Oslo: pallati mbretëror, shtëpi paqeje

Kultura

Oslo: pallati mbretëror, shtëpi paqeje

Nga: Bajram Sefaj Më: 29 mars 2022 Në ora: 11:22
Bajram Sefaj

Pallati mbretëror që, në një farë mënyrë, është emblemë e kryeqytetit të Norvegjisë – Oslos, së pari u ngrit si rezidencë e mbretit të Suedisë, kuptohet në kohën derisa Norvegjia, pasi u lirua nga vasaliteti danez, ishte në union me Suedinë. Fjala është për vjetët 1814-1905. Ndërtimi i Pallatit filloi më 1822 e përfundoi në vitin 1836, sipas projektuesit të njohur danez, atij me emrin Hans Listou.

E tëra kjo dihet dhe do t’i ngjante një historie të largët dhe jo gjithaq interesante, sikur për këtë Pallat, të mos ishte e lidhur një histori krej e re. Reporteri ndan me ju, lexues të nderuar, vërshimin e krenarisë ngashëruese, pse pikërisht në këtë ndërtesë, në njërën nga sallat solemne të saj, në dhjetor të vitit 1979, Nëna jonë Terezë – Gonxhe Bojaxhiu, mori çmimin NOBEL – për paqe.

Për çdo vjet kur vjen dhjetori, në njërën nga sallat më solemne të këtij Pallati, bëhet pra, dorëzimi, tradicionalisht solemn i çmimit Nobël për paqe. Kështu është përherë, kështu do të jetë edhe sivjet, kur në Oslo vjen dhjetori! Prandaj me të drejtë del, dhe lirisht mund të thuhet, se Pallati mbretëror në Oslo, nuk është tjetër pos shtëpi (e madhe) e paqes! Mbase pikërisht për këtë arsye ndërtesa e kësaj shtëpie është pikësynim dhe pikëtakim për të gjithë ata shtegtarë që vizitojnë Norvegjinë në përgjithësi dhe kryeqytetin saj, Oslo, në veçanti.

Duke ndjekur valën e inercisë ose, më parë mund të thuhet, duke i shkuar pas thirrjes së instinktit raporteresk (në këtë rast) dhe – shih mrekullinë: përnjëherësh gjendem në rrugën “Carl Johan” që, përpos që është qendra e qendrës së këtij qyteti, aty janë të koncentruar pothuajse të gjithë institucionet më të mëdha edhe më të rëndësishme kulturore, jo vetëm të Oslos, por edhe të mbarë Norvegjisë. Kështu bie fjala, aty krejtësisht pranë e pranë janë Katedralja, Teatri Kombëtar, Pallati i Qeverisë, Universiteti, Pallati Mbretëror... Aty, në këtë rrugë, pulson dhe lirisht mund të thuhet, zhvillohet e tërë jeta e qytetit të këtij shteti më verior në Evropë.

Me zonjën Berit Backer, me këtë intelektuale të shquar dhe luftëtare të denjë për të drejtat e njeriut (kudo që ato janë të rrezikuara në botë), takimin me këtë etnografe të vyeshme e cila, madje, dy vjet të plota i kishte kaluar në Kosovë, për të shkruar një studim shkencor fort të rëndësishëm krahasimtar midis fshatit tipik shqiptar kosovar dhe atij norvegjez, e kishim caktuar pikërisht në këtë rrugë frekuentuese, diku në oborrin plot gjallëri e gëzim jetësor të Teatrit Kombëtar Henrik Ibzen, vepra letrare, dramaturgjike e të cilit është e përkthyer edhe në gjuhën shqipe, fatbardhësisht. Ajo premton (përmes telefonit) se aty do të vi pas gjysmë ore dhe ky, në fakt, do të jetë takimi ynë i parë (por, jo edhe i fundit) në jetë. Asaj i bëhet qejfi kur, në mahi, i them se në radhorin e “ditarit tim norvegjez’ shënova se .... bashkë me të madhin Henrik Ibzen, me padurim presim takimin me zonjën Backer...”! ngase shtatorja e madhe e të madhit shkrimtar, ishte cak dhe dëshmi e këtij takimi të parë me zonjën Berit, emri i se cilës ndër ithtarët e saj shqiptarë qenka kthyer në Meritë!

Gjersa në njërën nga kafeteritë më të mira dhe më të bukura e intime, veçantë nga vargani i shumë të tjerave, rrimë e bëjmë muhabet shtruar, zonja Berit (ose Meritë, si të doni) më njofton për shumë e shumë gjëra. Më së shumti e më se gjati bisedojmë për art, për kulturë në spektrin më të gjerë. Për letërsi, për muzikë, për teatër dhe kinematografi, për artet figurative. Asaj i bëhet qejfi kur i them se, kohë më parë, dy bashkëvendëse të saj, Grete Nash dhe Lise Schonberg, në Galerinë e Arteve të Kosovës në Prishtinë, kishin pasur një ekspozitë të përbashkët shumë të suksesshme. E para me qeramikë, dhe e dyta, me stoli.

*

Ndonëse ka sipërfaqe shumë të madhe, numri i banorëve në Norvegji, thotë ajo, është relativisht i vogël dhe nuk e kapërcen shifrën prej katër milionë. Këtu botohet një numër shumë i madh, madje i mbi 420 gazetash që dalin në ditë. Është i madh, thotë ajo, edhe numri i revistave letrare, gati-gati çdo shoqatë apo asociacion krijuesish, ka edhe revistën apo gazetën e vet. Nga ai numër i madh i gazetave ditore, kuptohet se shumica syresh janë lokale rajonale, tri janë kryesoret, qendroret: “Aften posten” (Posta e mbrëmjes), “Dagbladet”, (Gazetë dite) dhe “Verdens Gang” (Ngjarjet botërore). Por, edhe nga këto tri të përditshme, më e rëndësishmja, më seriozja është gazeta e pavarur liberale “Aften posten” e cila, këto ditë, thotë Berit, shkroi fort favorshëm për librin “Prilli i thyer” të shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadaresë, me rastin e daljes (botimit) së tij në gjuhën norvegjeze, këtu në Oslo.

Mësoj (jo zyrtarisht) se nga fundi i këtij muaji, me pjesëmarrjen e autorit Ismail Kadare, në Oslo do të bëhet përurimi solemn i këtij romani në gjuhën norvegjeze. Sa bukur, vërtet mrekulli, kur “Prilli i thyer”, pa mëdyshje një a nga veprat më të realizuara të shkrimtarit tonë të madh, the akullin e deteve të ngrirë të Veriut dhe, labirinteve të fjordeve, depërton deri te lexuesi i këtij shteti më verior të kontinentit.

Nga libri “Shpen’ udhëtar”, Rozafa, Prishtinë 2014, faqe 19-21)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat