Shqiponjë në qiellin tonë

Kultura

Shqiponjë në qiellin tonë

Nga: Delvina Kërluku Më: 7 maj 2022 Në ora: 11:49
Delvina Kërluku

Edhe kjo e shtunë, si shumë të shtuna në kryeqytet, më gjen në dhomën time.

Dhomën më modeste dhe më të dashurat nga çdo dhomë tjetër. Aty jam vetja. Më shoqërojnë librat, kujtimet, malli dhe vetmia. Por kjo vetmi, nuk është si çdo vetmi tjetër. Është e veçantë, pasi nuk më lë vetëm. Më shtyn të krijoj personazhe letrare, të cilëve u jap jetë, pra i bëj të gjallë që të më shoqërojnë pastaj. Në dhomën time hynë vetëm drita – ditën e diellit, natën e poçeve elektrike. Hë, pra harrova: edhe drita më bën shoqëri. Nga shumë gjëra që më mungojnë në dhomën time të dashur, por jo edhe të ngrohtë përherë, janë edhe rrezet e diellit, pasi të vetmen dritare që ka, përballet me Veriun. Më thoshte nëna: mos merr shtëpi në Veri, se do të marrë malli për një rreze drite, por ec e zgjidh në kryeqytet. Këtë këshillë kisha dëgjuar shpesh, edhe nga të moçëm të tjerë: Jugun zgjidh, por edhe Lindja e Perëndimi, s’janë për t’u sharë.

Qetësia në dhomë më jep kënaqësi pas lodhjes në zyrë, por edhe nga vrapi marathonomak i gazetarisë. Dëgjohet vetëm zhurma e makinave që furnizojnë dyqanet përreth me ushqime dhe artikuj të tjerë të konsumit të gjerë. Sidomos kur u çel kjo shitorja e re përballë dritares së dhomës time. Me javë ka zgjatur zhurma. Po kush të pyet: luftë për ekzistencë. Eh, ligje tregu: mbyllet një biznes sot, dy i hapin dyert nesër. Edhe Çarshia e vjetër e Shkupit, me këto ligje gjallon. E, kur përmendi shitoren e re, nuk harroj t’ju tregoj se në fillim, më mbetën sytë tek ajo. Pronari me gjithë familjen, lanin e fshinin çdo cep: me dyer e dritare, dysheme e tavane, rafte e tavolina. Edhe atë pak trotuar në hyrje, xixë e bën. Ia kisha lakminë vullnetit të tyre. Shpresonin dhe besonin se ky dyqan do t’ua transformonte jetën, prandaj kishin angazhuar gjithë atë energji. Inshallah! Unë dilja në atë copë ballkon të vogël të dhomës time gjithashtu të vogël, e ngazëllehesha me punën e tyre aq entuziaste. I dëgjoja edhe bisedat midis tyre dhe urimet e kalimtarëve të njohur e të panjohur. - Urime Hasim! Të vaftë mbarë! – Faleminderit. Zoti na ndihmoftë të tanëve mos me e braktis vatanin. Ma mirë zotni në fukarallëkun tand, sesa shërbëtor i të pasunve të botës - ua kthente Hasimi. Edhe unë i shoqërohesha urimit të tij, me gjithë zemër, e pa zë, kur i shihje rrugët e shkretuara, shtëpitë e kyçura, mësonjëtoret me një grusht nxënësish. Kah do që i hidhje sytë, kah do që të shkel këmba.

Shqiponjat shpesh kishin marrë fluturimin edhe në Perëndim. Aty, shqiponjat, gjenin bukë, paqe dhe drejtësi. Këtu, në Ballkanin e thepisur, shkon kot për një kothere buke, për pak drejtësi e për më pak barazi. U mundova ta bind një shqiponjë se edhe këtu mund të jetohet, ose: edhe ky vend mund të bëhet i përshtatshëm për të jetuar, por s’arrita dot. – Me urrejtje, zili, xhelozi, padrejtësi, dembeli, zhvatje..., s’bëhet, më tha.

Por mua më mbetën sytë dhe mendja te dyqani i ri dhe impenjimi i milingonave, për ty ndryshuar këtë realitet, për të bindur veten dhe botën përreth, se jeta dhe fati

ndërtohet me pak sakrifica.

Pastaj, me arritjet e furnizimeve, nisi të shpërndahet edhe aroma e sendeve që tregtonin. Si të atyre ushqimore, ashtu edhe të artikujve për mirëmbajtjen e pastërtisë trupore dhe ambientale. Aromë parfumesh dhe detergjentesh bashkë. Kutërbimi i erërave të gjellëtores, është tregim më vete. Depërtonin në dhomën time, bashkë me bezdinë, edhe nëpër të çarat më të ngushta të derës dhe dritares. Prejardhjen e këtyre plasaritjeve nuk e mësova dot, mbase ishin nga ndonjëri prej tërmeteve të shumtë që e dredhin këtë qytet. Ky vend është sprovuar me tërmete, edhe me luftëra. Të të gjitha llojeve dhe natyrave.

Njëra nga shqiponjat e mërguara, më shpotiti: Ju poetët vetëm ëndërroni! Por ajo nuk e dinte faktin se ne poetët me hijen tonë e kishim bërë Atdheun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat