Shoqëria civile në kulturë

Kultura

Shoqëria civile në kulturë

Nga: Hejza Art Më: 15 prill 2022 Në ora: 13:10
Foto ilustrim

Përtej kufijve administrativ të shtetit amë, cili ishte potenciali i shoqërisë civile tek shqiptarët e viseve etnike! A e zhvilluan këtë sektor jetik për një shoqëri demokratike! Në Kosovë shoqëria civile ishte më e gjallë, por që fatkeqësisht u obligua që kryesisht të merret me rehabilitimin e fëmijëve dhe të rinjve të traumatizuar nga një situatë e rëndë dhe jo njerëzore para, gjatë dhe pas luftës. Veç këtij obligimi, shoqëria civile shqiptare e Kosovës qe e detyruar që të merret edhe me aktivitete që shkonin në drejtim të dëshmimit “të faljes” së barbarisë serbe dhe po ashtu në drejtim të promovimit të “multi-kulti”, si mundësi për të krijuar perspektiva të qarta bashkëjetese, bashkëpunimi e bashkëveprimi! Vetëm aktivitet e tilla mund të kishin përkrahje të mjaftueshme financiare, ndryshe “aktivitetet e ngurta” kulturore (nën llupën e UNMIK-ut dhe të organizmave të tjerë ndërkombëtarë) stigmatizoheshin si “provinciale” dhe nacionaliste e të rrezikshme!

Për të tillë shoqëri civile me profil “multi-kulti” u detyruan edhe shqiptarët e Malit të Zi, Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë së Veriut! Natyrisht, politikat e këtilla që vinin nga “angazhimet botërore” për globalizim kulturor, synonin përtej tolerancës dhe bashkëjetesës në mes të popujve. Kompleksiviteti i këtyre politikave globaliste rajonale ishte që shoqëritë ballkanike (sidomos shqiptarët) të hiqnin dorë nga mbështetja në identitet kombëtar e kulturor për të cilat u zhvilluan aq shumë luftëra dhe të bëheshin gati (të gjithë) për një asimilim kulturor, i cili do të gjenerojë një kulturë homogjene, proces ky që do të njihej si “globalizimi kulturor”!

Hapi i parë i këtij “globalizimi” do të ishte zhvillimi i “multi-kulti-t”, i cili do ta bënte gërshetimin, ndërthurjen, shkrirjen deri te produkti final - identiteti kulturor i shoqërisë (jo i etnisë)!

Gjithsesi, një shoqëri civile patjetër që duhet të jetë e strukturuar dhe në përbërje të vet të ketë: organizata joqeveritare (si lëvizje të fuqishme që mbrojnë kryesisht interesin publik, siç janë lëvizjet ekologjike, kulturore, antiglobaliste etj.); organizata profesionalisht të dëshmuara (prej bibliotekave, muzeologëve, arkeologëve, etj.); organizata humanitare etj. Çuditërisht, shoqëria civile e shqiptarëve është fuqishëm e organizuar në bujqësi, në biznes, në sport, në bletari dhe, fare pak, për të mos thënë hiç, në kulturë!

Në esencë (përtej ndikimeve politike) shoqëria civile në kulturë ka rolin e formuesit të identitetit nacional dhe, jashtë këtij synimi, elementet përbërës të shoqërisë civile ose janë pa peshë, ose janë pasive, ose edhe janë shuar fare. Përkundër investimeve të paimagjinueshme u dëshmua se plagët nga konfliktet ndëretnike nuk mund të shërohen e as të harrohen duke hapur gropa të tmerrshme për identitetin kulturor të popujve që kaluan periudha traumatike vështirë të harruara.

Të lemeritur nga politikat e këtilla jokombëtare, në shoqërinë shqiptare lulëzuan plotë “grupime letrare” (madje edhe shoqata shkrimtarësh të mëhallëve e të katundeve), interesi publik i të cilave nuk mund të dilte përtej rrethit të tyre letra që i përthakonte një odë apo një bodrum ku kumbonte “poezia patriotike” që zbutej në raki e në çaj rusi!

Shqiptarët e viseve etnike nuk ia dolën, madje as që patën vizion për ndonjë grupim kulturor si element i shoqërisë civile, i cili do t’ia dilte të shndërrohet në lëvizje për ta mbrojtur qoftë interesin publik qoftë atë kombëtar në rrafshin kulturor, siç ishte Lëvizja kombëtare me shumë brumë politik e human për pajtimin e gjaqeve. Nuk ia dolën që të kenë ndonjë shoqatë profesionale të krijuesve, artistëve, të njerëzve të kulturës, nuk i dolën të kenë ndonjë formë të sindikatës së artistëve dhe të profileve të ndryshëm kulturorë! Nuk ia dolën që të themelojnë ndonjë fondacion kulturor. Nuk ia dolën të themelojnë ndonjë çmim kulturor nacional! Pastaj, duke qenë mbrojtës fanatikë të interesave meskine, nuk ia dolën që manifestimet apo festivalet private të paktë që i kanë, t’i imponojnë që të pranohen si institucione nacionale dhe si “mjeshtër kulturorë” të angazhohen në formim të të tjera organizmave kulturorë të pavarur në kuadër të shoqërisë civile!

Shoqëria civile në kulturë është kujdestari dhe furnizuesi kryesor i identitetit kulturor të një etnie që zhvillohet në konstelacione të reja politike dhe nën turbulenca të shumta gjatë procesit të tranzicionit drejt demokratizimit të plotë të shoqërisë, të shtetit. /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat