Pashai dhe ura me një hark

Kultura

Pashai dhe ura me një hark

Nga: Ismail Arsllani Më: 2 qershor 2022 Në ora: 19:15
Ismail Arsllani

Malësor Deda, atë natë, as vetë s'e dinte prej nga i vinte ai ngazëllim shpirti, qëkur u nda nga Duraku, që ishte gjithë pezëm dashurie. Ai ishte çehrengrysur dhe i lëbyrtë në fytyrë. Në cepat e syve ishte varur një pikëllim dhe ishte i përhumbur i tëri. Kishin qëndruar pa bërë hesap vaktin, në atë tavernë të Çarshisë mbushur me njerëz merakli, që gjendej pranë Hanit të aga Mexhitit, me do kuaj të lidhur për kërpeshi. Ata ishin derdhur së gajasuri nga rrëfimet me hoka të Biberit, siç e thërrisnin e askush s'e dinte pse. Mbase pse e kishte hundën me maje. Pasi dolën që aty, Duraku, si duket flaku atë tymnajë në krye dhe mori shtegun e xhadesë, me një fërtymë të pazakontë. Malësori u nis për te konaku, sokakut me kalldrëm, me fanarë të varur në shtylla hekuri, që bënin të stërzgjaten hijet e njerëzve në lëvizje. Kaloi dyqanin e cergave, atë të saraçit, sahatndreqësit, kujunxhiut, bozaxhiut dhe e dinte që ishte afruar te shtëpia, përballë hamamit. Hamamin e shihte, por shtëpinë jo. U pengua në një muranë, pranë një shtylle. Në kokë mendonte se kishte kaluar në botën e matanshme. Mbretëronte një zabullimë ngufatjeje. Sa shpejt u tret ajo vijë shendi në fytyrën e tij. Hodhi një shikim nga qielli, një terratisje pa fund, me do shtëllunga reshë që lëviznin nga lindja dhe ktheheshin sërish. I dukej vetja si i dehur kur uli kokën, por ata në tavernë që i mbushnin gotën me pije, betoheshin se nuk ishte i dehur. Pse, atëherë, iu rrotullua qielli?

Më në fund, gjeti numrin tre të derës dhe i futi kryet brenda. Hanëmja që e priste në verandë, s'bëri zë. Ajo përplasi derën dhe u fut në shtrat. Kur i mbylli ata qerpikë të bukur dhe hyri në botën e ëndrrave, ai u rehatua dhe kapi ditarin nga sergjeni, që ta vazhdojë leximin aty ku e kishte lënë ditë më parë. U përvodh në shtrat, shpinë për shpine dhe, ashtu, në dritën e zbetë të llambës, që bënte dritëhije të trasha, zuri të lexojë ndër zë.

          "...Ishte një ditë e rëndë, prej atyre që s'mbahej dot mbi shpatulla. Ato shpatulla i kishim të rënduara, thua ti se po lëvaren për dyshemeje. Pak si vonë dolëm nga kabineti i Pashait. Ishte një ditë, me tamam, për të shënuar disa rreshta në atë ditar që s'e kam prekur bukur do ditë. U ula pranë tavolinës, afrova mereqepin dhe penën, hapa kapakët e ditarit, në fletën me numër njëqind e njëzetedy, ku kisha lënë tri pika, për të vazhduar me vakitë e Kasabasë. Shënova, si çdo herë, ditën: 22 e muajit të qershive të motit 1837 (1259, sipas Hixhrit) dhe, tamam të filloja me hedhjen e fjalëve mbi letër, në periferi të shikimit e vëreja hanëmen se si i kishte drejtuar sytë, si plumba alltie para shkrepjes. Ajo më duronte ashtu siç isha, i shkujdesur, pa ia pyet hallin e saj, kur hyra brenda si i hutuar, pa e vërejtur as sofrën e shtruar mjedis dhome. Injorova të gjitha, zura t'i renditi hieroglifët e mi në atë letër të bardhë.

          "Pusho një çik, or herif!", u shfry e tëra, hanëmja. U bëra i shurdhër dhe vazhdova, sa s' më kishin ikur pëllumbat nga rradakja.

          "... Sot, pashai, i cili kishte disa ditë që ishte mbërthyer në heshtje, aq sa na u duk e pazakontë, tuboi njerëzit e kabinetit dhe i futi në një kthinë, ku e mbante gardërobën e rrobave ushtarake, civile, solemne e ato të përditshme. Tregoi me gisht një litar të varur në tra, si një gjalmë, me disa nyje të bëra xhunga-xhunga:

          "Zgjidhini nyjat...!, urdhëroi pashai.

          Secili prej nesh u orvatëm për t'i zgjidhur. Dikur i zgjidhëm.

          "Çka bëtë?", na pyeti.

          "I zgjidhëm, pasha!", thamë një zëri.

          "Çka keni zgjidhur?", na pyeti sërish.

          "Nyjat pasha, ashtu si na thatë!"

          "Me këtë veprim a janë zgjidhur problemet dhe vështirësitë e këtij mileti në këtë kasaba?", sërish me një pyetje që i habiti këshilltarët.

          "Jo, pasha!", u gjegjën me plot gojë.

          "Mirë shumë... e ç'bëjmë tash?", një pyetje edhe më e rëndë.

          Këshilltarët shikuan njëri-tjetrin në sy dhe mbetën pa përgjigje.

          "Dëgjoni këndej, vështirësitë nuk zgjidhen me forcën e duarve, por me urtësinë e rradakes. Këtu, në kokë - i ra me gishtin tregues në pjesën e tëmthit- zgjidhen problemet, pastaj përdoret forca. Tash shkoni e tundni pak atë rradaken tuaj që ka zënë të myket... ", tha pashai dhe doli nga kabineti. Ne mbetëm si... me nder, me thënë...!

          "Tahsin Pasha kishte do muaj që e kishte urdhëruar shërbëtorin që të shkonte te dyqani i Sixhimxhiut, brenda në pazar, që të marrë një litar me gjashtë gërsheta, nja tre arshinë të gjatë. Asokohe s'e pandehnim se çka do na gjejë. Kujtuam, mos bën ndonjë marrëzi, ky pasha?

          Atëherë kur pesha e gajleve të kësaj bote mbërthenin rradaken e Pashait, qëndronte me sahat, si statujë, përpara kënatave të hapura të dritares së kabinetit të tij, me duart e lidhura pas shpine, duke shikuar larg në horizont, vetëm në një pikë. Kur kishte zor të madh, i hiqte nga trupi pantallonat prej shajaku të butë, bojë plumbi, apo të tjerat bojë baroti, me gajtanë anësh, me shirit të verdhë prej fijesh ari. Flakte edhe xhaketën me shumë xhepa, me gjithë qostekun, që ia kujtonte kohën që po kalonte, pastaj fesin e kuq, me xhufka të zeza, për t'u ndërruar me shallvare ngjyrë hiri, brez të kuq, këmishë të bardhë, me jelek të zi dhe me rrashtinën mbi kokë. Ashtu shtegtonte në mendime deri te Ura e Gurit, ku ndalej dhe mbështetej mbi gurët mbrojtës, për ta drejtuar shikimin nga Kalaja në ndërtim, mbi atë kodër të Kasabasë.

          Asnjë njeri s'e vërente se ky është pashai i tyre. Ai mund të rrinte aty sa të donte shpirti. Çka s'i rrotulloheshin në rradaken e tij. Nganjëherë hidhërohej me arkitektin e nganjëherë me veten, se pse e dëgjoi arkitektin dhe lejoi ndërtimin e asaj ure mbi të cilën qëndronte, që të ishte me një hark. Një kasabaje të pashallëkut të tij i ngjante një urë me tri harqe, dy prej tyre do ishin më të vogla. Nuk u pajtua me arkitektin që ura të dalë sipër Hamamit, edhe rruga nuk do ishte shtrembake. Por së koti rrihte mendje pashai, kur çdo gjë ishte kryer. Babai i tij, pasha i njohur deri në Stamboll, i kishte lënë amanet, që ky, i biri i tij, më i afti e më i dashuri, t'i kryente punimet e ndërtimit të kalasë, të ndërtonte urën e re pranë Hamamit dhe të meremetonte Xhaminë e bukur pranë konakut.

          I kujtohej shpesh që i thoshte:

          "Ndërto rrugë dhe ura! Urat lidhin dy brigje, urat i lidhin njerëzit, urat lidhin miqësi..."

          Urat e Kasabasë i lidhnin dy pjesë të ndryshme të saj. Ana e majtë, për nga rrjedha e lumit, ishte më shumë me tregtarë e dyqane zanatçinjsh. Ishte pjesë e njerëzve esnafë e medineli, ndërsa ana e djathtë ishte e mualimëve, imamëve, dijetarëve, agallarëve, bejlerëve e pashallarëve. Në atë anë ishin edhe zandanët, ku vuanin kryesisht njerëzit që jetonin në anën e majtë.

          Sa lindte dielli mbi ato male të thata, të dyja anët e njerëzve përziheshin. Kalonin nëpër urë, herë në njërën anë e herë në tjetrën. Atëherë s'dihej kush hanë e kush pinë. Në mbrëmje, anët e Kasabasë sërish zinin shtrofullat e tyre të prehjes.         "Sa mirë që janë ngritur këto ura të mishërimit të njerëzve, që t'i marrin njëri-tjetrit veset e mira dhe t'i huqin të këqijat!".

          Pashai ishte humbur i tëri në shoshitjen e këtyre mendimeve që vinin e shkonin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat