), por ama shqiptarët në viset e veta etnike duhet të këmbëngulin në kombëtarizimin e institucioneve kulturore!

Le të kthehemi e t’i shohim se cili është statusi kombëtar i institucioneve kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, ku me ligjin për decentralizim të institucioneve kulturore, shumica e tyre do të ngelin institucione publike që do të menaxhohen nga pushteti lokal, “Teatri Shqiptar Shkup”, do të ngelë nën menaxhimin e Qytetit, kurse nuk e ka atë peshë juridike, atë status që do ta kishte “Teatri Kombëtar i Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”! Shqiptarët mund të themelojnë plotë teatro, gjithandej nëpër qytete të mëdha mund të kenë “Institucione Nacionale Teatri Shqiptar”, por se duhet të funksionojë një “Teatër Kombëtar Shqiptar” në Maqedoninë e Veriut, dhe në këtë gjithsesi që duhet të këmbëngulet në marrëveshje të veçanta gjatë formimeve të koalicioneve qeveritare.

Me çka mund të dëshmohet ligjërisht se “Instituti për trashëgimi kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të RMV-së” është “institut kombëtar shqiptar”, kur një institucion të tillë mund ta themelojnë edhe maqedonasit, edhe shkencëtarët e nacionaliteteve të tjerë që shprehin interes për “trashëgimi kulturore e shpirtërore të shqiptarëve”! Me çka mund të dëshmohet se Institucioni Nacional (i shtetëzuar) “Galeria e Arteve Tetovë”, është galeri kombëtare e shqiptarëve të RMV-së?! Me çka mund të dëshmohet “Ansambli nacional i këngëve dhe valleve popullore shqiptare” se është institucion kombëtar i shqiptarëve të RMV-së?! Pse mos të lejohet që ky institucion jetik për shqiptarët e RMV-së të quhet IN “Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve shqiptare në RMV”!

Çdo artist i institucioneve kombëtare ka tjetër trajtim dhe tjetër peshë karshi botës artistike! Populli maqedonas e ka Institucionin Nacional “Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve të Maqedonisë “Tanec” dhe cili është mesazhi i këtij Ansambli gjatë prezantimit në botë! Repertori i tij është ekskluzivisht maqedonas dhe ky repertor në përmbajtje të vet ka vetëm ato “këngë dhe valle që kultivohen në Maqedoni”! Të tjera nuk ka!

Si përfundim, të gjitha institucionet kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut duhet patjetër që të kombëtarizohen dhe të mos ngelin vetëm të shtetëzuar, sepse kështu do të konceptohen vetëm si “administrata shtetërore maqedonase ku angazhohen edhe administratorë shqiptarë”! “Ushtria maqedonase”, “policia maqedonase”, “shërbimi inteligjent maqedonas”, “banka popullore maqedonase”, “shëndetësia maqedonase”, “kultura maqedonase” etj. – të gjitha të shtetëzuara ku marrin pjesë edhe shqiptarët! Në këtë formë prezantohet vetëm karakteri nacional i institucioneve me peshë dhe jetik të shtetit të RMV-së! Institucionet e arsimit dhe të kulturës, sipas të gjitha konventave për të drejtat kulturore e arsimore, patjetër që duhet të jenë të kombëtarizuar, sepse edhe ashtu janë me veçori e tipare të tjera kombëtare, që dallojnë dukshëm nga ato maqedonase! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat