Letërsia moderne në Dardani, Shqipëri dhe Diasporë

Kultura

Letërsia moderne në Dardani, Shqipëri dhe Diasporë

Nga: Akademik Prof.Dr.Flori Bruqi,MHD Më: 29 prill 2022 Në ora: 23:48
Akademik Prof.Dr.Flori Bruqi,MHD

Letërsia moderne në Dardani

Pjesa e letërsisë shqiptare që zhvillohej në Kosovë, kishte afërsisht këto shenja paradalluese: e shkëputur nga letërsia amë dhe nga një pjesë e traditës letrare, ajo pothuajse nuk ishte fare në kontakt me të dhe nuk ishte e informuar për atë që ndodhte në fushën e letërsisë brenda kufirit të shtetit shqiptar. Edhe para luftës, në Kosovën letrare herë pas here ilegalisht, mbase edhe mund të depërtonte ndonjë vepër ose autor nga periudha e viteve '30, kryesisht përmes atyre pak nxënësve që shkolloheshin aso kohe në Shqipëri. Pas luftës, në vitet '50, krijuesit e parë të letërsisë shqiptare në Kosovë, për mbështetje kishin kryesisht letërsinë gojore (të pasur), fare pak vepra nga fondi letrar i traditës si dhe përvojat e huaja letrare, në radhë të parë ato sllave.
Nga emrat e shkrimtarëve, të cilët e kishin filluar veprimtarinë e vet letrare para luftës, do të përmendim këtu vetëm Esat Mekulin dhe Hivzi Sulejmanin. Mekuli u shqua me lirikën e angazhuar shoqërore dhe kombëtare të shkruar gjatë viteve '30, ndërsa i dyti solli përvojën e parë më serioze në llojin e prozës së gjatë me romanin dy vëllimesh "Njerëzit I" dhe "Njerëzit Il", si dhe "Fëmijët e lumit tim". Para tyre Hivzi Sulejmani do të shkruante disa nga tregimet, që edhe sot tingëllojnë moderne.
Ishte poezia ajo që arriti majat e letërsisë shqiptare në Kosovë, duke filluar nga fundi i viteve '50 e sidomos me emrat: Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Besim Bokshi, Eqrem Basha, Sabri Hamiti. Ndërsa në prozë dallohen: Anton Pashku, Ramiz Kelmendi, Azem Shkreli, Nazmi Rrahmani, Rexhep Qosja, Mehmet Kraja, Musa Ramadani,Naim Kelmendi etj. Edhe në Kosovë shumë shkrimtarë patën fatin të burgosen, të persekutohen apo të arratisen e të jetojnë jashtë truallit të tyre. Pushteti serb ushtronte dhunën më të egër ndaj intelektualëve që me pushtetin e fjalës përpiqeshin të afirmonin vlerat kombëtare shqiptare. Kështu e pësuan rreptë nga kjo çensurë: Adem Demaçi, Ramadan Rexhepi, Kapllan Resuli (i cili pasi u arratis në Shqipëri u burgos edhe këtu) etj.
Krahas letërsisë shqiptare që krijohej dhe botohej kryesisht në Prishtinë, ajo krijohej dhe botohej edhe në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, kryesisht me prozën dhe poezinë e Murat Isakut, Abdylazis Islamit, e më pas, me veprën letrare të Resul Shabanit, Adem Gajtanit, Agim Vincës, Din Mehmetit etj. Vlen të përmendet dhe një personalitet i shquar i kulturës, Luan Starova, (shqiptari më i përkthyer sot pas Kadaresë), por shumica e veprave të tij nuk janë në gjuhën shqipe.

2.Letërsia moderne në Shqipëri

Në fushën e kulturës në përgjithësi dhe në atë të letërsisë në veçanti, gati për gjysmë shekulli, u ndie e ashpër dhuna e shtetit diktatorial ndaj intelektualëve që e kundërshtuan me forcë atë, qoftë nëpërmjet deklaratave apo artikujve në shtyp, qoftë dhe nëpërmjet veprave

të tyre. Kështu prej çensurës shtetërore e pësuan shumë rëndë mjaft njerëz të letrave, të cilët ose u pushkatuan, ose qëndruan me vite të tëra në burg apo mundën të arratisen dhe ta kalojnë tërë jetën e tyre jashtë atdheut. Të tillë janë: Arshi Pipa, Sejfulla Malëshova, Mitrush Kuteli, Petro Marko, Musine Kokalari, Trifon Xhagjika, Bilal Xhaferi, Kasëm Trebeshina, Pjetër Arbnori, Astrit Delvina, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti etj.

Sejfulla Malëshova (1900 - 1971), i njohur me emrin letrar Lame Kodra, është nga personalitetet e para disidente në kulturën shqiptare të Pasluftës. Shumica e poezive të Lame Kodrës janë botuar në vëlllmin Vjersha (Tiranë, 1945), ku ai e quan veten poeti rebel. Sipas Malëshovës, Shqipërisë i duhej integrimi kulturor dhe jo izolimi nga Evropa Perëndimore. Ai thoshte se detyra e intelektualëve shqiptarë: Eshtë që të vendosin lidhje të ngushta kulturale me popujt e Ballkanit, me Bashkimin Sovjetik, me Anglinë, Amerikën dhe me gjithë botën demokratike e progresive.
Në vitin 1953, me një guxim të hapur intelektual, Kasëm Trebeshina (1926) i dërgoi një "promemorie" Enver Hoxhës, duke e paralajmëruar se: ... shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Shpërblimi për guximin e tij ishin tërë ato vjet burgimesh e persekutimesh dhe ndalimi i botimit të veprave të tíj. Edhe pse vepra e tij nuk është botuar e plotë, nga kritika serioze Trebeshina ka vlerësime nga më të lartat.

Ndërkaq, në vitet '60 botohet në Tiranë romani Shkrimtari i Mehmet Myftiut (1930), i cili merret me fatin e artistit në diktaturë. Ky roman është ndër veprat e para disidente në vendet e Lindjes. Ai denoncoi hetuesinë, internimet dhe burgjet komuniste dhe rifuti në letërsi tema dhe personazhe tabu, që i kishte përjashtuar letërsia zyrtare e kohës.
Po në vitet '60, me përmbledhjen e tij të parë me tregime Njerëz të rinj, tokë e lashtë, Bilal Xhaferi (1935-1987) solli një lirizëm të ngrohtë dhe tepër human në letërsinë shqiptare. Ai rishfaqi personazhin e punëtorit me virtytet dhe dobësitë njerëzore, duke iu kundërvënë punëtorit të trajtuar bardhë e zi në letërsinë skematike. Ndërsa vëllimi i tij Lirishta e kuqe u ndalua dhe u hoq nga qarkullimi.
Pati dhe shkrimtarë të tjerë që talenti i tyre u ndërpre në mes dhe ata madje as nuk arritën të botojnë deri para viteve '90 veprat e tyre, si: Astrit Delvina (1920 - 1990), një vëllim i tij me tregime "Ëndrra me ngjyra" u botua në vitin 1996; Pjetër Arbnori (1930), disa novela dhe romane të tij janë botuar pas viteve '90.
Vëllimi poetik i Trifon Xhagjikës (1932 - 1963) Atdheu është lakuriq që u botua më 1994, ilustron në mënyrë bindëse jo vetëm evoluimin e tij drejt një koncepti të ri estetik, duke u shkëputur nga realizmi socialist, por ai bën një kthesë të vërtetë në bindjet dhe ndjesitë e tij artistike. Në vjershën me titull "Apoteza e ditëve tona" autori e vizaton me ngjyra dramatike gjendjen e dyzimit të individit dhe të shoqërisë shqiptare.
Ndërsa Zef Zorba (1920 - 1993) me librin e tij të botuar mbas vdekjes "Buzë të ngrira në gaz" (1994), dëshmon se ështe një poet hermetik, me forma poetike të panjohura në poezinë shqipe. Poezia e tij është shenjë e një tjetër kohe, e kohës universale që nuk e nxinin përmasat e kohës kur ai jetoi.
I lirë të botojë pas viteve '90 është dhe poeti Visar Zhiti (1952), i cili në disa nga vëllimet e tij me poezi (Hedh një kafkë te këmbët tuaja - libri i burgut, Mbjellia e vetëtimave etj.) arrin të reflektojë në një mënyrë tejet të ndjeshme raportin ndërmjet tragjikes individuale dhe asaj kolektive dhe të rrezatojë dashuri e paqe në realitetin më tronditës.
Por përveç këtyre shkrimtarëve që e pësuan me internime apo burgje, çensura shtetërore do të binte dhe mbi veprat e shkrimtarëve të tjerë, paçka se ata kishin mundur të krijonin popullaritet në masën e madhe të lexuesve dhe në një farë mënyre e kishin fituar një status mbrojtës. Kështu vepra e tyre ose ndalohej fare ose detyrohej shkrimtari ta ripunonte atë përsëri. Kështu ndodhi me disa vepra të Ismail Kadaresë, Dhimitër Xhuvanit, Fatos Arapit, Qamil Buxhelit, Naum Priftit, Dritëro Agollit, Xhevahir Spahiut, Koço Kosta etj.

3.Letërsia moderne në diasporë

Edhe pse e zhvilluar në kushte të një izolimi gjeografik e ideologjik, fati dhe perspektiva e letërsisë bashkëkohore shqiptare duhet vështruar në një kontekst dhe më të gjerë gjeografik, d.m.th dhe përtej kornizës ngushtësisht nacionale. Pavarësisht nga zhvillimet brenda Republikës së Shqipërisë, si dhe brenda viseve etnike si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, kjo letërsi pati dhe njohu zhvillime dhe në diasporë. Sa i takon zhvillimeve të saj në diasporë, letërsia shqiptare mund të shikohet gjeografikisht brenda dy vatrave:Vatra historike e diasporës shqiptare: Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi etj.Vatra të reja të diasporës shqiptare: Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj.


a. Zhvillimet më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqiptare në diasporë ndodhën në Itali, aty ku sot e kësaj dite jetojnë rreth 90.000 arbëreshë, që vazhdojnë të flasin shqipen. Në përgjithësi mund të thuhet se një "rilindje" e letërsisë arbëreshe ndodhi diku rreth fundit të viteve '50, kur dhe nisi të botohej revista "Shejzat" nga Ernest Koliqi në Romë e më pas revistat "Zgjimi", "Katundi ynë", "Zjarri", "Zëri i Arbëreshëvet", "Lidhja", "Bota shqiptare" etj. Këto revista ndikuan në krijimin dhe publikimin e një brezi poetësh e shkrimtarësh që shkruan në arbërisht. Veç të tjerash, një pjesë e tyre funksionoi dhe funksionon dhe si shtëpi botuese, duke publikuar kolana të tëra me poezi dhe vepra të tjera letrare.
Ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të kësaj vatre duhen përmendur:
Françesk Solano (1914), i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo, i lindur në Kozencë. Pas një periudhe të gjatë qëndrimi në Argjentinë, Uruguai dhe Kili, ku dhe shugurohet prift, Solano kthehet në vendlindje. Aktiv në shumë fusha të letrave, ai është kryesisht poet, prozator dhe dramaturg. Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë: Burbuqe t'egra, 1946, Shkretëtira prej gurit, dramë, 1974, Tregimet e Lëmit etj.

Domenico Bellizzi (1931), prift nga Frasnita, i njohur me pseudonimin Vorea Ujko, është një ndër trashëgimtarët më të denjë të Jeronim De Radës e Zef Serembes. Ai me poezinë e tij arriti nivele të spikatura të ligjërimit poetik, veçanërisht me veprat: Zgjimet e gjakut, Këngë arbëreshe, 1982, Hapma derën zonja mëmë, 1990 etj.
Karmell Kandreva (1931), poet, bartës i identitetit kombëtar me anë të një ligjërimi poetik origjinal si dhe luftëtar i angazhimit social të arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës origjinale, ka shkruar triologjinë poetike: Shpirti i arbërit rron; Shpirti i arbërit rron. Arbëreshi tregon; Shpirti i arbërit rron. Vuan dega e hershme.
Zef Skiro Di Maxhio (1944), poet, përkthyes dhe dramaturg i shquar. I angazhuar edhe si drejtor i revistës "Bota shqiptare", i shquar për tonin e tij ironik e shpesh sarkastik, ai është autor i rreth dhjetë librave poetikë, ndër të cilat vlen të përmenden: Nëpër udhat e parrajsit shqipëtarë e t'arbreshë. Poemë gjysmëserioze arbëreshe, Orëmira, Për tokën fisnike të Horës etj.

AKademik Prof.dr.Eshref Ymeri,Ph.D është një eruditë, studiues ,publicist dhe përkthyes i njohur shqiptar. Pasi mbaroi arsimin fillor nё Mesaplik, vazhdoi shtatё vjeçaren nё fshatin Ramicё dhe në vitin 1959 mbaroi Gjimnazin "Ali Demi" tё Vlorёs me rezultatin shkёlqyeshёm. Nga ky rezultat i përpjekjeve të para për t’u pajisur me dije dhe kulturë, iu dha e drejta pёr tё studjuar nё Leningrad të B. S. pёr gjuhёn ruse. Kur u prishёn marёdhёniet me B.S, nё qershor tё vitit 1961 ai u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi Universitetin e Tiranёs pёr gjuhё letёrsi ruse nё fakultetin "Histori Filiologji", të cilin e mbaroi me rezultate të larta nё vitin 1966 dhe u emrua pedagog nё katedrёn e gjuhёs dhe letёrsisё ruse. Mё vonё e caktuan shef të redaksisё sё botimeve nё gjuhё tё huaja deri nё vitin 1990. Gjatё kёsaj periudhe ai drejtoi redaksinё pёr pёrkthime nё gjuhё tё huaja për veprat e Enver Hoxhёs. Mё 1992 filloi sërish punёn si pedagog pёr gjuhёn dhe letёrsinё ruse, deri mё 31 gusht 2003, kur doli nё pension.Ka botuar shumë libra,po i veçojmë vetëm disa:

Fjalor frazeologjik rusisht shqip : Me 25 160 shprehje frazeologjike - 2015

Përkthimi, një histori pasioni - 2015

Fjalor frazeologjik anglisht – shqip : Me 25440 shprehje frazeologjike - 2019

Është bashkpunëtor i rregullt i shumë mediumeve shqiptare në Dardani (Bota sot,Floripress),Shqipëri ,Diasporë etj.

Vend të rëndësishëm në diasporë zë edhe shkrimtari Skifter Këlliçi (lindur më 1938) është i dalluarë si autor librash artistikë e studimorë, romanesh për fëmijë dhe skenarësh kinematografikë. Ishte i pari që filloi në Shqipëri komentimin drejtpërsëdrejti të ndeshjeve të futbollit në radio, dhe më vonë edhe në televizion. Emisioni i konceptuar dhe i krijuar fillimisht prej tij, Rubrika Sportive, vazhdon të transmetohet ende sot në Radio Televizionin Shqiptar.

Romanet e Këlliçit me temë historike kanë njohur sukses të veçantë, dhe këtu mund të përmendet sidomos 'Atentat në Paris' (1978), që u ribotua me ndryshime thelbësore më 2011. Ky roman i kushtohet vrasjes së Esat Pashë Toptanit në Paris më 1920 nga atdhetari Avni Rustemi, dhe u përshtat edhe për skenë më 1981 nga teatri Bylis i Fierit, duke u pritur mjaft mirë nga publiku. Një roman tjetër historik është 'Vrasës me duar të bardha'(1991) që trajton ngjarjet rreth ekzekutimit të patriotit të shquar Themistokli Gërmenji nga autoritetet ushtarake franceze të Krahinës së Korçës më 1917 gjatë Luftës së Parë Botërore. Ndërsa më 2006 Këlliçi botoi romanin 'Dashuri e gdhendur në shkëmb' mbi motivet e tregimit 'Tej kaltërsive' të shkrimtarit të njohur, Bilal Xhaferi, kushtuar kryengritjeve ilire të udhëhequra nga Bato kundër pushtuesve romakë.

Në vitin 2010 Këlliçi nxori në qarkullim romanin 'Shtatori i gjëmës së madhe' kushtuar sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 mbi Kullat Binjake në New York. Shtytje për këtë roman ishte midis të tjerash edhe fakti që ndërmjet gati 3000 viktimave të atij sulmi ishin edhe 3 shqiptaro-amerikanë, të cilët janë personifikuar në roman.

Me romanet 'Tirani ngrihet nga varri'(2004) dhe 'Politikanët mëkatarë fluturojnë në Mars' (Prishtinë 2006), ku trajtohen dukuri negative të shoqërisë së sotme shqiptare, Këlliçi ka dhënë ndihmesë edhe në lëvrimin e romanit humoristiko-satirik. Në romanin e parë, një nga personazhet që i ngjan diktatorit të vdekur, krijon në vend idenë se ky i fundit është ringjallur nga Zoti, të cilit i ka kërkuar falje, dhe me ndihmën e të cilit do të vendosë demokracinë e premtuar nga dy partitë politike që sundojnë të zhytura në korrupsion. Në romanin tjetër, vazhdim i të parit, po ky personazh u dërgon kryetarëve të këtyre partive politike emaile që kinse vijnë nga planeti Mars, e që shpjegojnë se meqë temperaturat do të rriten shumë, jeta në tokë do të shuhet. Si pasojë, ata këshillohen të fluturojnë në Mars me anijet kozmike që do t'u dërgohen posaçërisht, dhe duke qenë se ai planet është i kuq, të ndërtojnë atje shoqërinë komuniste.

Në krijimtarinë e Këlliçit në fushën e veprave publicistiko-shkencore një vëmendje të veçantë meriton 'Historia e futbollit' (1980), e po ashtu 'Nga 2-3-5, në 4-4-2, vështrim historik mbi evoluimin e sistemeve taktike të futbollit shqiptar, 1930-1987'(1987). Këlliçi ka botuar gjithashtu 'Yjet e futbollit botëror' (1988) si edhe kontributin origjinal 'Historia e Radiotelevizionit Shqiptar, (1938-1990)'(2003).

Në vitin 1999 Skifter Këlliçi u largua nga Shqipëria dhe u vendos së bashku me familjen në Watertown, pranë Boston (MA), në Shtetet e Bashkuara, ku banon aktualisht. Ai vazhdon të kontribuojë edhe në fushën publicistike me dosierë rreth gjuhës, historisë së letërsisë dhe sportit, të cilat kanë jehonë në mediat shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat